Përmes financimit të eksportit deri te rritja ekonomike

    Për rritje të qëndrueshme ekonomike në Kosovë, rritja e prodhimit dhe investimet kapitale janë kyçe.

    Pa to, ekonomia e Kosovës nuk do të jetë as e qëndrueshme, as me tendenca stabile të rritjes, thonë njohës të kësaj fushe.

    Për më tepër, këtë e vërteton edhe një raport i rregullt i Bankës Botërore, i publikuar më 4 prill, i cili vlerëson se rritja ekonomike në Kosovë, këtë vit, nuk do të jetë më shumë se 4 për qind – krahasuar me 7 për qind, sa ka qenë në vitin 2021.

    Sipas Bankës Botërore, në shifrën e vitit të kaluar ka ndikuar rritja e konsumit privat. Këtë vit, parashikimet janë në rënie, sidomos për shkak të luftës në Ukrainë, e cila ka shkaktuar rritje të inflacionit global dhe çrregullime në furnizimin e tregjeve.

    Sektori i prodhimit në Kosovë, me gjithë potencialet që mund t’i ketë, mbetet i pazhvilluar. Kosova i importon gati të gjitha produktet.

    Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vlera e produkteve të importuara në muajin mars ka qenë 493.9 milionë euro, ndërsa e produkteve të eksportuara 88.6 milionë euro.

    Në raportin e saj, Banka Botërore thotë se Kosova duhet t’i trajtojë urgjentisht kufizimet që lidhen me rritjen e prodhimit, në mënyrë që të sigurojë rritje më të shpejtë dhe më gjithëpërfshirëse ekonomike.

    Qasja e kufizuar në financa

    Sipas Arian Zekës, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, kufizimet që përmend Banka Botërore, lidhen me kapacitetin e bizneseve për huamarrje.

    Zeka thotë se bizneset kanë qasje të kufizuar në financa.

    “Institucionet e vendit duhet të dizajnojë masa efektive, të cilat lehtësojnë qasjen në financa për prodhuesit kosovarë, në mënyrë që ata t’i zgjerojnë kapacitetet e tyre”, thotë Zeka.

    Bizneset në Kosovë nganjëherë arrijnë të sigurojnë grante, por kryesisht marrin kredi.

    Deri në muajin shkurt, vlera e kredive të dhëna nga bankat e Kosovës ka arritur në mbi 3.8 miliardë euro. Nga kjo shumë, afro 2.5 miliardë euro janë kredi për korporata e biznese, tregojnë të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

    Për marrjen e një kredie, bankat komerciale në Kosovë kanë kritere të caktuara, të cilat përfaqësuesit e bizneseve shpesh i cilësojnë si të ashpra.

    Sipas BQK-së, norma e interesit në kredi për biznese aktualisht është 5.7 për qind.

    Bankat kërkojnë po ashtu kolateral. Kolaterali është një lloj prone e paraqitur nga ana e klientit si garanci për shlyerjen e ardhshme të kredisë, të cilën duhet ta miratojë banka.

    Sipas një hulumtimi të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, të publikuar në vitin 2021, për financim më të madh të bizneseve duhen krijuar burime të reja dhe më gjithëpërfshirëse të financimit, si dhe duhen lehtësuar kushtet dhe procedurat për marrjen e kredive nga ndërmarrjet prodhuese.

    Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Zeka, nga Oda Ekonomike Amerikane, thotë se institucionet duhet të krijojnë një instrument financiar – që njihet si financim i eksportit – përmes të cilit do të ndihmoheshin kompanitë prodhuese kosovare me potencial të eksportit.

    “Mekanizmat e tillë për financimin e eksportit, me një normë të ulët të interesit, që do të mund t’i aplikonte Ministria e Financave apo kushdo që do të merrej me zbatimin e një instrumenti të tillë, do ta lehtësonin në masë të madhe qarkullimin e parasë së gatshme në mesin e ndërmarrjeve prodhuese”, thotë Zeka.

    Të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës nuk i janë përgjigjur pyetjes se çfarë do të mund të bënin në këtë aspekt.

    Sipas të dhënave të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, në Kosovë janë gjithsej 2,400 kompani prodhuese eksportuese.

    Investimet kapitale

    Profesori i ekonomisë në Kosovë, Safet Gërxhaliu, thotë se për rritje ekonomike, do të duhet të bëhen edhe investime kapitale nga Qeveria.

    “Kufizimi i investimeve kapitale pamundëson zhvillim më të qëndrueshëm ekonomik. Qeveria duhet të financojë projekte kapitale. Viteve të fundit, kemi tkurrje të investimeve kapitale. Nga tkurrja e tyre goditet sektori privat, goditen të punësuarit dhe nuk ka mundësi për zhvillim të qëndrueshëm afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë”, thotë Gërxhaliu.

    Buxheti i Kosovës për vitin 2022 kap vlerën e mbi 2.7 miliardë eurove.

    Nga kjo shumë, mbi 770 milionë euro janë ndarë për investime kapitale – apo 157 milionë euro më shumë se në vitin 2021.

    Në programin e Qeverisë së Kosovës për këtë vit parashihen shpenzime në ndërtimin e autostradave, vazhdimin dhe ndërtimin e rrugëve, ndërtimin e çerdheve, të objekteve shëndetësore, renovimin dhe ndërtimin e shkollave, rregullimin e shtretërve të lumenjve, të kanalizimeve, krijimin e hapësirave të gjelbra etj.

    Por, sipas Gërxhaliut, shuma e ndarë për këto projekte është e pamjaftueshme për zhvillim më të hovshëm ekonomik.

    Nivel jo të kënaqshëm të rritjes ekonomike për këtë vit ka paralajmëruar edhe Banka Qendrore e Kosovës.

    Projeksionet e saj, të publikuara më 21 mars, kanë treguar se ekonomia e Kosovës, si pasojë e luftës në Ukrainë, do të pësojë ngadalësim të aktivitetit.

    Sipas tyre, rritja ekonomike do të ngadalësohet në rreth 3.3 për qind këtë vit, nga 10.5 për qind sa ka qenë në vitin 2021.

    Ndikimi i luftës në ekonomi cilësohet si i pashmangshëm, pasi edhe Ukraina, edhe Rusia – si vend pushtues – janë ndër eksportueset më të mëdha të grurit dhe produkteve të tjera në botë. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Grupi i Kumanovës vazhdon grevën, nuk pranojnë të takohen as me zyrtarët e Avokatit të Popullit

    Lajmi i rradhës

    ASh: RMV-ja konfirmon se është një regjim hibrid, po shkon drejt sistemit të Koresë së Veriut

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë