Petkoviq: Marrëveshja për dokumentet ruan praninë e Serbisë në Kosovë

    Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se marrëveshja e arritur për dokumentet për hyrje-dalje midis Kosovës dhe Serbisë, siguron paqe dhe stabilitet.

    “Falë përpjekjeve të fuqishme diplomatike të presidentit Aleksandar Vuçiq, sot arritëm të marrim garancitë e nevojshme nga BE-ja dhe në këtë mënyrë të arrijmë marrëveshje për lirinë e lëvizjes dhe dokumentet serbe. Me të, ne arritëm të sigurojmë paqe dhe stabilitet në Kosovë e Mehtohi dhe të ruajmë letërnjoftimet serbe për serbët në krahinën jugore, si në veri ashtu edhe në jug të Ibrit. Prandaj mund të them se kemi lajme të rëndësishme”, tha ai përmes një deklarate me shkrime.

    Sipas tij, me këtë marrje është ruajtur prania e shtetit të Serbisë në Kosovë.

    “Kjo do të thotë se çdo qytetar i Serbisë që jeton në Kosovë dhe Metohi do të mund të lëvizë lirshëm me letërnjoftim serb. Çdo serb në jug dhe veri të Ibrit, pa përjashtim, do të mund të jetojë, punojë normalisht me serbët e tjerë dhe të përdorë letërnjoftimet për të kaluar vendkalimet administrative”, tha ai.

    Ai tha se marrëveshja që njeh dokumentet do të shoqërohet me një tekst, ku thuhet:

    “Mundësimi i përdorimit të letërnjoftimeve të lëshuara nga Prishtina [Kosova] bëhet vetëm për arsye praktike për të lehtësuar pozitën e qytetarëve dhe për të mundësuar lirinë e lëvizjes, në përputhje me Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes të arritur në dialog më 2011. Kjo nuk mund të interpretohet si njohje për pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme nga Kosova, nuk paragjykon përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovë dhe nuk interpretohet si pëlqim i Beogradit për të devijuar nga Rezoluta 1244 e OKB-së”.

    Petkoviq shtoi se në të ardhmen pret sfida për Serbinë sa i përket çështjes së targave serbe.

    Bashkimi Evropian njoftoi më 27 gusht se është arritur marrëveshja për heqjen e dokumenteve për hyrje-dalje. Këtë praktikë Serbia e ka aplikuar për shtetasit e Kosovës qe 11 vjet. Ndërkaq, Kosova kishte lëshuar për disa orë më 1 gusht dokumente për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit serbe, me të hyrë në territorin e saj.

    BE-ja tha se me këtë marrëveshje puna për çështjen e lëvizjes së lirë nuk ka përfunduar, pasi ka mbetur e pazgjidhur edhe çështja e targave.

    Si vendimi për dokumentet, ashtu edhe ai për targat kanë pasur të hyjnë në fuqi më 1 shtator. Serbia ka deklaruar se për çështjen e targave nuk ka ndonjë kompromis dhe se ky vendim do të hyjë në fuqi më 1 shtator.

    Vendimi për targat serbe konsiston në riregjistirmin e tyre në RKS (Republika e Kosovës). Vlerësohet se 10.000 targa që lëshohen nga Serbia, me akronime të qyteteve të Kosovës, qarkullojnë në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

    Targat sikurse KM, PR, PZ, UR e të ngjashme konsiderohen të jashtëligjshme nga Kosova dhe Prishtina kërkon që pronarët e makinave me targa të tilla t’i konvertojnë ato në RKS brenda një periudhe prej 61 ditësh.

    Vendimi për targat dhe dokumentet serbe, i marrë në qershor nga Qeveria e Kosovës, nxiti reagim të ashpër ndaj serbët në veri, të cilët ngritën barrikada në veri të Kosovës më 31 korrik dhe 1 gusht. Kjo bëri që diplomatët amerikanë dhe evropianë të shtonin angazhimin e tyre për arritjen e një marrëveshje dhe për të shmangur dhunën në veri. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Kam shumë shpresë

    Lajmi i rradhës

    Kriza energjetike: Europianët zgjedhin mes ushqimit dhe ngrohjes

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë