Petkov dhe Kovaçevski vlerësuan se ky është hapi i parë i një kapitulli të ri mes dy vendeve

    Përqafime, buzëqeshje, shtrëngime duarsh – në atmosferë të tillë, në ditën e dytë si kryeministër, Dimitar Kovaçevski ka pritur homologun e tij bullgar Kirill Petkov, udhëtimi i të cilit në Shkup është vizita e parë zyrtare jashtë vendit.

    Në shenjë vullneti të mirë u bënë lëshimet e para. Sofja nuk do të ketë më frikë nga pretendimet territoriale dhe pranon shkurtimin e emrit kushtetues – Maqedonia e Veriut. Autoritetet vendore kanë dërguar shënim në OKB, se shkurtesa dhe emri i plotë kanë kuptim të njëjtë.

    “Dje po ndiqja intervistën e kolegut tim të dashur Kirill në një nga televizionet tona nacionale, ku ai duhej të përqendrohej që të thotë “Republika e Maqedonisë së Veriut”, pra ta përdor emrin e gjatë, nëse ka intervistë sot, nuk e ka patjetër ta bëj”, tha kryeministri Kovaçevski.

    “Jam shumë mirënjohës për shënimin e dërguar sot dhe më vjen mirë që mund të them me qetësi ”Maqedonia e Veriut”, u shpreh Kirill Petkov- kryeministër i Republikës së Bullgarisë.

    Dy kryeministrat vlerësuan se ky është hapi i parë në kapitullin e ri mes dy vendeve. Kovaçevski dhe Petkov theksin e vendosën te ekonomia, duke shtuar se fqinjësia e mirë tani e tutje do të matet me rezultate reale, e jo me deklarata politike. Ata bënë të ditur se për dy muaj fluturimi nga Shkupi për në Sofje do të zgjasë 20 minuta dhe se së shpejti do të hapet pika kufitare Klepallo, por nga ana tjetër nuk është folur se kur Maqedonia mund të shpresojë për zhbllokim në euro- integrimet.

    “Ditët e para të punës sime si kryeministër në Qeverinë e Maqedonisë po i nis me një nga çështjet më të rëndësishme për Maqedoninë e Veriut, ajo është krijimi i kushteve për përparim të shpejtë në integrimet tona evropiane. Ka qeveri të reja në të dy vendet. Unë dhe kolegu Petkov i kemi premtuar vetes se do ta shfrytëzojmë energjinë e re”, pohoi Kovaçevski.

    “Rezultatet që do t’i shihni të gjithë, do të vijnë në baza javore dhe shpresoj që ajo që secili prej dy vendeve shpreson të ndodhë, në fund të kemi rezultat sa më shpejtë të jetë e mundur”, tha ndër të tjera Petkov.

    Të dy thanë se të martën e ardhshme në Sofje në konferencë të përbashkët ndërqeveritare do të formohen grupet e paralajmëruara të punës, që do të merren me çështje specifike të hapura midis dy vendeve. Në fund të konferencës, Kovaçevski mori dhuratë nga një gazetare bullgare.

    “Në shenjë besimi se ju do ta ruani bashkimin tonë, mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut”, tha Ilijana Benovska- gazetare. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Pse shëndeti dhëmbëve përkeqsohet me kalimin e moshës

    Lajmi i rradhës

    Gjëra kaq të zakonshme që i paskemi bërë gabim gjatë gjithë kohës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë