Petrovska: Sistemin e mbrojtjes kundërajrore RMV-ja do ta blejë nga Franca, kontrata do të nënshkruhet muajin e ardhshëm

    Ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska në emisionin “Click Plus” tha se Maqedonia si anëtare e NATO-s vitin e ardhshëm do të pranojë një sistem të mbrojtjes kundërajrore, të cilin do ta blejë nga Franca.

    “Vendi ku do të vendoset nuk do të shpallet, është interesi ynë strategjik. Në fillim të shtatorit do ta nënshkruaj kontratën e blerjes me kolegun francez, ndërsa vitin e ardhshëm e presim dorëzimin”, zbuloi Petrovska.

    Ministrja tha se Maqedonia është e gatshme të dërgojë ndihmë shtesë ushtarake, nëse Ukraina e kërkon, por vetëm nëse kjo nuk e dëmton gatishmërinë luftarake të vendit tonë.

    “Nëse nuk kemi nevojë për (ato armë) dhe nëse marrim një opinion pozitiv nga Shtabi i Përgjithshëm se gatishmëria luftarake nuk është e dëmtuar, ne jemi të gatshëm të miratojmë pajisje të re ushtarake për Ukrainën”, tha ministrja.

    Petrovska shtoi se Maqedonia i ndihmon Ukrainës vetëm sepse beson se nuk duhet të cenohet integriteti territorial i një vendi.

    “Që nga fillimi i agresionit rus, i vetmi vendim i gabuar ka qenë ai i palës ruse për të kryer agresion ushtarak. Ukraina është nën sulm dhe sovraniteti i saj territorial është i kërcënuar, ndërsa edhe më të tmerrshme janë fotografitë nga sulmet ndaj objektivave civile, si shkollat ​​dhe spitalet. Kjo është arsyeja për të cilën Ukraina ka nevojë për ndihmë për të mbrojtur veten”, beson Petrovska.

    Ajo shtoi se deri në fund të vitit, në vendin tonë do të mbërrijnë edhe 27 transportues të blinduar ushtarak të blerë nga SHBA.

    “Blerja e këtyre mjeteve të blinduara është një nga tetë projektet kryesore të mëdha për modernizimin e armatës. Është kontratë që është lidhur vitin e kaluar, kurse po realizohet prej sivjet. Tashmë janë prezantuar, deri në vitin 2028 është afati i fundit për dorëzim dhe do të kemi 96 automjete të tilla, kurse deri në fund të këtij viti duhet të dorëzohen 27 autoblinda. Profesionistët tashmë janë duke u trajnuar me to. Autoblindat kanë pajisje specifike dhe për të garantuar afatin e përdorimit dhe shfrytëzimit të tyre duhet të ekzistojnë kushte të përshtatshme”, ka shtuar ministrja.

    Lajmi Paraprak

    “Librat për filloristët do të vonohen pasi po ndryshohet koncepti”

    Lajmi i rradhës

    Putin nënshkruan dekretin për të rritur numrin e forcave ushtarake ruse

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë