Policia, në shërbim të popullit apo të partisë?

    Nga polemikat për shërbime të huaja, kontroll partiak e deri te diskriminimi etni. Në këtë vijë kanë vazhduar përplasjet politike në vend. Debati është përqendruar rreth ndryshimeve të propozuara në Ligjin për Policinë, të cilat parashikojnë punësime pa konkurs dhe shfuqizimin e nenit që garanton përfaqësim të drejtë etnik dhe gjinor në këtë institucion.

    VMRO-DPMNE: LSDM në shërbim të agjendave të huaja
    Akuzat e para vijnë nga VMRO-DPMNE, e cila në një deklaratë zyrtare e ka akuzuar LSDM-në për, siç thuhet, “shërbim ndaj agjendave të huaja dhe funksionarëve që veprojnë kundër interesave të shtetit”. “LSDM vetëm di të shërbejë agjendave të huaja për përfitime personale. Edhe tani, funksionarë të saj janë të përfshirë në aktivitete të dyshimta të nxitura nga shërbimet bullgare, duke vepruar kundër interesave të shteti”, thuhet në kumtesën e publikuar nga VMRO-DPMNE.

    Partia në pushtet thekson se LSDM dikur ka bërë lëshime të dëmshme për vendin vetëm për të përfituar në biznese personale, ndërsa shton: “Nuk është rastësi që këto aktivitete të intensifikohen pas dështimit të Bullgarisë në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian. Kjo përputhje kohore dhe qëllimore tregon se LSDM vazhdon të jetë e lidhur me qarqe të huaja që nuk i duan të mirën Maqedonisë së Veriut”.

    LSDM: VMRO policinë po e shndërron në milici partiake 
    Në reagimin e saj, Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë i hodhi poshtë këto akuza, duke i cilësuar si “propagandë të tejkaluar” dhe një përpjekje për të shmangur përgjegjësinë për skandalet aktuale të lidershipit të VMRO-së.

    “Është e pabesueshme që Mile Lefkov, deputeti që nuk guxon të shfaqet në mesin e qytetarëve të Koçanit dhe që nuk ndihmoi asnjëherë viktimat e tragjedisë atje, tani del si mbrojtës i shtetit”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

    LSDM i rikujton opinionit publik disa prej skandaleve që, sipas tyre, janë lidhur me drejtues të VMRO-së, përfshirë edhe liderin Hristijan Mickoski.

    “Ndërkohë që heshtin për këto skandale, ata sillen sikur nuk ka ndodhur asgjë, dhe tentojnë të defokusojnë nga ligjet e reja represive si ai i ministrit Toshkovski, që e kthen policinë në instrument të VMRO-së për ndjekje politike”, shkruan LSDM.

    Në fund të reagimit, LSDM ngre disa pyetje drejtpërdrejt: “Pse hesht Mickoski për pasaportën e tij bullgare? A është e vërtetë që ka bërë pazare për jetët e fëmijëve të humbur? Pse po e shndërrojnë policinë në një milici partiake?”, përfundon komunikata e kësaj partie.

    ASH: Punësime pa konkurs, diskriminim ndaj shqiptarëve
    Ndërkohë, Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës ka dalë me një reagim të fortë ndaj ndryshimeve të propozuara në Ligjin për Policinë. Sipas ASH-së, ndryshimet janë të rrezikshme dhe përbëjnë hap të qëllimshëm për të përjashtuar shqiptarët nga një prej institucioneve më të rëndësishme të shtetit.

    “Pas uzurpimit të pozicioneve drejtuese në të gjitha institucionet, Qeveria monoetnike e VMRO-së tani ka vendosur të pastrojë nga shqiptarët edhe radhët e policisë së rregullt. Me ndryshimet e reja të propozuara në Kuvend, fshirja e nenit 96 që parasheh përfaqësimin e drejtë etnik dhe gjinor, nuk është i vetmi ndryshim që godet shqiptarët. Përveç kësaj, në propozim parashihet që policia të mund të realizojë edhe punësime pa konkurs”, thuhet në reagimin e ASH-së.

    Sipas kësaj partie, përfshirja e formulimit “edhe pa konkurs” në nenin 97 dhe heqja e fjalëve “me përjashtim” në paragrafin vijues, krijon bazë për punësime arbitrare dhe të pabarabarta, në përputhje me interesat partiake të VMRO-së.

    “Kur kemi parasyshë qasjen e deritanishme të kësaj qeverie, kuptohet lehtë se punësimet pa konkurs do të bëhen vetëm për maqedonas dhe militantë partiak të VMRO-së. Në gjithë këtë situatë, partitë e koalicionit VLEN dhe zëvendësministri i punëve të brendshme, në vend që të parandalojnë këtë, kanë zgjedhur të bëjnë avokatin e VMRO-së dhe të relativizojnë goditjet kundër shqiptarëve”, shton ASH në deklaratë.

    Disa ditë më parë, Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar gjithashtu ndaj ndryshimeve në Ligjin për Policinë, duke rikujtuar se neni për përfaqësim të drejtë është hequr me miratimin e përfaqësuesve shqiptarë në mbledhjen e Qeverisë.

    “Përpjekja e të përzgjedhurve shqiptarë të VMRO-s në qeveri për të shfajësuar veten për heqjen e Nenit 96 nga Ligji për Policinë është kulmi i hipokrizisë dhe shprehja më e qartë e mungesës së tyre reale në qeverisje. Tani po premtojnë se do ta ‘rregullojnë me amendamente në Kuvend’, ndërkohë që kanë qenë vetë të pranishëm në mbledhjen e Qeverisë ku ky ndryshim u miratua në heshtje. Ky është një fakt i pakundërshtueshëm”, thuhet në reagimin e BDI-së.

    Sipas kësaj partie, neni 96, që garantonte përfaqësimin etnik në polici, është një detyrim kushtetues që buron nga Amendamenti 6 dhe Marrëveshja e Ohrit. Heqja e tij nuk është një “lapsus”, por pjesë e një strategjie për të përjashtuar shqiptarët nga institucionet shtetërore, veçanërisht nga strukturat e sigurisë.

    Ndërkohë, zv.kryeministri Izet Mexhiti, përballë akuzave të opozitës dhe të BDI-së, është shprehur se bëhet fjalë për “të pavërteta, shpifje dhe akuza të pabaza për Ligjin për Policinë”. Ai ka theksuar se përfaqësimi i drejtë do të rikthehet në ligj përmes amendamenteve që do të propozojnë në Kuvend.

    Përplasjet politike në lidhje me policinë, vinë në një moment të ndjeshëm, në periudhë para-zgjedhore, ku besimi i qytetarëve mbi këtë institucion duhet të jetë i lartë, për të garantuar proces të qetë dhe demokratik. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Emocionet dhe të nxënit, fëmijët mësojnë më shumë nga një mësues që i do

    Lajmi i rradhës

    RMV — përgatiten masa ndaj çmimeve të larta të banesave

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë