Pensionistët në RMV ‘kushtojnë’ gjithnjë e më shumë!

    Pensionist, Tetovë / Fotografia: Nistori

    Fondi i Sigurimeve Pensionale ka zbuluar planet e tij dhe ka njoftuar shpenzime rekord për tre vitet e ardhshme. Buxheti për vitin 2026 do të rritet në 2.4 miliardë euro, në vitin 2027 do të kalojë shifrën prej 2.5 miliardë eurosh dhe në vitin 2028 do të arrijë në 2.7 miliardë euro. Arsyeja për këtë rritje të shpenzimeve është rritja e numrit të pensionistëve për çdo vit. Parashikimet e bëra nga Fondi Pensional për tre vitet e ardhshme tregojnë se do të ketë më shumë pensionistë, dhe për këtë arsye nevojitet një buxhet më i madh që Fondi të jetë në gjendje të paguajë pensionet në kohë.

    Në vitin 2026 do të ketë 351.676 përfitues, në vitin 2027 numri do të rritet në 355.193 dhe në vitin 2028 do të arrijë në 359.100, numri i pensionistëve në Maqedoninë e Veriut, shkruan gazeta Koha.

    Me buxhetin për vitin 2025, para ribalancit, ishin planifikuar gjithsej 1.715 miliardë euro për pensionet e paguara nga Fondi Shtetëror i Sigurimeve Pensionale, ndërsa me ribalancin (versioni i dokumentit nga Kuvendi) shuma u rrit në 1.731 miliardë euro. Vetëm për krahasim, në vitin 2019, në vend u shpenzuan 915.8 milionë euro për pagesat e pensioneve.

    Përveç pensioneve në arkën e Fondit Pensional, zëra të mëdhenj janë edhe alokimet për kujdesin shëndetësor dhe fondet private të pensioneve.

    Maqedonia është përballur me sfida demografike për vite me radhë, përkatësisht plakjen dhe emigrimin e popullsisë, gjë që ka çuar në një rritje të numrit të pensionistëve, pra popullsisë joaktive, dhe një rënie të numrit të të punësuarve. Konkretisht, në maj të këtij viti, numri i pensionistëve në vend ishte 344.796 persona, që është një rritje e konsiderueshme krahasuar me vitin 2015, kur kishte 301.728 përfitues pensionesh.

    Në planin strategjik të Fondit Pensional për dy vitet e ardhshme, trendi i rritjes së shpenzimeve është në rritje, dhe me të do të rritet edhe mbështetja buxhetore për mbulimin e deficitit. Konkretisht, në vitin 2026, siç shkruhet, shpenzimet për pensionet rriten në 1.92 miliardë euro, ndërsa në vitin 2027 do të kalojnë dy miliardë euro.

    Nga ana tjetër, edhe pensioni mesatar gjithashtu do të rritet dhe pritet që ai në dhjetor 2026 të arrijë në 27.522 denarë, që është 3.85 për qind më shumë se në vitin 2025. Të dhënat e reja për qershorin, të publikuara nga Fondi i Sigurimit Pensional, tregojnë se nuk ka pension më të ulët se 18.192 denarë. 

    Pensioni mesatar, megjithatë, është 26.207 denarë. Sipas të dhënave të qershorit, 91.659 përfitues të pensioneve, ose 26.5 për qind e të gjithë pensionistëve (346.395), marrin pensione minimale. Këto janë pensione deri në 21.909 denarë, të cilat i marrin më shumë se një e katërta e pensionistëve.

    Një pension prej 18.852 denarë është pensioni minimal që e marrin numri më i madh i përfituesve, gjithsej 53.600, ose 15.5 për qind e të gjithë pensionistëve .

    Në të ardhmen, sfidë për ekonominë dhe sistemin pensional do të mbetet rritja e punonjësve që paguajnë kontribute në Fondin Pensional, apo ulja e ekonomisë informale dhe kalimi për çdo vit, se vjen e më shumë i të punësuarve nga ekonomia gri në ekonominë formale. Kjo duke marrë parasysh faktin se Fondit Pensional për vitin 2025 dhe 2026 i alokohen mjete që në përqindje arrijnë në 37-38 për qind të pagesave totale për pensione,që është një barrë e madhe për arkën e shtetit.

    Raporti i Revizionit të shtetit tregon se në dhjetor 2023, numri i personave të siguruar ishte 573.372 persona, ndërsa numri i pensionistëve është 337.814 persona, pra raporti pensionistë/persona të siguruar ishte 1:1.70 dhe është një rënie e lehtë krahasuar me vitin 2022 kur ishte 1:1.71. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Uniformat në maqedonisht, ShBA kujton Marrëveshjen e Ohrit

    Lajmi i rradhës

    EShS, çmimet rrisin qarkullimin, jo edhe konsumin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë