Më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë e saj, duke u bërë një shtet i pavarur dhe sovran. Ky është një ditë e veçantë dhe e rëndësishme për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe për popullin shqiptar në përgjithësi. Pas shumë viteve të luftës dhe vuajtjeve, Kosova ka arritur të realizojë një nga qëllimet më të mëdha të saj, duke u pozicionuar në arenën ndërkombëtare si një shtet i pavarur dhe i njohur nga shumë shtete të botës, shkruan Nistori.
Në këtë përvjetor të rëndësishëm, politikanët e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë kanë uruar Kosoven për arritjen e kësaj dite historike. Ata kanë shprehur mbështetje të fuqishme për shtetin e ri dhe kanë theksuar se përpjekjet e përbashkëta të popujve të këtyre shteteve kanë qenë dhe do të mbeten të palëkundura në forcimin e marrëdhënieve të ndërsjella dhe të bashkëpunimit rajonal.
Urimet e politikanëve nga Shqipëria dhe Maqedonia theksojnë solidaritetin dhe angazhimin për integrimin e plotë të Kosovës në institucionet ndërkombëtare, veçanërisht në Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe për stabilitetin dhe sigurinë e gjithë rajonit të Ballkanit.
Albin Kurti, kryeministër i Republikës së Kosovës
Dimër i ftohtë por zemrat e ngrohta, teksa urojmë njëri-tjetrin për 17-vjetorin e 17 Shkurtit, shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, si shtet sovran, demokratik, me integritet territorial, me progres social, me avancim demokratik dhe me rritje shembullore ekonomike.
Ekonomia e Kosovës është trefish më e madhe sesa para 17 vjetëve. Në të njëjtën kohë jemi edhe shembull për siguri jo vetëm në rajonin e Ballkanit, kur kemi parasysh të drejtat e qytetarëve, mirëqenien e tyre, entuziazmin popullor dhe sukseset e Republikës sonë, që janë suksese të popullit, të institucioneve, po edhe të partnerëve, miqve, aleatëve tanë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës te Bashkimi Evropian dhe mbarë perëndimi demokratik.
Padyshim që mund të jemi krenar që i kemi dalë hakut sakrificës, flijimit të aq shumë dëshmorëve e martirëve, kontributit të jashtëzakonshëm edhe të rezistencës paqësore edhe asaj të armatosur, invalidëve e veteranëve të UÇK-së dhe të gjithë veprimtarëve, të cilët qëndruan në kohë të vështira, në mënyrë që ne të kemi kohë të mira.
Gëzuar të gjithë qytetarëve të Republikës! Urime Dita e Pavarësisë!
Vjosa Osmani, presidente e Republikës së Kosovës
E LIRË, E PAVARUR, SOVRANE…E PËRJETSHME!
Urime 17 vjetori i Pavarësisë. Është një ditë kur kujtojmë sakrificën shekullore që e ka bërë populli ynë në mënyrë që ta gëzojmë këtë ditë. Është një ditë kur i festojmë sukseset që i ka arritur Republika jonë, duke forcuar sovranitetin, duke forcuar shtetësinë e subjektivitetin ndërkombëtar. Por, është po ashtu një ditë kur iu themi faleminderit nga zemra, një falënderim të përhershëm, për të gjithë ata që sakrifikuan dhe dhanë gjithçka që ne sot ta festojmë këtë ditë, duke filluar nga arkitekti i pavarësisë, presidenti historik Rugova dhe komandanti legjendar Adem Jashari që udhëhoqi UÇK-në, e deri te secili qytetar i Republikës sonë që sakrifikoi me mund e me gjak në mënyrë që sot të gëzohet kjo ditë. Do të ecim përpara sepse nuk ka asgjë që mund ta ndalë Republikën tonë.
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI)
E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani Sadriu,
Në këtë ditë të shënuar, 17 shkurt, kur kremtohet Dita e Pavarësisë së Kosovës, kam nderin dhe kënaqësinë t’Ju dërgoj urimet më të sinqerta dhe më të ngrohta për këtë ngjarje historike për Kosovën dhe të gjithë shqiptarët kudo në botë.
Pavarësia e Kosovës është simbol i sakrificës, guximit dhe qëndresës së popullit shqiptar, i cili, me përpjekjet ndër breza, me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me jetët e mijëra dëshmorëve dhe martirëve, arriti të realizojë ëndrrën e tij për liri dhe pavarësi. Ky proces i lavdishëm ka qenë i mundur gjithashtu falë mbështetjes së palodhur të aleatëve tanë ndërkombëtarë, veçanërisht NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ne, të gjithë shqiptarët, jemi të pafund mirënjohës për angazhimin dhe kontributin e aleatëve tanë në çlirimin dhe formimin e shtetit të Kosovës. Kjo mirënjohje konkretizohet në bashkëpunimin e ngushtë dhe partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe Bashkimin Europian, për përballimin e sfidave të zhvillimit dhe për avancimin e stabilitetit dhe sigurisë në rajon.
Kosova, pa dyshim, nuk ka alternativë tjetër, përveçse të ecë përpara në forcimin e shtetit të saj, duke siguruar avancimin e shtetit ligjor dhe të drejtat e njeriut.
Bashkë do të vazhdojmë të punojmë për të forcuar miqësinë dhe bashkëpunimin mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe për avancimin e integrimeve evropiane dhe zhvillimin e qëndrueshëm për të gjithë qytetarët tanë.
Uroj që shumë shpejt, përvjetorin e Pavarësisë, Kosova ta festojë si anëtare e NATO-s dhe pjesë e familjes së madhe evropiane.
Gëzuar Ditën e Pavarësisë, dhe shëndet, suksese dhe prosperitet për Kosovën dhe qytetarët e saj!
Aleanca për Shqiptarët, Arben Taravari
Gëzuar Kosovë Sovrane! Çmimi për lirinë tënde rëndon ende mbi qindra e mijëra familje shqiptare që humbën më të dashurit e tyre por…Gëzimi që kemi të gjithë tek të shohim të Lirë kështu si sot, është më i madh se çdo ndjenjë tjetër! Rrofsh e Qofsh ndër shekuj!
Partia Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi
Sot, kremtojmë guximin dhe përkushtimin e popullit të Kosovës në arritjen e pavarësisë. Ky është një moment historik që na frymëzon për të vazhduar përpjekjet për një Kosovë të bashkuar, të zhvilluar dhe të begatë. Urojmë që e ardhmja e Kosovës të jetë e mbushur me paqe dhe progres për çdo qytetar. Në emrin tim dhe në emër të Partisë Demokratike Shqiptare, Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Kosovë!, ka shkruar kryetari i PDSh Menduh Thaçi në urimin e tij.
Bajram Begaj, president i republikës së Shqipërisë
Urime Ditën e Pavarësisë, Kosovë! Nderim përjetë mijëra burrave dhe grave që sakrifikuan për lirinë e pavarësinë! Faleminderit të gjithë miqve e aleatëve tanë që janë krah teje! Gëzuar!
Edi Rama, kryeministër i republikës së Shqipërisë
Mirëmëngjesi Kosovë. Gëzuar pavarësinë dhe mbarësi gjithmonë.
Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër i RMV-së
Në këtë ditë të shënuar për Kosovën, kujtojmë sakrificën, qëndresën dhe krenarinë e një populli që për asnjë moment nuk u ndal në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë. Gëzuar këtë ditë të madhe për kombin tonë, me dashuri dhe respekt për vëllezërit dhe motrat tona kudo që janë!
Afrim Gashi, kryeparlamentar i RMV-së
Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës shpreh festën e çdo shqiptari, duke shënuar një rrugëtim të mundimshëm, por triumfues, drejt lirisë dhe pavarësisë. Si kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, e shfrytëzoj këtë mundësi për ta theksuar partneritetin dhe marrëdhëniet e shkëlqyera miqësore mes dy vendeve tona. Ndërtimi i shtetit të suskesshëm demokratik dhe integrimi i Kosovës janë betejat paqësore që qytetari kosovar meriton t’i fitojë! Urime 17 Shkurti i Pavarësisë së Kosovës!
Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa
Gëzuar Pavarësinë Kosovë. Sot festojmë një nga momentet më të rëndësishme të kombit tonë, ditën kur Kosova u bë e lirë, e pavarur dhe krenare! Kjo pavarësi nuk u fitua lehtë, por me sakrificën e shumë brezave që ëndërruan një Kosovë sovrane dhe të lirë. Nga Tetova, qyteti që gjithmonë ka qenë pranë Kosovës në çdo hap të saj, ndajmë jo vetëm histori të përbashkët, por edhe një të ardhme që do ta ndërtojmë bashkë, me më shumë bashkëpunim, zhvillim dhe përparim! Gëzuar 17 Shkurtin!
Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës
Kosova shtet, Republikë, është arritja më e madhe e jona. Është shpagim i përpjekjes së gjeneratave të tëra për çlirim e pavarësim; është mburojë e garantuar për të gjithë ata që vijnë.
Në këtë ditë nderojmë Atin Themeltar të kësaj Republike, Presidentitn Dr. Ibrahim Rugova prirja e së cilit – në orët tona më të rënda – dha dritë. Sot nderojmë gjithë luftëtarët, martirët e dëshmorët e luftës sonë çlirimtare, të Ushtrisë sonë Çlirimtare, nderojmë Familjen Jashari, sakrifica e të cilëve na qëndron si gurëthemel i vet lirisë. Nderojmë aleatët tanë, ata që bënë luftën me ne, bënë paqen me ne!
Në këtë përvjetor të 17-të, le të kujtojmë se dashurinë për pavarësi e shtet s’mund ta zhbëjë përplasja jonë e brendshme. Përplasja është e përkohshme, atdheu ynë është i përhershëm. Ky atdhe na thërret të vazhdojmë rrugëtimin secilën ditë!
Elisa Spiropalli, kryeparlamentare e Shqipërisë
Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Kosovë!