Përgjysmohet fondi për Teatrin dhe Bibliotekën e Tetovës

    Buxheti për financimin e Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës për vijimin e punimeve për vitin e ardhshëm është dyfish më i vogël sesa është deklaruar sipas dinamikës së pagesës për fazën e dytë të projektit. Sipas parashikimeve – planifikohej që në vitin 2023 fondi që do të ndante Ministria e Kulturës do të ishte 330 milionë denarë, ndërsa në projektbuxhetin e publikuar të Qeverisë për vitin 2023, kjo shumë është reduktuar në 145 milionë denarë.

    Sa i takon zërave të tjerë, buxheti për financimin e aktiviteteve në kulturë për vitin e ardhshëm do të jetë më i lartë se këtë vit (mbi 180 milionë denarë), ku zërat si Muzikë, Film, Trashëgimi, Folklor, Drama…, do të përfitojnë më shumë sesa të tjerat për realizmin e aktiviteteve. Ndërsa buxhet më të vogël sesa viti i kaluar do të kenë veprimtaria muzeore, Mirëmbajtja e pajisjeve dhe objekteve në sferën e kulturës (100 milionë denarë më pak), Artet vizuale.

    Me buxhet thuajse të pandryshuar do të mbeten Trashëgimia në rrezik, Mbështetja e kuadrove deficitarë, të rinjve…. Në draft-propozimin e Buxhetit të Qeverisë për vitin 2023 si prioritete për MK janë vendosur vijimi i procesit të decentralizimit, miratimi i ligjit për kulturën (me interes publik), Ligjit për Trashëgiminë, të drejtat e autorit…

    “Duhet që plotësisht të përfundojë ndërtimi i Teatrit në Strumicë, vijimi i punimeve në Teatrin dhe Bibliotekën e Tetovës, Teatrin Turk, rikonstruktimi i qendrave të kulturës…., po ashtu si prioritet kryesor mbetet mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe realizimi i proceseve eurointegruese në resorin e kulturës”, thuhet ndër të tjera në dokumentin që duhet të miratohet na Parlamenti. Buxheti për vitin e ardhshëm, sipas deklarimeve të ministres pak kohë më parë, ndër të tjera do të fokusohej tek sigurimi i rrogave të punonjësve në kulturë, i fondit për likuidimin e faturave të energjisë elektrike. Kjo për shkak të pezullimit të disa institucioneve kryesore të kulturës gjatë muajve të kaluar për shkak të borxheve të grumbulluara të energjisë elektrike.

    Buxheti i vitit 2022 u miratua në vlerën 3.85 miliardë denarë (mbi 62 milionë euro), ose 10 milionë euro më shumë sesa një vit më parë. E llogaritur në përqindje kultura mori 1,49 nga buxhetit i përgjithshëm. Investimet kapitale kapën shifrën 10 milionë euro, ndërsa për projektet me interes nacional u ndanë 17 milionë euro. Por ky buxhet u reduktua me 30 për qind me rebalancin e muajit korrik, për shkak të situatës së vështirë financiare. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Vlerat e rralla të arrorëve për shëndetin

    Lajmi i rradhës

    Helena e Trojës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë