Petkov: Ndarja e Shkupit dhe Tiranës do të ishte e tmerrshme

    Kryeministri në dorëheqje i Bullgarisë, Kirill Petkov, i rekomandon Shkupit të marrë vendim për të ecur përpara në rrugën e eurointegrimit duke e pranuar propozimin francez. Në intervistë për median bullgare BTV, Petkov shtoi se ndarja e Shkupit dhe Tiranës do të ishte e tmerrshme.

    “Propozimi francez është i mirë pa precedent dhe mundësoi që pozita e Bullgarisë të bëhet edhe pozitë evropiane. Ajo që ndodh për momentin në Maqedoninë e Veriut është se e kanë shumë të vështirë ta pranojnë atë pozitë në këtë moment por ajo që duhet ta dinë është se Maqedonia, nëse dëshiron të zhvillohet, rruga evropiane është rruga e vetme për atë shtet. Do të ishte e tmerrshme që Shqipëria të vazhdojë rrugën e Bashkimit Evropian dhe Maqedonia të ngecë”, deklaroi Kirill Petkov, kryeministër i Bullgarisë në dorëheqje.

    Presidenti Stevo Pendarovski përsërit qëndrimin e tij, se propozimi francez është kompromis i përparuar, me një pengesë të mundshme gjatë rrugës.

    “Ne pas 17 vjetësh në pritje më në fund do të fillonim negociatat e anëtarësimit dhe ky është përfitimi më i madh prej tij. Gjithsesi pas procesit të skriningut ekziston një parakusht për vazhdimin e negociatave dhe ky është amendamenti me të cilin duhet të futen bullgarët në kushtetutën maqedonase. Duke e pasur parasysh ndarjen aktuale politike, janë shumë të ulëta shanset që cilado parti do të mund të sigurojë shumicë prej 2/3 në parlament e cila do ta mbështeste atë ndryshim kushtetues”, është shprehur Stevo Pendarovski, President.

    Pendarovski për gazetën greke “Etnos” thotë se për momentin vendi përballet me fushatë serioze dezinformatash të prodhuara nga Rusia, njëjtë si në periudhën e Marrëveshjes së Prespës.

    Propozimi francez që përmban propozim kornizën negociuese të Maqedonisë së Veriut me BE-në, në formën e informacionit, është në procedurë parlamentare. Të hënën grupet parlamentare do të vendosin se kur do ta shqyrtojnë atë në seancë plenare. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    “Jemi të gatshëm për zbatim pa probleme të propozimit francez sapo ta miratojë Shkupi”

    Lajmi i rradhës

    LSDM kërkon nga VMRO-DPMNE të heqë dorë nga bllokadat

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë