Të shohësh atë që mezi duket

    PËLLUMB NAKO 

    Gjithë projektorët e propagandës, gjithë artileria e partive më të mëdha të vendit, është natyrshëm e përqendruar reciprokisht te lidershipi madhor i të dyjave. Prej andej organizohen të gjithë analizat, po ashtu dhe parashikimet. Bëhet fjalë për një lidership ku kush më shumë e kush më pak, të gjithë kanë në politikë një të shkuar, një aksion në veprim e sipër dhe premtime për të ardhmen. Duke u bazuar tek e shkuara dhe aktet e tyre aktuale, e ardhmja rëndom paraqitet e zymtë. Këtë zymtësi e shprehin spontanisht individë të zakonshëm dhe kjo është e kuptueshme. Por kur aktivizohen edhe pena gazetarësh perfidë, problemi merr përmasa të tjera.

    Kjo, sepse zymtësia e trumbetuar për të ardhmen minon shpresën, krijon pasiguri dhe pasiguria hedh në erë guximin për ndryshim. Si përfundim më mirë gjendja ku jemi. Këtë lloj filozofie cinike e materializon në formën e saj më absurde një aktiviste e mirëpaguar kur deklaron se njerëzit largohen nga vendi sepse opozita nuk ngjall shpresa. Një pohim i tillë i shërben në formën më ideale gjendjes ku ndodhet vendi, duke treguar se kjo kategori ka pak ose aspak vullnet të hedhë vështrimin atje ku shfaqja e optimizmit është thuajse e padukshme, por me mesazhe me shumë të forta. Mjafton të shohësh më me vëmendje skenën momentalisht në periferi të vëmendjes publike për të parë shenja të gjalla shprese për një të ardhme perëndimore të vendit. Vërtet postdiktatura ka shënuar zhvillime të rëndësishme për vendin, të pakthyeshme, por këto dekada kanë shkaktuar edhe tragjedi. Madje, në disa drejtime, e keqja ka marrë forma më të sofistikuara. Ndaj dhe ndryshimi mezi çapitet.

    Duke lenë mënjanë lidershipin aktual të partive kryesore të vendit dhe të atyre më periferikë, këto kohë po përvijohen lëvizje politike të përfaqësuara nga breza më të rinj në moshë, që nuk kanë të kaluar, që kanë në proces një aksion agresiv politik dhe që premtojnë edhe ata për të ardhmen. Përveç tyre, shihen të aktivizohen të rinj, pjesë e formacioneve kryesore partike siç janë PS dhe PD. Pra, pavarësisht diskutimeve të shumta me sfond pesimist, në politikë vihen re edhe të rinj në moshë që për hir të vërtetës janë ende larg të qenurit vendimtarë në proceset politike të vendit. Dhe kjo është e natyrshme. Pjekuria sociale e Shqipërisë ende nuk arritur një standard rotacioni politik brezash në mënyrë të natyrshme. Ajo që duhet parë më me vëmendje janë pikërisht lëvizjet e reja dhe të rinjtë. Aty kërkohet më shumë dritë për të parë atë që nuk duket apo atë që mezi duket dhe që nuk përngjasojnë me atë çka ndodhur gjatë këtyre dekadave.

    Duke qenë në pushtet, të rinjtë socialistë kanë pak shanse të zhvillohen natyrshëm. Edhe eksperienca në këtë drejtim nuk është inkurajuese. Mjafton të kujtojmë këtu se me t’u integruar në Partinë Socialiste, lëvizja G99 mori me vete edhe të rinjtë e tjerë të kësaj force dhe prodhoi një grupim politikanësh, që aktualisht janë të djegur duke qenë në moshë ende të re. Pa përfshirë këtu edhe ata të katapultuar. Kjo sepse të rinjtë e këtij grupimi e të tjerë si ata ishin tërësisht prodhim inkubacioni, të pilotuar pa pasur asnjë lidhje me shtresat sociale që përfaqësojnë. Kjo mungese lidhjeje i ka bërë të pandjeshëm ndaj shtresave modeste të vendit, ndaj pritshmërive dhe preokupimeve të tyre. Trendi që ata ndërtuan dhe që më pas u kthye në moral ishte dhe është pasurim i shfrenuar, pushtet me çdo kusht, gjithçka e bazuar në shit-blerje.

    Fenomenet korruptive u sofistikuan. Në mënyrë të natyrshme, mungesa e ndjeshmërisë ndaj njerëzve të zakonshëm të shoqërisë shqiptare, e ktheu G99 dhe pasuesit e saj në një kastë të shkëputur, e cila shpejt e humbi kuptimin e realitetit. Ish-G99 e të rinj të tjerë si ata menduan se mund të bëjnë gjithçka dhe po ashtu gjithçka u lejohet. Korrupsioni dhe skemat e menaxhimit të parave publike prej tyre është i tillë, që edhe vetë mafiozët do të habiteshin. Për fat të keq, thuajse të njëjta tipare si G99 shfaqin sot edhe disa lëvizje politike të përfaqësuara nga të rinj në moshe. Me aftësi të dukshme për të artikuluar mendimin, të shkolluar mirë, ata gëlojnë nëpër ekrane televizive, denoncojnë gjithçka që është e gabuar, japin mendime se si mund të zgjidhen problemet. Por në tërësi karakterizohen nga një arrogancë në të folur, të dhunshëm në debate, pa risi në aksionin politik. Stil propagande të njëjtë me ata që anatemojnë. Në thelb nuk paraqesin për asnjë çast përulje e modesti.

    Madje, gati sa nuk thërrasin plot arrogancë se kjo klasë politike e sotme ka uzurpuar gjithçka (kjo është e drejtë) dhe kërkojnë që ajo të largohet e ata të vijnë vetëm sepse janë të rinj (katastrofike). Nuk mund të vijë dikush në pushtet vetëm sepse ka lindur më vonë në moshë dhe dikush të largohet sepse ka lindur më herrët. Duhet diçka tjetër. Dhe kjo diçka tjetër shihet te profili i disa të rinjve që militojnë plot modesti në opozitë, madje në radhët e PD-së. Prania e tyre është pikërisht ajo që duhet parë dhe që duket se nuk ka vullnet për t’u parë. Këta të rinj si Andi Mustafaji, Tedi Kopliku e të tjerë anëtarë të forumit rinor “Brain Gain” shfaqin një profil politik tipik perëndimor. Daljet e tyre publike karakterizohen nga qytetari dhe modesti, të ka kohë që mungojnë nëpër ekrane. Ngritja politike që ndjekin duket pastër se është një proces sprove, farkëtimi cilësish, larg katapultimit nga anonimati në star dhe anasjellas. Ndryshe nga të rinjtë, pjesë e lëvizjeve të reja politike, këta politikanë të së ardhmes kanë tashmë avantazhin e pasjes së një baze solide në terren të militantëve të PD-së.

    Ata rriten duke qenë pjesë e tyre dhe pikërisht aty spikasin dhe aty kthehen në përfaqësues të tyre. Hapat politikë ata po i hedhin në lagje, te militantët e saj. Sepse aty fillohet, aty krijohet besimi, aty evidentohet lidershipi. Zhvillimi i identitetit të politikanit në kushte të kësaj natyre kryhet në formën e rrathëve koncentrikë që sa vijnë e zgjerohen duke kaluar nga lagja, në rang vendi. Pasi dalin nga kuadri i militantëve, këta të rinj i sheh të futen në kontakt me banorët e lagjes, duke folur me ta, duke i dëgjuar me modesti, proces ky i domosdoshëm për të kuptuar kontekstin ku janë vendosur, ku ndodhen dhe ku do të veprojmë. Më pas i sheh kur bashkë me banorët të denoncojnë problemet shqetësuese në përditshmërinë të tyre. Moment ky kur shqetësimet e qytetarit kthehen në shqetësim i tyre.

    Aty fillojnë e të bëhen zëdhënës, përfaqësues të një shtresa që ka nevojë për ta. Në vazhdim i sheh duke punuar me qytetarët për t’i bindur të marrin pjesë në manifestimet e protestës. Sigurisht ata janë edhe në protesta, por ende jo në tribunë. Dhe kjo është gjë e mirë. Ata nuk mungojnë të jenë të pranishëm edhe nëpër studio televizive ku në diskutimet që bëjnë nuk shfaqin arrogancë, por argumente të qarta politike të mbështetura në njohjen e përditshmërisë së terrenit. Nuk mungojnë as rastet kur si protagonistë ata organizojnë forume politike me të rinj të tjerë. Gjithçka e fillojnë me këmbë në tokë në kontakt me njerëzit. Nuk duhet harruar fakti se shumica e këtyre të rinjve kanë një shkollim perëndimor solid dhe asnjëri syresh nuk ulëret nëpër podiume se ka oferta jashtë vendit, por ka refuzuar se kërkoj të jetojnë në Shqipëri. Opozitës i duhet të shtojë akoma më shumë rreshtat me aktivistë politikë të këtij profili që ushqen shpresë. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Kriza e çokollatës – Magazina bosh të kakaos, pa furnizim

    Lajmi i rradhës

    Pavarësia e Kosovës – rrëfimi i një shprese dhe lufte për liri

    Lajme tjera

    FJALA SHQIPE

    Eroll Sejdiu | Gjuhëtar Gjuha standarde shqipe është bërë një gjuhë “artificiale” jo aq nga përdorimi i fjalëve…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë