“Prej qiellit nuk bien paratë, me paratë e popullit bëjnë skandale” – qytetarët të revoltuar për ushqimin e lirë të deputetëve

    Duke komentuar çmimet qesharake të ushqimit që u servohet deputetëve në Kuvend, qytetarët thonë se janë ata që i mbajnë të zgjedhur e popullit edhe më ushqime përkundër privilegjeve tjera që ata gëzojnë në paga astronomike e të mira tjera.

    Disa qytetarë të anketuar thonë se këmba e tyre kurrë nuk ka shkelur madje as në restorantet më të lira. E ndërkohë, deputetët thonë se ata nuk janë fajtor që për një kafe në Kuvend paguajnë 10 denarë, që një supë e konsumojnë për 60 denarë,  që për një sallatë paguajnë edhe 20 denarë apo për një kilogram mish peshku të pjekur paguajnë vetëm se 390 denarë. Ata thonë se këto shërbime i kanë trashëguar.

    Se deputetët i kanë shujtat më të lira në vendet e tyre të punës, këtë e dëshmon menyja e restorantit të Kuvendit. Por, jo të gjithë hanë aty. Jo se është ushqimi bajat, por luksin e gjejnë në restorantet më prestigjioze të kryeqytetit.

    Në rastet kur kanë dreka pune me delegacione të jashtme, kreu i kuvendit mund të qerasë vetëm me një nënshkrim në faturë të taksapaguesve. Disa nga deputetët që takuam rastësisht arsyetojnë koston me cilësinë e ushqimit dhe të shërbimit, disa të tjerë nuk pajtohen me atë.

    “Mendimi im, por besoj edhe i shumicës së deputetëve çmimet janë të tregut, janë çmime reale dhe niveli i kostove tregon se nuk ka intencë primare realizimi i profitit, pra realizimi i një qëllimi lukrativ”, tha Arbër Ademi, Deputet i BDI-së.

    “Paguan populli, ne paguajmë për ta se nuk ka falas askush s’të jep, mua deri më sot askush s’ më dha. Në restorante asnjëherë, kurrë hiq, me çka me dal me një pension, as nuk mund ti shohësh as se ku janë”, tha një qytetar.

    “Unë mendoj se nuk duhet të ketë qytetarë të privilegjuar as në Kuvend as në aspekt të restoranteve, por është diçka që është vendosur, jo 30 por 50-60 vite më herët arsyet nuk i di, mbase lidhet me faktin se si janë trajtuar politikanët në të kaluarën”, u shpreh Afrim Gashi, Deputet i Alternativës.

    “Po sigurisht se populli, prej qiellit nuk bien paratë, me paratë e popullit bëjnë skandale. Asnjëherë! Përse? Për shkak ekonomisë së dobët, dihet ajo punë”, u shpreh një qytetar tjetër.

    “Deputetët nuk janë fajtorë se askush nuk na ka konsultuar për këto çmime që nuk i di, ndërsa do të shpërbehen deputetët dhe personi përgjegjës që udhëheqë këtë institucion duhet ta… studentët dhe të tjerët janë me kapacitet financiar më të dobët”, tha Adnan Neziri, Deputet i Aleancës për Shqiptarët.

    “Po normalisht se ne, kush do të paguaj. Me 12 mijë denarë pension ne i paguajmë. Asnjëherë nuk shkojmë në restorante, hamë në shtëpi sepse nuk kemi mjete të mjaftueshme financiare”, u shpreh një tjetër qytetar.

    Sipas rregullores për institucione shtetërore, për furnizim të gjërave ushqimore në Kuvend, Presidencë, Qeveri dhe resorët tjerë shtetëror, përgjegjëse është Drejtoria për punë të përgjithshme dhe të përbashkëta.

    Menynë me çmime simbolike ku një espresso kushton 10 denarë, një sallatë mes 15 dhe 30 denarë e  deri te ushqimi më i shtrenjtë 390 denarë për kilogram  peshk të pjekur, nuk mund ta shijojnë qytetarët, por vetëm deputetët dhe nëpunësit e institucioneve përkatëse, të cilët ka raste kur marrin edhe ushqim me vete në shtëpi të llojit “take a ëay” për të hequr edhe darkën për të gjitha familjet e tyre. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Në RMV ende ka automjete transporti që qarkullojnë pa leje përkatëse

    Lajmi i rradhës

    Raporti i Komisionit Europian: Proceset e bllokuara dhe dialog i keq në Parlament

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë