Gazetar | Emir Hamzi
Sot shoqata qytetare “Uniteti Islam” Tetovë organizoi aksion për pastrimin e “Lugina e Ambasadorëve” dhe një luginë poshtë saj, vende të cilët gjenden në periferi të Tetovës. Aktivitetit ekologjik iu bashkangjitën shumë aktivistë dhe qytetarë me dëshirën për të pastruar vendin i cili vizitohet nga njerëz të qyteteve të ndryshme. Ata mblodhën afro 140 thasë plastike me mbeturina dhe vendosën thasë të reja në shportat e mbeturinave, shkruan Nistori.
Përfaqësuesi i shoqatës, Ali Ashani për Nistori thotë se, qëllimi i aktivitetit është për të vetëdijësuar qytetarët, me qëllim që aktivitete të këtilla ekologjike të organizohen në vazhdimësi për të mbajtur qytetin dhe ambientin sa më të pastër.
“Shpresojmë që të jetë tradicionale dhe shpresojmë që fillimisht ne të vetëdijësohemi, por edhe t’i vetëdijësojmë qytetarët tonë, sepse këtë që na ka dhënë Zoti, duhet ta ruajmë. Mirënjohja më e mirë ndaj Zotit për begatitë që Ai na ka dhënë neve, është që të tregojmë një kujdes të veçantë…Kjo është vetëm një mënyrë e vogël se si një qytetar duhet të sillet kur del nëpër këto vende,” – deklaron Ashani.
Ai shton se thirrja e aktivizimit për ruajtjen e mjedisit u drejtohet kryesisht të rinjve. Duke e ditur nivelin e kulturës për ambientin, shpresohet që nëpërmjet këtyre aktiviteteve të instalohet kultura e kujdesit ndaj ambientit, sepse Tetova dhe vendet ku qytetarët kalojnë për fund javë kanë nevojë të mirëmbahen.
“Fillimisht, çdonjëri nga ne duhet të jemi të kujdesshëm për atë që bën. U bëj thirrje bashkëqytetarëve të jenë të kujdesshëm kur dalin në piknik. Ta lënë vendin më të pastër sesa e kanë gjet. Jo vetëm të pastrojmë mbeturinat tona, por edhe të tjerët që i kanë lënë dhe kështu dalë-ngadalë vendi do të pastrohet nga mbeturinat që i kanë lënë njerëzit tjerë të pavëmendshëm dhe të pakujdesshëm.” – shton ndër të tjera Ashani.
Me rritjen e temperaturave, vendet të cilët gjenden në periferi të Tetovës frekuentohen për piknik dhe fund javë, por kjo nuk do të thotë që qytetarët të behen të pakujdesshëm. Ashani u bëri thirrje të gjithëve që të organizojnë aktivitete të këtilla dhe të tubohen për ta ndihmuar njëri-tjetrin në punë të mira. /Nistori/