Për shumicën e qytetarëve druri mbetet alternativë e vetme për ngrohje

    Për shkak të rritjes të çmimit të rrymës elektrike sigurimi i drurit për nxehje aktualisht sigurohet në Dibër me shumicë. Mbi 80 për qind e dibranëve pritet që këtë dimër të ngrohen me dru, përqindje e cila ka një rritje të madhe në krahasim me vitet e tjera kur një pjesë tjetër e popullatës ngrohej me pelete dhe rrymë elektrike. Por, sigurimi masiv i drurit për ngrohje kohëve të fundit ka shkaktuar probleme të shumta me lëvizjen e qytetarëve por edhe automjeteve të tyre në shumë pjesë të qytetit.

    Pjesa më e madhe e rrugëve dhe rrugicave të Dibrës janë përplot me drunë. “Në krahasim me vitet më parë kur pas furnizimit të drurit për nxehje, qytetarët bënin prerjen e tyre dhe vendosjen e tyre nëpër oborret dhe objektet e tjera sekondare, këtë vit sidomos gjatë sezonit veror, drunjtë lihen para shtëpive me çka në një pjesë të madhe bllokohet edhe frekuentimi i personave dhe automjeteve. Kjo dukuri shqetëson dibranët meqë ka raste kur drunjtë janë siguruar qysh në muajin prill apo maj dhe akoma janë para shtëpive. Për këtë problem është debatuar edhe në një seancë të këshillit të Komunës Dibër. Një pjesë e këshilltarëve me të drejt kanë kërkuar nga organet kompetente komunale që kjo situatë të mos tolerohet. Inspektorët komunal duhet të jenë në terren meqë pothuajse në çdo rrugë dhe rrugicë në vendbanimet “Venec 1”, “Venec 2”, “Konjar”, por edhe në pjesët qendrore të qytetit ka sasi të mëdha të druve .

    Këshilltari Shkëlqim Xhafa ka kërkuar nga autoritetet komunale që menjëherë të ndërmarrin aktivitete që pronarët e druve të mos zënë hapësirat publike për ti mbajt drutë për ngrohje me muaj para shtëpive të tyre.

    Të njëjtin reagim e kanë patur edhe këshilltarët e tjerë të cilët thanë se angazhimi i inspektorëve komunal duhet të jetë i shpejtë dhe me një dinamizëm të veçantë. Ata thonë se e kanë të qartë nevojën për të siguruar dru për sezonin dimëror, por pas sigurimit druve që bëhet kryesisht nga ndërmarrja publike shtetërore “Pyjet e Maqedonisë”, Njësia Stogovë Dibër, drutë duhet të shkarkohen brenda oborreve dhe jo rrugëve të qytetit. Duhet theksuar edhe faktin se problemi ka qenë veçmas i theksuar meqë në Dibër gjatë gjithë sezonit veror prezent kanë qenë edhe një numër shumë i madh i mërgimtarëve të cilët poashtu ashpër kanë kritikuar prezencën e druve të cilët në shumë raste kanë bllokuar tërësisht lëvizjet me automjete.

    Këtë vit sipas të dhënave të njësisë të ndërmarrjes shtetërore “Pyjet e Maqedonisë”- Stogova Dibër ka një dyfishim të sasive të druve të cilët janë kërkuar nga ana e qytetarëve. Drejtori i ndërmarrjes Rami Lata thotë se për shkak të çmimeve të rrymës elektrike dibranët i kthehen drurit për ngrohje në sezonin dimëror. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Përdorimi i celularit më i rëndësishëm se siguria gjatë ecjes

    Lajmi i rradhës

    Rreth 255 mijë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme nisin sot vitin e ri shkollor

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë