Pendarovski: Rreziku më i madh nuk janë vetë krizat, por qëndrimi ndaj tyre

    Këtë vit na duhet më shumë se një vizion për përparimin e atdheut tonë të përbashkët, diçka që zakonisht e ofrojnë samitet e “Maqedonia 2025”. Në këto kohë të paparashikueshme, suksesi i ekonomisë së Maqedonisë do të varet jo vetëm nga faktorët e jashtëm të cilët nuk mund të ndikojmë, por mbi të gjitha nga përkushtimi për reforma të brendshme, tha presidenti Stevo Pendarovski në përmbylljen e Samitit të “Maqedonia 2025” joqeveritare që pardje dhe dje u mbajt në Shkup.

    “Kur njerëzit pushojnë së besuari se mund të ndryshojnë diçka, ata thjesht pajtohen me fatin. Rreziku më i madh nuk janë vetë krizat, por qëndrimi ndaj tyre. Dilema është nëse do të kërkojmë zgjidhje apo do të kënaqemi me një vijë më të ulët të rezistencës pas ngjarjeve, tha Pendarovski.

    Ai theksoi se rezistenca ndaj krizave nuk është vetëm materiale por edhe mendore.

    “Nëse duam ta zëvendësojmë pafuqinë kolektive me shpresën kolektive, do të duhet të arrijmë drejt burimit kyç, ndërsa ky është vullneti. “Maqedonia 2025″ që nga fillimi i saj e deri më sot ka arritur të ndihmojë biznesin e Maqedonisë të kapërcejë disa kriza kombëtare dhe globale, të frymëzojë gjenerata të reja të liderëve të biznesit, të tërheqë investitorë të shumtë të huaj dhe të ruajë shpresën se mund ta ndryshojmë realitetin pavarësisht nga konteksti”, theksoi Pendarovski.

    Me një besim të tillë, siç tha, në fillim të mandatit të tij e inicioi kornizën zhvillimore “MKD 2030” si platformë e përbashkët për vizion afatgjatë për zhvillimin dhe të ardhmen e vendit.

    “Qëllimi ishte ndërtimi i konsensusit kombëtar partiak për prioritetet e nevojshme për rritje të përshpejtuar dhe jetë më të mirë të qytetarëve. Ne e nisëm projektin në kushte shumë më të favorshme se ato aktuale para pandemisë, në një kohë kur po përfundonte integrimi ynë në NATO dhe kur perspektiva evropiane dukej shumë më e afërt”, tha kreu i shtetit.

    Tani, pas tre vjetësh, shtoi ai, bota duket dramatike.

    “Pandemia shkaktoi një recesion global, krizë energjetike dhe goditje çmimesh në tregjet globale. Në vitin 2024, ekonomia globale do të jetë të paktën 2.3 për qind më e vogël se sa do të ishte pa pandeminë. Pushtimi rus i Ukrainës ka çuar gjithashtu në një krizë evropiane të energjisë dhe ushqimit. Në të njëjtën kohë, përballemi me bllokada të integrimeve evropiane dhe me emigrim të të rinjve, tha Pendarovski.

    Ai tha se ishte një sfidë e madhe për të formuluar një kornizë strategjike për zhvillim përballë krizave të paparashikueshme dhe goditjeve gjeopolitike. Megjithatë, shtoi ai, një nga urtësitë tona të vjetra thotë – çdo e keqe për të mirë.

    “Prandaj, besoj se është mirë që po përgatisim “MKD 2030” që tani sepse në atë mënyrë e kalibrojmë kornizën zhvillimore duke marrë parasysh skenarët më të errët dhe parashikimet më pesimiste, tha Pendarovski dhe shtoi se sa më shumë një vizion të bazohet në realitet, aq më të mëdha janë shanset që do të jenë në gjendje të ndryshojnë realitetin.

    Në dokument, siç tha ai, janë katër prioritete zhvillimore, nga të cilat i pari është rritja ekonomike të jetë së paku 5 për qind në vit, e dyta është kalimi në të ashtuquajturën ekonomi të gjelbër, i treti është digjitalizimi dhe i katërti prioritet është arsimi dhe zhvillimi gjithëpërfshirës.

    Nëse do t’u përmbahemi atyre, jo vetëm do ta kapërcejmë këtë periudhë të turbullt me ​​më pak humbje, por do të krijojmë kushte për zhvillim të qëndrueshëm në të ardhmen.

    “Pres që “Maqedonia 2025″ së bashku me institucionet shtetërore dhe sektorin civil, akademinë dhe komunitetin e biznesit të jenë pjesë jetike e kësaj sipërmarrjeje madhore kombëtare për të krijuar një shpresë kolektive për një të nesërme më të mirë. Pajtimi me fatin nuk është një opsion. E ardhmja jonë më e mirë varet vetëm nëse do të arrijmë një konsensus kombëtar për këto çështje dhe nëse do ta respektojmë atë,” tha Pendarovski.

    Lajmi Paraprak

    Bush ngatërron Ukrainën me Irakun – pastaj thotë diçka me të cilën qeshën të gjithë (Video)

    Lajmi i rradhës

    Zelensky: Donbasi është shkatërruar plotësisht

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë