“PO” e heshtur për ndryshimin e modelit zgjedhor

    Nëse nisemi nga qëndrimi se ka një vit e gjysmë para mbajtjes së zgjedhjeve të rregullta parlamentare në vitin 2024, atëherë në frymën e ideve dhe synimeve të paracaktuara evropiane për përmbushjen në kohë të detyrave të caktuara, tani është koha për t’iu qasur konceptit të pranuar përgjithësisht për ndryshimin e modelit zgjedhor në vend.

    Deklaratat e të gjitha partive politike janë se pranojnë ndryshimin e sistemit zgjedhor. Përkatësisht, për partitë e vogla, ndryshimet janë thelbësore në drejtim që Maqedonia të jetë një njësi e vetme zgjedhore, listat e kandidatëve të jenë të hapura, ku elektorati drejtpërdrejtë do të voton të preferuarin e tij në aspektin e njohurive, aftësive, reputacionit, moralit dhe etikës, etj.

    Sigurisht që, arsyetohen “të vegjlit”, qytetarët do të kenë një zgjedhje më të madhe politike, demokratizim më të madh dhe vlerësim të vërtetë të votës së tyre. Ajo që është gjithashtu jashtëzakonisht e rëndësishme është se me një ndryshim të tillë të modelit zgjedhor, në thelb, aplikohet si bazë sistemi i meritës për bartësit e funksioneve publike.

    Edhe pse parimisht të gjitha subjektet politike në vend, përfshirë edhe partitë e mëdha, prej vitesh kanë dhënë pëlqimin për një ndryshim të tillë të modelit zgjedhor, në praktikë asgjë nuk realizohet. Presin të kalojë koha, për të konstatuar përfundimisht se tashmë është tepër vonë për ndryshime në modelin zgjedhor dhe se duhet të presim ciklin e ardhshëm zgjedhor. Pse është përshtypja e përgjithshme në opinion se partitë e mëdha nuk kanë fare dëshirë për ndonjë ndryshim të modelit zgjedhor?

    Një shpjegim qytetarëve i detyrohen edhe partitë më të vogla, të cilët herë pas here kërcënojnë të largohen nga qeveria nëse nuk ndryshohet modeli zgjedhor, por më pas vazhdojnë të gëzojnë benefitet që ofron qeveria. Dhe, deri sot, përveç BDI-së së Ali Ahmetit që hapur është shprehur kundër një njësie zgjedhore, por e pajtuar me lista të hapura, partitë tjera vazhdojnë të heshtin dhe kalkulojnë.
    Kreu i Lidhjes Demokratike dhe propozuesi më i zëshëm i ndryshimit të modelit zgjedhor, Pavle Trajanov, mbetet i mendimit se prioritet duhet të jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

    “Aty duhen ndryshime rrënjësore, katër parti politike nuk mund të kenë përparësi sistematike në Kodin Zgjedhor, kohë reklamimi, fonde e kështu me radhë. Së pari, Ligj për një njësi zgjedhore, zgjidhje që do të krijojnë kushte të barabarta për konkurrencë politike, pastaj zgjedhje”, konsideron Trajanov.

    Sipas tij, synimi kryesor i kësaj nisme të tyre është t’i jepet fund qeverisjes së vetëm dy partive të mëdha, të cilat ndërrohen herë në pushtet e herë në opozitë.

    Për kryetaren e RDM-së, Maja Moraçanin, tani është koha e duhur për të bërë ndryshime në modelin zgjedhor, sepse nuk është vit zgjedhor, por do të ishte e drejtë që partitë e mëdha të ishin të sinqerta dhe të thoshin hapur nëse janë pro ndryshimeve zgjedhore.

    “Nuk është vonë për të bërë ndryshime në modelin zgjedhor. Rekomandimet janë që Kodi Zgjedhor të mos ndryshohet gjashtë muaj para zgjedhjeve, ndonëse ka pasur raste të ndryshimeve edhe para vetë zgjedhjeve. Por ajo që është thelbësore është që partitë e mëdha të dalin dhe të thonë qartë nëse janë pro apo kundër ndryshimeve të modelit zgjedhor, në vend që thjesht të mashtrojnë opinionin. Është mirë që në Parlament, përmes një diskutimi, secila parti të shprehë qëndrimet e saj për këtë çështje dhe të jemi të gjithë të qartë. Është e saktë që palët të shprehin qëndrimin e tyre, të dimë se kush qëndron pas çfarë, cilat janë argumentet, që ta çojmë procesin më tej. Prandaj, vetëm me angazhime deklarative nuk marrim asgjë, harrohet tema, temat e tjera bëhen më aktuale dhe kështu vazhdimisht para çdo cikli zgjedhorë”,  thotë Moraçanin.

    Sipas saj, ndryshimet në modelin zgjedhor do të ndikojnë në demokratizimin më të madh të shoqërisë dhe do të jenë në interes të qytetarëve.

    “Jam e bindur se me ndryshimin e modelit zgjedhor gjërat do të shkojnë drejt demokratizimit të shoqërisë dhe se kjo është në interes të qytetarëve. Do ta përditësojmë sërish atë temë, por ndërkohë dalin disa tema të tjera prioritare, por kjo sigurisht që është prioritet. Ka shumë kohë para zgjedhjeve dhe mund të bëhen ndryshime. Qytetarët duan ndryshime në modelin zgjedhor dhe lista të hapura, nuk duan të votojnë vetëm për parti, por duan të votojnë edhe për personalitete dhe kjo është mirë. Është një mënyrë reale për të demokratizuar vetë partitë, kur vetë qytetarët do të zgjedhin nëse do të zgjedhin të parin, të dhjetën apo të njëzetin në listë dhe kjo sigurisht që do të ndikojë në qëndrimin e vetë partive për kandidatët që ofrojnë. Këto janë pyetje jashtëzakonisht të rëndësishme”, thekson Moraçanin.

    Ajo shton gjithashtu se procedura aktuale në lidhje me projektligjin për ndryshimin e modelit zgjedhor për një njësi zgjedhore ka ngecur në Parlament pa sinjale se ky proces do të ecë.

    Analisti politik, Petar Arsovski vlerëson se partitë e mëdha nuk janë të sinqerta rreth përkushtimeve të tyre për ndryshim të modelit zgjedhor, dhe për këtë arsye, kjo çështje po prolongohet çdo zgjedhje, ndërsa ndryshimi është i mundshëm vetëm nëse bëjnë presion ndërkombëtarët. “Partitë e mëdha në vendin tonë manovrojnë rreth asaj gatishmërie për një njësi zgjedhore, me përjashtim të BDI-së, e cila gjatë gjithë kohës thotë jo. Personalisht, mendoj se ndryshimi i modelit zgjedhor mund të ndodhë vetëm nën presionin e bashkësisë ndërkombëtare dhe në një proces më serioz”, shprehet Arsovski. Sipas tij, duhet të zgjidhet një model i tillë zgjedhor që do të pasqyrojë disponimin e votuesve, që do të jetë i pranueshëm për të gjitha partitë dhe që nuk do të ndryshojë për një periudhë të gjatë kohore. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Shenjat e para që jep trupi kur vuani nga depresioni

    Lajmi i rradhës

    BUJQIT KËRKOJNË RRITJE ÇMIMI! Duhani grumbullohet para afatit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë