Pak ditë pas vizitës në Shkup dhe para seancës ndërqeveritare në Sofje, kryeministri i Bullgarisë Kirill Petkov ka dhënë urdhër të formohen katër grupet e punës të cilat do të zhvillojnë negociatat mes dy vendeve.
Grupi i parë, ai i ekonomisë dhe tregtisë, do të bashkëdrejtohet nga ministrja e atjeshme e Ekonomisë, ministri i Financave dhe ministri për Inovacione. Grupi i dytë do të punojë në fushën e infrastrukturës dhe transportit.
Ministrat e Zhvillimit Rajonal, Energjetikës dhe i Transportit do të bashkëdrejtojnë me këtë grup. Ministri i Mjedisit i Bullgarisë, zv/kryeministrja për menaxhim efikas dhe ministrja e Drejtësisë të Qeverisë bullgare do të drejtojnë grupin për bashkëpunim evropian.
Me grupin e kulturës, shkencës dhe arsimit do të bashkëdrejtojnë ministri bullgar i Arsimit, ministri i Kulturës dhe ai i Turizmit. Grupi i pestë, ai i historisë, do të mbetet i pandryshuar e që është Komisioni ekzistues i përbashkët për faktet historike.
Ditë më parë, edhe Qeveria në Shkup bëri të ditur disa nga emrat që do të jenë pjesë e grupit të punës nga pala e Maqedonisë së Veriut. Grupet do të zyrtarizohen në seancën e përbashkët qeveritare të martën./Alsat/