Pishina e mbyllur në Tetovë me kapacitet të pamjaftueshëm dhe pranim – dorëzimi me një vit vonesë (Video)

    Tetova ka një kohë të gjatë që meriton dhe po e pret një pishinë të mbyllur, me qëllim për të përmbushur nevojat rekreative dhe edukimin e fëmijëve për notin. Edhe pse një vit me vonesë, në Komunën e Tetovës, drejtori i Agjencisë për Rini dhe Sport, Naumçe Mojsovski dhe kryetarit të komunës, Bilall Kasami u bë pranim-dorëzimi i pishinës së mbyllur, shkruan Nistori.

    Kasami para medias tha se pishina e mbyllur, ndoshta nuk i plotëson nevojat e Tetovës, por si fillim është një projekt që do të shërbejë përgatitjen e fëmijëve për notin dhe sportet ujore.

    “Së bashku me drejtorin e Agjencisë për Sport bëmë pranim-dorëzimin e pishinës së mbyllur në qytetin tonë, e cila do t’u shërbejë shkollave dhe të rinjve tanë, të cilët do të marrin mësimet e para përgatitore për not dhe sportet tjera ujore. Është një projekt, ndoshta që nuk i plotëson nevojat e Tetovës, por si fillim është një projekt që do të shërbejë përgatitjen e fëmijëve për sportet ujore. Ne si komunë do të ndërhyjmë në rrethimin e pishinës, për të ofruar siguri më të madhe për notuesit dhe vizitorët. Jemi duke punuar seriozisht për përmirësimin e kushteve në të gjitha sferat, sepse tetovarët dhe rinia jonë meritojnë një qytet me aktivitete kulturore dhe sportive, një qytet të barabartë për të gjithë.” – deklaron Kasami.

    Projekti është dashtë të përfundojë në fundin e gushtit të vitit 2021, por për shkak të pandemisë dhe problemeve teknike, nuk ka qenë i gatshëm për qytetarët që të fillojë me punë. Nistori e pyeti drejtorin e Agjencisë për Rini dhe Sport, Naumçe Mojsovski pse hapja e pishinës po vonohet dhe a është me kapacitet të mjaftueshëm për Tetovën.

    “Së pari, nuk jemi vonuar në marrëveshje. Marrëveshja ka përfunduar në vitin 2022. Kishte probleme për shkak të krizës me Koronën, kishte ngecje në të gjithë sektorët e ndërtimtarisë. Duhej të vinim në një fazë për t’i përgatitur dokumentet për vendosjen e panelave. Nuk duhet të përfundonte vetëm pishina, por duhej të përfundonte e gjitha deri në fund, mundësisht të kemi leje nga EVN apo ELEM/MEPSO, nuk e di cilët saktë. Nuk duhej të bëheshte pranim-dorëzimi, që të mund të aplikojmë si agjenci, sepse e jona është vendosja e panelave që të mund ta rregullojmë si çështje, që mos të ketë shpenzime të mëdha, sepse e dijmë që në Kumanovë u mbyll pishina për shkak se kishte 40-50 mijë euro faturë mujore të rrymës. Nuk dëshirojmë kjo të ndodh, duam ta ndihmojmë komunën që t’i përballojë shpenzimet e rrymës.” – u përgjigj Mojsovski.

    Sa i përket kapaciteti jo të mjaftueshëm të pishinë që e përmendi edhe kryetari Kasami, sipas Mojsovskit, pishina është e dedikuar për nxënësit e shkollave dhe shpreson që do ta shfrytëzojnë maksimalisht, si dhe dhashtë Zoti që të ndërtohet edhe një pishinë tjetër.

    Sa ka kushtuar pishina e mbyllur në Tetovë dhe çfarë performanca posedon?

    Pishina kap vlerën prej 43 milionë denarëve, e mbështetur Agjencia. Objekti ka dimensione 20×30m me një sipërfaqe prej 600 m2 e cila përmban: Aneks me dhomat e zhveshjes për djem dhe vajza, tualete dhe dushe. Dhomë makinerie në të cilën ndodhen pajisjet hidro- termale të makinerisë. Shtrati i pishinës është me gjatësi 25 m, gjerësi 9 m dhe thellësi nga 0.80 m në 1.20 m. Shtrati i pishinës është bërë me teknologjinë më të fundit të çelikut inox të petëzuar, me membranë të fortë PVC. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Kovaçevski – Michel: Propozimi parasheh gjuhë të pastër maqedonase

    Lajmi i rradhës

    A do të plotësohet mungesa e gjykatësve deri para fundvitit?!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë