Pas rezultateve katastrofike të zgjedhjeve parlamentare, në të cilat LSDM humbi me një dallim me mbi 280 mijë vota nga VMRO-DPMNE dhe zgjedhjeve presidenciale në të cilat Gordana Siljanovska-Davkova ia doli ta mposht presidentin aktual Stevo Pendarovski me rreth 310 mijë vota, presioni për dorëheqje dhe llogaridhënie po rritet brenda LSDM-së. Anëtarët e partisë bënë thirrje për dorëheqje të menjëhershme – jo me efekt të vonuar dhe me kusht. Fatmir Bytyqi, Pero Kostadinov dhe Jovanka Trençevska tashmë kanë paralajmëruar dorëheqje nga pozitat partiake.
Jovan Despotovski i cili është anëtar i LSDM-së dhe drejtor në Drejtorinë për Zona Zhvillimore Teknologjike Industriale (TIRZ), kërkoi dorëheqje nga kryesia e LSDM-së menjëherë dhe të mos jetë e kushtëzuar. Në një fjalim publik përmes rrjeteve sociale ai thotë se hapi i parë drejt këtyre vendimeve kërkon vetëm guxim në krye për të pranuar realitetin e kësaj disfate.
“Ne si anëtarë të LSDM-së mbajmë përgjegjësi të madhe për opsionin, idenë, synimin tonë që të mbijetojmë dhe të vazhdojmë të ekzistojmë. Sot anëtarët dhe mbështetësit tanë kanë nevojë për ne, por edhe për veten tonë, por tashmë nga nesër ne i duhemi edhe shtetit dhe gjithë qytetarëve tanë. Për të marrë vendime të shpejta dhe cilësore, duhet një analizë serioze urgjente, e cila nuk duhet vonuar. Por hapi i parë drejt këtyre vendimeve kërkon vetëm guxim në krye për të pranuar realitetin e kësaj disfate. Ne nuk kemi nevojë për dorëheqje të kushtëzuara që do të hyjnë në fuqi nëse edhe të tjerët japin dorëheqjen. Të gjithë duhet të nisin nga vetja pa pritur shokun e partisë për ta bërë. Vetëm kështu ky proces ndryshimi nuk do të zgjasë shumë dhe dëmi nuk do të bëhet i pariparueshëm”, thotë Despotovski.
Ai beson se anëtarët dhe simpatizantët e LSDM-së sot më shumë se kurrë kanë nevojë për një LSDM të konsoliduar dhe të ndërgjegjshme. “Të gjithë janë të trishtuar, të zhgënjyer, por edhe të frikësuar nga përsëritja e disa gjërave të këqija nga disa të shkuara jo shumë të largëta. Një LSDM e fortë dhe e reformuar mund dhe duhet t’i mbrojë ata. Një LSDM e fortë dhe e reformuar do të jetë shpresë për të gjithë qytetarët”, thotë Despotovski.
Ai thekson se pas ditës së zgjedhjeve u humb një mundësi e madhe për të hedhur hapin e parë, i cili, siç thotë ai, fillon me përgjegjësi, me emër e mbiemër, duke filluar nga lart.
Por derisa në kampin maqedonas, ka politikanë të cilët kanë guxim të pranojmë humbjen dhe të marrin përgjegjësi e njëjta nuk ndodhë edhe në kampin shqiptar. Sipas njohësve të politikës, thonë se mungon kultura politike në kampin shqiptar për t’u pranuar humbja, për të marrë përgjegjësi dhe në fund të urohet dhe fituesi dhe krejt në fund pas kësaj të vazhdoj beteja politike. Kujtojmë se Taravari, pati thënë se nëse një votë më pak do të ketë koalicioni i tij, ai do të jep dorëheqje dhe patën pranuar sfidën e Bekteshit që ai që humb zgjedhjet, largohet nga politika.
Analisti Blerim Hyseni, për gazetën Koha ka deklaruar se partitë maqedonase po dëshmojnë se janë më të strukturuara dhe të etabluara në skenën politike, sesa partitë shqiptare.
Sipas tij, në bazë të kësaj çfarë po shohim te partitë shqiptare del që ata janë një miks interesash pasi po të analizohet asnjë parti nuk ka dale si nismë e ndonjë grupimi për qëllime të caktuara, por të gjitha kanë dalë nga ndonjë parti tjetër.
“Kjo i bënë ato më të frikshme dhe më me pak guxim. Kemi parti që 20 vite është humbëse dhe kurrë nuk është dhënë dorëheqje! Nga ana tjetër kemi pasur kandidat për kryetar komune i cili dy here ka humb zgjedhjet dhe vazhdon të jete aktiv në skenën politike! Rast i vetëm i dorëheqjes është Zijadin Sela nga humbja në zgjedhjet lokale dhe më pas çfarë ndodhi, i’u përça partia dhe u bënë dy parti. Kjo dëshmon se partitë shqiptare vuajnë nga morali politik por vuajnë edhe nga dëshira për të qenë gjithmonë i pari dhe i pa konkurrueshëm. Ndonëse kësaj here isha optimist se do mbahej fjala e dhënë nga vet protagonistet e zgjedhjeve sërish ndodh ajo që pritej përgjegjësi nuk jepet fare dhe nga ana tjetër nuk mbahet fjala publike”, u shpreh Hyseni.
Ai shtoi se kjo ndodh më shumë nga mungesa e kapaciteteve intelektuale dhe morale brenda vet liderëve por nga ana tjetër edhe e strukturave partiake të cilët në vend që të kërkojnë llogari për humbjen ata kërkojnë që me çdo kusht të jenë pjesë e pushtetit.
“Fatkeqësisht mendoj që kështu do të jetë edhe për një kohë të gjatë dhe deri atëherë kur lideri shihet i gjithëdijshëm dhe derisa të mungojë guximi për t’i thënë gjerat hapur brenda strukturave partiake”, nënvizoi në fund ai.
Ndryshe, në vitin 2021, pas tërheqjes së Zoran Zaev nga pozita udhëheqëse në parti. Në këto zgjedhje LSDM fitoi gjithsej 18 mandate – më së paku në historinë e partisë në zgjedhjet parlamentare, duke u bërë kështu forca e tretë politike në Kuvendin e Maqedonisë për herë të parë.