Në prag të zgjedhjeve lokale të 19 tetorit, partitë politike në vend po hyjnë në një fazë vendimtare të pazareve dhe pozicionimeve. Prej muajsh në opinion është folur për mundësinë që Partia Demokratike Shqiptare e drejtuar nga Menduh Thaçi t’i bashkohet qeverisë së kryeministrit Hristijan Mickoski, por këto zëra tashmë janë shuar. Vetë Thaçi doli publikisht dhe konfirmoi se PDSH-ja nuk do të bëhet pjesë e pushtetit, duke theksuar se partia e tij nuk ka asnjë pikë të përbashkët me qeverinë aktuale.
“Muajt e fundit ka pasur më shumë intensitet të bisedave, mos ti quaj bisedime, duke kërkuar të dy palët pikat e përbashkëta mes kësaj qeverie dhe Partisë Demokratike Shqiptare. Më në fund erdhëm në përfundim se ne asnjë pikë të përbashkët nuk e kemi. Kështu që, me lejoni të konstatojë se kjo çështje sot edhe zyrtarisht mbyllet, unë nuk mund t’ua mbyll gojën tjerëve, por pozicionet e PDSH-së janë këto. Ne edhe pse kemi treguar dëshirë për konstruktivitet, kemi ardhur në përfundim se nuk kemi asgjë të përbashkët me politikën e kësaj qeverie dhe nuk do të kemi”, theksoi kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi. Më tej, Thaçi njoftoi edhe për qëndrimet e partisë së tij për atë se si do të pozicionohet në zgjedhje lokale. Ai njoftoi se bisedimet me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti kanë dështuar, duke lënë të nënkuptohet se një koalicionim i partisë së tij me Besëlidhjen Aleanca Kombëtare për Integrim është i pamundur. Gjithsesi, Thaçi tha se vendimin do ta merr Kuvendi Qendror i partisë, që pritet të mblidhet të diellën.
“Shumë shpejtë, ma merr mendja të dielën, Kuvendi Qendror i partisë sonë do të merr vendime të sakta, me konkluza për të ardhmen. Me keqardhje mund të konstatojë se edhe bisedimet me y. Ahmeti kanë dështuar. Kështu që do të keni mirëkuptim, sot mos të jap shumë imtësi, derisa këto qëndrime nuk verifikohen edhe nga organet e partisë. Mendoj se ditën e diel do të kemi një takim të gjatë, ku do të bashkëbisedojmë dhe do të marrim vendime për veprimet e mëtejshme të partisë sonë”, theksoi Thaçi.
Kujtojmë se në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të vitit paraprak, partia e Menduh Thaçit ishte pjesë e Frontit Evropian, ndërsa kjo parti braktisi këtë koalicion, disa muaj pas formimit të qeverisë. Në këto zgjedhje lokale pjesë e Frontit Evropian apo Aleancës Kombëtare për Integrim nuk do të jetë as Partia Demokratike Turke e Maqedonisë. Nga kjo parti theksojnë se do të dalin me kandidatë të vet në komunat ku jetojnë kryesisht qytetarë turq. “Në përputhje me vullnetin e qartë të shprehur të popullit, është marrë edhe vendimi për të dalë nga koalicioni ‘Fronti Evropian’. Me këtë hap forcojmë pozicionin tonë politik të pavarur dhe konfirmojmë vendosmërinë tonë për t’i shërbyer drejtpërdrejt popullit, pa ndërmjetës dhe pa kompromise që do të dobësonin misionin tonë. Partia Demokratike e Turqve të Maqedonisë mbetet roje besnike dhe konsekuente e interesave të komunitetit turk”, thuhet në njoftimin e partisë.
MICKOSKI: JEMI AFËR MARRËVESHJES ME ZNAM-in
Ndërkohë, edhe partitë në pushtet po vazhdojnë negociatat për koalicionime në zgjedhje lokale. Kryeministri dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski njoftoi se bisedimet kanë rifilluar pas pushimit veror që kishte qeveria, ndërsa bëri të ditur se një vendim konkret pritet të merret shumë shpejtë.
“Jemi shumë afër marrëveshjes për mbështetje të kandidatëve të ZNAM-it në komunë të Qendrës dhe Kumanovës. Nuk mund ta them se kemi vendim përfundimtar, por jemi shumë afër marrëveshjes. Në atë drejtim matim edhe disa komuna, bëhet fjalë për diku 2-3 komuna, për të parë nëse në ato komuna kandidati i ZNAM-it apo i VMRO-DPMNE-së gëzon më shumë mbështetje dhe jam i bindur se në fund do të arrijmë marrëveshje për mbështetje të përbashkët të kandidatëve për kryetar komunash. Sa i përket listave për këshilltarë, VMRO-DPMNE do të ketë lista të veta, ndërsa partia politike ZNAM do të ketë lista të veta”, theksoi Mickoski.
333 MEDIA JANË REGJISTRUAR PËR REKLAMA POLITIKE PËR ZGJEDHJET LOKALE
Ndërkohë, deri te Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, në afatin e parashikuar (tre ditë nga shpallja e zgjedhjeve) për reklamim politik të paguar për zgjedhjet lokale të 19 tetorit janë paraqitur 333 media, por nga Komisioni theksojnë se lista nuk është përfundimtare, pasi kërkesat janë duke u verifikuar dhe gjithashtu sonte në mesnatë skadon afati për dorëzimin e çmimeve. Sipas Afatit të KSHZ-së, çmimet duhet të konfirmohen dhe të publikohen në faqen zyrtare të KSHZ-së më së voni më 24 gusht. Sipas informacioneve të MIA-s, më së shumti janë paraqitur portalet informative – 257, ndërsa jashtë afatit këtë e kanë bërë katër portale. Brenda afatit janë paraqitur edhe 43 stacione radio, 33 televizione dhe tetë media të shtypura.
Nga KSHZ sqarojnë se këto kërkesa i nënshtrohen kontrollit nga shërbimet e Komisionit, prandaj numri nuk mund të konsiderohet përfundimtar. Ata shpjegojnë se mediat e shtypura dhe mediat elektronike janë të obliguara t’i dorëzojnë çmimet për reklamimin e paguar te KSHZ-ja, Enti Shtetëror i Auditimit dhe Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KShPK) brenda pesë ditëve nga dita e shpalljes së zgjedhjeve, ndërsa radiodifuzerët duhet t’i dorëzojnë te ASHMAA-ja, KSHZ-ja, ESHA-ja dhe KShPK-ja brenda pesë ditëve nga dita e shpalljes së zgjedhjeve, më së voni më 14 gusht, në orën 24:00. Ky afat, theksojnë nga KSHZ, ende është në fuqi.
“KSHZ-ja është e obliguar t’i konfirmojë dhe t’i publikojë në faqen e saj zyrtare çmimet e dorëzuara me çmimet mesatare të llogaritura të përcaktuara nga radiodifuzerët dhe mediat e shtypura, si dhe të publikojë çmimet e përcaktuara nga mediat elektronike (portalet), në përputhje me nenin 75-g paragrafët (3) dhe (9) të Kodit Zgjedhor, brenda 10 ditëve nga skadimi i afatit për dorëzimin e çmimeve, më së voni më 24 gusht. Duke pasur parasysh sa u tha më lart, theksojmë se lista në tabelë nuk është përfundimtare, informojnë nga KSHZ. /Koha/






