Pollogu vlon nga lypësit

    Periudha e verës në Pollog është pe njohur se në vendlindje kthehen mërgimtarët dhe rritet dukshëm frekuentimi I qytetarëve në pjesët qendrore të Tetovës dhe Gostivarit. Këtë frekuentim të madh të qytetarëve më së miri e shfrytëzojnë lypësit në rrugë, të cilët në këtë periudhë të vitit shfaqen në çdo skaj të këtyre dy qyteteve. Por, vendi më i preferuar i tyre mbetet pjesa qendrore ku më shumë ka lëvizje. Këta lypës, zakonisht në moshë të mitur, i gjen në trotuare afër institucioneve shtetërore dhe atyre private. Kryesisht qëndrojnë afër postës, afër zyrave të telefonisë celulare, bankave, por nuk mugojnë as para objekteve fetare, më së shumti afër xhamive dhe kishave. Këta vende janë të preferuara për lypsarët gjatë orëve të ditës, kurse në mbrëmje hasen para kafeterive dhe restoranteve.

    Kohëve të fundit, lypësit vërehen edhe nëpër vendbanime rurale, sidomos nëpër fshatrat e Pollogut. Përveç kësaj, zakonisht lypësit i hasim edhe në bulevardet kryesore të qytetit, në semaforin tek rruga industriale, ku shpesh herë këta të mitur duke kërkuar lëmoshë rrezikojnë jetën e tyre. Nga SPB-Tetovë sqarojnë se ky fenomen është në kundërshtim me ligjin për kundërvajtje kundër rendit dhe qetësisë publike, kurse gjobat janë nga 15 deri në 50 euro në kundërvlerë në denarë, ndërsa prindërit të cilët do të përfshijnë fëmijët e tyre në kërkim të lëmoshës dhe do t`i lënë pas dore do të përballen me përgjegjësi penale dhe burg deri në katër vite. “Policia sikurse viteve të kaluara në koordinim me institucionet tjera edhe këtë vit do të ndërmarrë aktivitete parandaluese për këtë lloj shkelje dhe punohet në gjetjen e një zgjedhje afatgjate për këtë fenomen në shoqërinë tonë”, thonë nga SPB-Tetovë.

    Problem në vete është se shumë lypsarë në këtë kohë sillen nga qytete tjera. Nga Qendra për Punë Sociale në Gostivar thonë se gjatë kësaj periudhe të vitit, kur ka edhe kthim të mërgimtarëve në vendlindje, gjithnjë ka rritje të numrit të lypësve në rrugët e qytetit të Gostivarit. Nga kjo qendër pohojnë se shpesh herë të rriturve që kërkojnë lëmoshë, u tërhiqet vërejtje që të mos dalin me fëmijë në rrugë dhe të mos abuzojnë me të miturit. Problem në vete është se këta persona që kërkojnë lëmoshë janë të qyteteve tjera.

    ”Me këtë rast është i madh edhe numri i lypësve që vijnë nga qytetet tjera.Për këtë arsye, ekipet e qendrës për punë sociale në Gostivar dhe pjesëtarëve të policisë kanë intensifikuar praninë e tyre në terren me qëllim të kapjes dhe dorëzimit të atyre personave në qendrat sociale nga ata vijnë”, thonë nga Qendra Ndërkomunale për Punë Sociale në Gostivar.

    Ajo që është më tragjike është se në shumë raste këta lypsarë janë fëmijë që keqpërdoren nga ndonjë rrjet i organizuar i bandave të cilët në fund ua marrin të hollat e grumbulluara atyre duke i lënë në mëshirë të fatit. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Krijimi i partive të reja në RMV paralajmëron zgjedhje parlamentare

    Lajmi i rradhës

    Sa janë të sigurt trotinetet elektrike në RMV?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë