Petkoviq: Prishtina “po e vret” dialogun

    Kryenegociatori i Serbisë në bisedimet me Kosovën, Petar Petkoviq, tha se “Prishtina po e vret” dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

    Petkoviq dhe kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, u takuan të martën në Bruksel për një rund të ri bisedimesh, të ndërmjetësuara nga përfaqësuesi i BE-së, Mirosllav Lajçak, por që përfundoi pa ndonjë marrëveshje.

    Palët diskutuan, mes tjerash, për Marrëveshjen Bazë drejt normalizimit të marrëdhënieve, për Aneksin e zbatimit të saj, për të zhdukurit në luftë dhe për një marrëveshje për energjinë.

    Petkoviq tha në një postim në X të mërkurën se Bislimi i “refuzoi” dhe “kritikoi” të gjitha këto.

    Në komunikatën për media që lëshoi Bislimi të martën u tha, mes tjerash, se pala serbe refuzoi të angazhohej në diskutime për miratimin e planit të zbatimit dhe zyrtarizimit të Marrëveshjes Bazë, bazuar në garancitë e kërkuara në takimin e liderëve, javën e kaluar.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ishin më 26 qershor në Bruksel, por zhvilluan vetëm takime të ndara me ndërmjetësuesit evropianë, pasi Kurti e kushtëzoi takimin me Vuçiqin me tri kërkesa: nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë, tërheqjen e letrës me të cilën Serbia refuzoi zyrtarisht ta zbatonte marrëveshjen me Kosovën, dhe dorëzimin në Kosovë të Millan Radoiçiqit, i dyshuar për organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë.

    Vuçiq i refuzoi këto kërkesa dhe takimi i tij direkt me Kurtin nuk u realizua.

    Pas bisedimeve të djeshme mes kryenegociatorëve, Lajçak shkroi në X se “është rënë dakord për një sërë hapash në vazhdim”, por nuk dha detaje.

    Normalizimi i marrëdhënieve është kusht për Kosovën dhe Serbinë që të përparojnë në rrugën e integrimit evropian.

    Palët janë në negociata qysh në vitin 2011, por pak prej marrëveshjeve të arritura janë zbatuar. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Sondazhi: një në tre demokratë mendon se Biden duhet të dalë nga gara

    Lajmi i rradhës

    A shkakton shok në organizëm kur pini ujë të ftohtë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë