PIRLS: Nxënësit e Maqedonisë së Veriut nuk e kuptojnë atë që e lexojnë

    Në lexim, gjegjësisht të kuptuarit e asaj që lexohet, me 442 pikë të fituara Maqedonia e Veriut u radhit nën mesataren ndërkombëtare prej 500 pikësh, tregon studimi i fundit ndërkombëtar PIRLS 2021 (Progress in International Reading Literacy Study), i cili u publikua pak kohë më parë, raporton Meta.

    Nxënësit e Maqedonisë së Veriut për herë të fundit në PIRLS kanë marrë pjesë në vitin 2006 dhe ajo që është shqetësuese është se numri i pikëve të fituara atë vit dhe tani është i njëjtë – 442, që është tregues se për 15 vjet si vend ne nuk kemi bërë përparim në të kuptuarit e asaj që lexohet.

    Serbia dhe Shqipëria – mbi mesataren ndërkombëtare

    Në tabelën 1.3, ku janë prezantuar arritjet mesatare të nxënësve të testuar të klasave të katërta (gjegjësisht nxënës në moshën 10 vjeçare), në tre vendet e para ndodhet Singapori, Hong Kongu dhe Rusia, pastaj vjen Anglia, Finlanda, Polonia, Taipei Kinez, Suedia, Australia dhe Bullgaria.

    Përveç vendit tonë, rezultate nën mesataren kanë arritur edhe Arabia Saudite, Azerbajxhani, Uzbekistani, Katari dhe Omani. Nga vendet e rajonit, me rezultat nën mesataren është Kosova (421 pikë) dhe Mali i Zi (487 pikë). Ndërsa me rezultat mbi mesataren ndërkombëtare, nga vendet e rajonit radhitet Kroacia, me 557 pikë, pastaj Serbia me 514 pikë, si dhe Shqipëria me 513 pikë.

    “Pavarësisht faktit që grumbullimi i të dhënave përkoi me ndërprerjet e mësimit për shkak të pandemisë së Covid-19, me hulumtimin PIRLS 2021 me sukses u përfshinë pothuajse 400.000 nxënës nga 57 vende në mbarë botën. Në këtë hulumtim voluminoz morën pjesë reth 4.000 nxënës nga secili vend. PIRLS 2021 mblodhi të dhëna nga rreth 380.000 prindër, 20.000 mësimdhënës dhe 13.000 shkolla”, thuhet në hulumtim.

    Ky dokument gjithashtu përfshin edhe informacion mbi statusin socio-ekonomik të nxënësve, por edhe nëse para se fëmija të fillojë të shkojë në shkollë në shtëpinë e tij janë praktikuar aktivitete të hershme të shkrim-leximit.

    18 përqind e fëmijëve në botë nuk dinë të lexojnë

    Sa i përket asaj se sa duan të lexojnë, 42 përqind e të gjithë nxënësve të testuar të klasës së katërt kanë thënë se u pëlqen shumë leximi, ndërsa 40 përqind prej tyre kanë thënë se deri diku u pëlqen të lexojnë. 18 përqind e të rinjve në mbarë botën janë përgjigjur negativisht, pra se nuk duan të lexojnë, që vlerësohet si “një e dhënë shqetësuese”.

    Meta.mk kontaktoi Qendrën Shtetërore të Provimeve (QSHP), institucioni që e organizoi procesin e grumbullimit të të dhënave për vendin tonë, por nga aty shkurtimisht bënë të ditur se po vijon përgatitja e raportit, i cili do të përmbajë informacione më të detajuara për rezultatet, si dhe rekomandime për përmirësimin e gjendjes, të cilat personat përgjegjës do t’i ndajnë publikisht sapo të përfundojnë raportin.

    Maqedonia e Veriut deri më tani ka marrë pjesë në dy ciklet e para të studimit PIRLS në vitin 2001 dhe në vitin 2006. Që një vend të jetë pjesë e një hulumtimi të tillë ndërkombëtar shteti duhet të paguajë një kotizim, ndërsa më konkretisht, pjesëmarrja e vendit tonë në studimin e fundit kushtonte rreth 50 mijë euro. Përveç kësaj shpenzime ka edhe për printimin, shpërndarjen dhe përkthimin e materialeve.

    Organizata Ndërkombëtare për vlerësimin e arritjeve arsimore (IEA) udhëheq me organizimin dhe zbatimin e këtij studimi. Puna dhe menaxhimi profesional drejtohet nga Qendra Ndërkombëtare e Studimeve (ISC) në Kolegjin e Bostonit.

    Cikli tjetër i testimeve PIRLS do të mbahet në vitin 2026.

    Lajmi Paraprak

    Fried: Qeveria e Kosovës abuzoi me besimin e ShBA-së

    Lajmi i rradhës

    Çfarë dihet për digën e shkatërruar ukrainase dhe cilat janë pasojat?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë