PËR NJË ORË E GJYSMË NË TIRANË! Dibranët gjatë vikendeve përmes Rrugës së Arbrit

    Rruga e Arbrit e cila u ndërtua nga Qeveria shqiptare ka ndryshuar dukshëm frekuentimin të dibranëve për të kaluar vikendet jashtë Dibrës. Rruga në fjalë e cila ka një karakter mbarëkombëtar është një mundësi e madhe edhe për zhvillimin të krahinës së Dibrës por edhe qytetit të Dibrës. Këtë e pohojnë udhëheqësit vendor, biznesmenët por edhe qytetarët në përgjithësi. Rruga në e cila ka afruar tani më qytetin e Dibrës me Tiranën për 1 orë e 30 minuta është një garancë e mirë që dibranët në kontinuitet të vizitojnë kryeqytetin shqiptar por edhe qytete të tjera bregdetare sidomos Durrësin. Gjallëria sidomos në këtë rrugë është gjatë vikendeve meqë një pjesë e madhe e dibranëve vikendet i kalojnë tek të afërmit e tyre në Tiranë por edhe në qytetin bregdetar të Durrësit. Në krahasim me të kaluarën kur dibranët vikendet i kalonin kryesisht në Strugë, Ohër, Mavrovë etj, me ndërtimin e Rrugës së Arbrit dy vitet e fundit drejtimi i dibranëve është Tirana dhe Durrësi.

    Në vendkalimin kufitar “Bllatë”, në kufirin të RMV-së dhe Shqipërisë në afërsi të Dibrës ka frekuentim të lartë, por frekuenca është disa herë më e madhe e gjatë vikendeve. Biseduam me disa bashkëqytetar të cilët ditën e shtunë udhëtonin në Shqipëri. Besim. O. na tha se pothuajse dy herë në muaj nga vendkalimi kufitar i Bllatës nëpërmjet rrugës së Arbrit udhëton me familjen katër antarëshe në Tiranë ku ka të afërmit e tij. “Kam shumë të afërm të mi të cilët jetojnë në rrugën e Dibrës. Jemi të një trungu familjar dhe ata i vizitoj gjatë udhëtimit tim në Shqipëri. Në rrugën e Dibrës jeton kryesisht komuniteti dibran i cili është shpërngulur nga Dibra gjatë masakrave serbe 1913. Ardhja ime në Tiranë ka të bëjë edhe me blerjen të produkteve të ndryshme si dhe gardërobë”, thotë Besimi.

    Në vendkalimin kufitar “Bllatë” takuam edhe anëtarët e familjes Klloboçishta. Ata na thanë se me përmirësimin e kohës pothuajse çdo vikend udhëtojnë nëpërmjet rrugës së Arbrit në qytetin turistik të Durrësit. Familja ka edhe banesën e vet të cilën e ka blerë para pesë viteve. Nga ky vendkalim kufitar udhëtojnë shumë dibranë. Dy vitet e fundit në krahasim me situatën aktuale dibranët për në Shqipëri udhëtonin kryesisht nga vendkalimi kufitar i Qaf Thanës. Tani duke marr parasysh afërsinë të Tiranës me Dibrën me ndërtimin e rrugës në fjalë e cila është më e shkurtër mbi 70 kilometra kryesisht udhëtimet bëhen nëpërmjet vendkalimit kufitar “Bllatë”. Në lidhje me domethënien e kësaj rruge me kënaqësi shprehen edhe biznesmenët dibran.

    Sipas tyre shkëmbimi i mallrave bëhet nëpërmjet këtij vendkalimi por për shkak të mungesës së terminalit pjesa më e madhe e tyre bëhet nëpërmjet vendkalimit kufitar Qafa e Thanës meqë terminali është në Strugë. Biznesmenët dibran disa herë kanë kërkuar nëpërmjet Odave ekonomike që veprojnë në Dibër të ndërtohet terminal në afërsi të Dibrës dhe harxhimet për transport të mallrave do të jenë shumë më të vogla, meqë rruga e Arbrit mundëson atë. Edhe kompanitë për transport të udhëtarëve thonë se rruga e Arbrit dukshëm ka përmirësuar buxhetin e tyre. Tani kompanitë të transportit në Dibër pothuajse çdo ditë transportojnë udhëtarë në drejtim të Tiranës, Durrësit dhe qyteteve të tjera bregdetare të Shqipërisë edhe atë nëpërmjet rrugës së Arbrit. Kërkesat janë shumë të mëdha, thotë pronari i kompanisë “Unik turist”, Azem Ballanca.

    Ai shton se tani meqë funksionon rruga e Arbrit edhe shumë dibran realizojnë udhëtimet e tyre ajrore për në shtete të Evropës por edhe në SHBA nga aeroporti i Tiranës. Odat ekonomike që veprojnë në Dibër thonë se rruga e Arbrit garanton edhe një zhvillim të përshpejtuar të Dibrës sidomos në sferën e turizmit dhe zhvillimin e bizneseve. Kohëve të fundit edhe banorët të Shkupit, Tetovës dhe Gostivarit për në Shqipëri udhëtojnë nga Dibra e jo nga Struga. Shkurtimi i rrugës për në kryeqytetin shqiptar është joshës për të gjithë shtetasit e vendit tonë për të udhëtuar në qytete të ndryshme të Shqipërisë nëpërmjet rrugës së Arbrit. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Jankullovski ka marrë 100 mijë denarë shtesë rroge si rektor – çfarë thonë kandidatët për pasardhës të tij për këtë shumë?

    Lajmi i rradhës

    PAGAT LARG MESATARES / Dikush lakër dhe oriz, dikush mish!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë