Po e jetojmë vitin më të ngrohtë në historinë e botës: ndryshimet klimatike e ndryshojnë të gjithë sistemin

    Insektet, ja të themi ndonjë lloj i bletëve të egra apo mizave, metabolizmi i tyre u thotë se ka ardhur koha të ndërpresin hibernacionin ose gjumin, kjo varësisht nga lloji, ato dalin dhe janë të uritura. Nuk kanë me se të ushqehen sepse llojet e bimëve që duhet të lulëzojnë nuk e kanë ende kohën për të lulëzuar. Dhe ato automatikisht ngordhin, thotë ekologu dhe biologu Arsovski për Meta.mk.

    Tetori arriti “rekordin si më i ngrohti”, pra në nivel global ishte për 1.7 gradë Celsius më i ngrohtë se mesatarja e përgjithshme për këtë muaj. Ky është muaji i pestë këtë vit që në nivel global që ka qenë më i ngrohtë se muajt e njëjtë në të kaluarën, me çka është pothuajse e sigurt se viti 2023 do të jetë viti më i ngrohtë i regjistruar deri më tani.

    „Ky tejkalim i rekordeve është tronditës“, deklaroi për Associated Press Samantha Burgess, zëvendësdrejtoreshë e Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike Copernicus, një agjenci evropiane që, ndër të tjera, monitoron temperaturat mesatare të ajrit dhe detit në mbarë botën.

    “Kjo është një shenjë e qartë se ne po hyjmë në një regjim klimatik që do të ketë një ndikim më të madh tek një numër i madh i njerëzve,” tha Peter Schlosser, nënkryetar i Laboratorit të Projeksioneve Globale në Universitetin Shtetëror të Arizonës, duke shtuar se ” për të arritur në përfundimet e duhura këto paralajmërime duhet të ishin marrë në konsideratë më shumë se 50 vjet më parë.”

    “Historikisht oqeani ka thithur deri në 90 përqind të nxehtësisë së tepërt nga ndryshimet klimatike,” thotë Burgess.

    Ndryshimet nga ndryshimet klimatike nuk i ndjejnë vetëm njerëzit. Nuk janë vetëm njerëzit që e ndjejnë se nëntori ngjason si shtatori dhe se bora në qytete dalëngadalë po bëhet një emër abstrakt. Periudhat e thatësirës prekin një sistem të bimëve, kafshëve, njerëzve dhe insekteve, pra një organizëm planetar që i vuan globalisht pasojat e ndryshimeve klimatike.

    Më të rrezikuara janë llojet që jetojnë në habitate me lagështi

    Ekologu dhe biologu Kirill Arsovski Przho për Meta.mk sqaron se cilat janë në të vërtetë pasojat e anomalive klimatike, si pasojë e ndryshimeve klimatike, nëse analizohet një sistem i tërë.

    “Kemi dimra tepër të ngrohtë, temperatura e tokës rritet, ajo nxehet, ka dekompozim në tokë, ose siç themi ‘vjen aromë pranvere’, këto janë ato aromat e dheut që dalin nga bakteret. Insektet, ja të themi ndonjë lloj i bletëve të egra apo mizave, metabolizmi i tyre u thotë se ka ardhur koha të ndërpresin hibernacionin ose gjumin, kjo varësisht nga lloji, ato dalin dhe janë të uritura. Nuk kanë me se të ushqehen sepse llojet e bimëve që duhet të lulëzojnë nuk e kanë ende kohën për të lulëzuar. Dhe ato automatikisht ngordhin”, thotë Arsovski.

    Ndërsa bimët nëse nuk ka se kush t’i polenizojë, e polenizuesit shpesh herë janë të lidhur me njëri tjetrin, atëherë edhe bimët automatikisht zhduken.

    „Me zhdukjen apo reduktimin e tyre zhduken edhe insekte të tjerë të cilët ushqehen nga këto bimë. Nëse nuk ka insekte automatikisht zhduken ose vihen në rrezik të gjithë peshqit, zogjtë që ushqehen me ato insekte. Ky është ai sistem, një pjesë prej tyre nuk i dimë, por e dimë që ndikimin e ndryshimeve klimatike po e ndjejnë në mënyrë të shkallëzuar”, shton Arsovski.

    Llojet që jetojnë në habitate me lagështi, si pellgje dhe këneta, janë më të rrezikuara për shkak të thatësirës më të madhe. Për ta, thotë Arsovski, nuk ka zgjidhje tjetër, e evakuojnë ujin dhe ajo zonë nuk është më me lagështi, kështu që ato automatikisht nuk mund të ushqehen e as të riprodhohen.

    Por, kjo nuk është ashtu për ato lloje siç janë, për shembull, mushkonjat aziatike që mund të migrojnë.

    “Për shkak të ndryshimeve klimatike dhe ndryshimit të stinëve ​​mushkonjat aziatike kanë filluar të lëvizë drejt veriut. Stinët po bëhen më dramatike, me periudha më të gjata të thatësisë, kështu që ato migrojnë kah veriu, kah pjesët më të ftohta. Në rastin tone në veri të Afrikës është brezi mesdhetar, e ky jemi ne. Ato vijnë në territorin e Evropës, ndërsa disa lloje janë gjerësisht të përhapura, si për shembull në Itali, ku malaria është rishfaqur pas 3 dekadash”, thotë Arsovski.

    Pasojat i ndjejnë edhe kulturat me rëndësi ekonomike, përfshirë këtu edhe ato në Maqedoni, ku mollët dhe hardhitë janë jashtëzakonisht të rëndësishme, por edhe më të rrezikuarat. E gjithë kjo, sipas Arsovskit, është për shkak të bilancit ujor, periudhave të gjata të thatësisë dhe mundësisë së shfaqjes së keqbërësve, që nga ana tjetër ndikojnë në përdorimin më të madh të pesticideve. E gjithë kjo ndikon tek frutat, por edhe tek gjithçka që fitojmë prej tyre.

    “Këtë vit për herë të parë në Itali pati një rënie serioze të prodhimit të verës, që erdhi si pasojë e thatësirës ekstreme që e ka kapluar Italinë, e në veçanti jugun e Italisë në këto tre vitet e fundit. Dhe nga ana tjetër, paralelisht, tani kemi vende të tjera në botë që nuk janë dalluar për prodhimin e verës, por tani pikërisht për shkak të kushteve klimatike po bëhen të tilla. Kështu që tani gjithnjë e më shumë po dëgjojmë për verën e prodhuar në Australi, Zelandën e Re, në veri të Kilit, Argjentinë, Kanada, nga vende që më parë nuk kanë qenë të njohura për prodhimin e verës”, thotë Arsovski për Meta.mk.

    Sipas Platformës Ndërqeveritare të Shkencës dhe Politikave për Biodiversitet dhe Shërbime të Ekosistemit (IPBES), rreth një milion lloje kafshësh dhe bimësh kërcënohen nga zhdukja. Ndryshimet klimatike prekin të paktën 10.967 specie në Listën e Kuqe të Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës dhe parashikimet sugjerojnë se nëse temperaturat globale rriten për 2°C deri në vitin 2100, rreth 18% e të gjitha llojeve të specieve në tokë do të përballen me një rrezik të lartë nga zhdukja.

    Kafshët më të ndjeshme do ta pësojnë edhe më keq, më shumë se 30 përqind e insekteve dhe salamanderëve do të përballen me rreziqe të larta.

    Një nga kafshët më të rrezikuara janë arinjtë gjigantë panda, të cilët ushqehen ekskluzivisht me bambu. Ndryshimet klimatike po e reduktojnë sasinë e bambusë që rritet në habitatet natyrore të pandave në Kinë. Përveçse është ushqimi i tyre kryesor, bambuja u siguron atyre edhe strehim, duke i lënë ata të pambrojtur në çdo front.

    E njëjta gjë ndodh edhe me breshkat e gjelbra – pra, gjinia e një breshke foshnjë varet nga temperatura e rërës ku është veza e tyre. Kështu, në zonat më të ngrohta ka më shumë breshka femra, ndërsa me ndryshimin e klimës numri i breshkave meshkuj do të zvogëlohej ndjeshëm.

    Sipas Listës së Kuqe të llojeve të rrezikuara lloji më i rrezikuar për shkak të ndryshimeve klimatike, sipas Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), është gepardi. Numri i popullsisë së gepardëve po zvogëlohet në mënyrë drastike për shkak të ndryshimeve klimatike sepse po zvogëlohet edhe numri i kafshëve me të cilat ato ushqehen. Si rezultat, gepardi duhet të ndryshojë dietën dhe të gjuajë kafshë të tjera që jetojnë në të njëjtin mjedis. Siç thuhet në hulumtim, shpesh here këto kafshë (gjahu i gepardëve) nuk kanë të njëjtën vlerë ushqyese si gjahu i tyre i zakonshëm, gjë që ndikon në aftësinë e tyre për t’u çiftuar.

    Akullnajat e Grenlandës po shkrihen pesë herë më shpejt se 20 vjet më parë

    Të dhëna shqetësuese për vitin më të nxehtë dhe ndryshimet klimatike vijnë pothuajse çdo ditë nga një numër i madh hulumtimesh. I fundit prej tyre është hulumtimi që zbuloi se ngrohja globale ka rritur për pesë here shkallën e shkrirjes së akullnajave të Grenlandës në 20 vitet e fundit.

    Pllakat e mëdha lundruese të akullit që janë një tipar i pazëvendësueshëm i hemisferës veriore po parandalojnë ngritjen e nivelit të detit, thuhet në këtë hulumtim të publikuar më 7 nëntor e të cilin e përcolli Washington Post.

    Sipas tij, që nga viti 1978 shtresa e akullit ka humbur 35 përqind të vëllimit të saj të përgjithshëm.

    “Kjo është e barabartë me humbjen e rreth 400 miliardë tonëve akull lundrues i cili vepronte si një lloj kapaku duke parandaluar derdhjen e akullnajave në det dhe përshpejtimin e ngritjes së nivelit të detit”, shkruan Washington Post.

    Shkrirja e akullit të Grenlandës është një shqetësim i veçantë sepse shtresa e lashtë e akullit, nëse shkrihet plotësisht, ka ujë të mjaftueshëm për të rritur nivelin e detit për të paktën gjashtë metra.

    Disklejmeri për Smart Balkans, disclaimer
    Lajmi Paraprak

    LEN: kundërshtojmë provokimet fetare në vend

    Lajmi i rradhës

    Politikanët nuk duan të pyeten për pagat

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë