Personat me nevoja të veçanta në RMV: Qeveria nuk ofron kushte, askush nuk na merr parasysh

    Personat me nevoja te veçanta kërkojnë nga Qeveria e re kushte më të mira, para së gjithash infrastrukturore.

    Ankohen se përballen me vështirësi të shumta gjatë lëvizjes për të kryer punët e përditshme pasi nuk ka trotuare e as rrugë të posaçme për lëvizjen e tyre.

    Thonë se nuk kanë aspak ndihmë nga shteti dhe se ato pak kushte që i kanë siguruar, janë nga donatorë humanitarë të cilët ua kanë shtrirë dorën si në blerjen e karrocave ashtu dhe në ndihmesat e tjera për të mbijetuar.

    “Shekulli 21 ne nuk kemi kushte elementare për personat me nevoja të veçanta është diçka e mjerueshme. Apelojmë për pasjen e trotuareve, të kemi nëpër institucione vendkalime..ta marrin parasysh këtë kategori të njerëzve. Në komunën e Çairit ju e shihni se nuk kemi as trotuare, as asgjë, për fat të keq. T’i kishim do ishte mirë. Kemi pengesa, çdo herë dalim nëpër televizione/media, por askush nuk na merr parasysh, edhe ne jemi njerëz si çdo njeri kemi dëshirë që njëherë e përgjithmonë të rregullohen problemet e personave me nevoja të posaçme”, tha Ertan Shakiri, Shoqata e personave me nevoja të veçanta “SOS Vita” – Shkup.

    Të vetmen ndihmë financiare të cilën mund ta marrin nga shteti pas moshës 26 vjeçare janë shtesat sociale prej 11.000 denarësh në total të cilat sipas tyre nuk i plotësojnë as nevojat më elementare. Kërkojnë rritje të ndihmës shtetërore.

    “Njëzet vjet nuk ka pësuar rritje ndihma shtetërore “kujdesi për tjetrin”. Unë nga viti 2004 marr ndihma me shumën e njëjte. Ne marrim ndihma sa për të blerë 2 paketa vaj, ku janë harxhimet tjera? Unë shpenzoj nga 70 euro në muaj vetëm për ilaçe. Me 11.000 denarë para të shtetit nuk mund të mbijetohet, çfarë të paguash më parë? Rrymën, taksat..?”, u shpreh Zhivko Milevski, Shoqata e personave me nevoja të veçanta “SOS Vita” – Shkup.

    Jo zyrtarisht, shfrytëzues të kësaj ndihme shtetërore janë mbi 2000 persona me aftësi të veçanta, ndërkaq Maqedonia e Veriut nuk posedon regjistër nacional i cili tregon saktë se sa është numri i personave me nevoja të posaçme në vend. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Prokuroria në Nish ngre aktakuzë ndaj kryetares së Preshevës, Ardita Sinani

    Lajmi i rradhës

    Ahmeti: Me Petkovin fola edhe për korridorin 8, i cili afron dy brigje dhe tre kryeqytete

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë