Përfundon hetimi doganor për “Besa Trans”, të gjithë autobusët pa leje transporti

    Nga hetimi i Doganës rezultoi se të gjithë autobusët e Besa Transit, që kalonin transit drejt Stambollit ishin pa leje transporti pasagjerësh. Kështu kanë bërë të ditur për Alsat nga Dogana, pas përfundimit të hetimeve që u hapën pas tragjedisë që ndodhi në Bullgari ku u dogj autobusi i Besa Transit dhe humbën jetën 45 pasagjerë.

    “Është konstatuar se 5 automjete (autobusë) nuk janë regjistruar në Modulin për lejet e transportit, të Sistemit Informativ, për përpunimin e të dhënave në formë elektronike dhe nënshkrim elektronik gjatë procedurave të importit, eksportit dhe transitit (EXIM)”, njoftojnë nga Drejtoria e Doganave.

    Në udhëtimin e tyre të fundit, autobusët u larguan nga vendi më 18 nëntor për të transportuar pasagjerë në Stamboll dhe anasjelltas. Ata kaluan kufirin pa problem edhe pse nuk kishin dokumente. Por, nga hetimet nuk u konstatua se doganierët i kanë lëshuar autobusët për ryshfet.

    “Nga hetimi nuk u konstatua asnjë element, që tregon për sjellje korruptive të doganierëve”, thonë nga Drejtoria e Doganave.

    Dy doganierë u pezulluan dhe udhëheqësi i tyre u dënua për autobusin e djegur, i cili udhëtonte pa leje transporti për pasagjerë, dhe që kishte kaluar kufirin 135 herë. Ndaj tre punonjësve të Doganës vazhdojnë procedurat disiplinore. Dogana këto të dhëna nga hetimi ia ka dërguar Prokurorisë Publike, e cila ende po kryen hetimet paraprake për veprimtarinë e “Besa Trans”, së cilës i është hequr licenca. Në Bullgari, nga ana tjetër, sipas hetimeve të prokurorisë, fajtor për tragjedinë është shoferi, i cili po lëvizte me shpejtësi pavarësisht kushteve të këqija të rrugës, gjatë së cilës humbi kontrollin e autobusit. Tragjedia me autobusin e “Besa Transit” ka ndodhur më 23 nëntor të vitit të kaluar. Autobusi mori flakë, dhe u dogjën 45 persona, ndërsa 7 persona mbetën të lënduar. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Pentagoni paralajmëron pasoja tragjike në Ukrainë, nëse Moska i shmanget diplomacisë

    Lajmi i rradhës

    “Aksidentet fatale”, protesta kundër dhunës në trafik

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë