Presidenti do të mund të falë vetëm personat me aktgjykim

    Me zgjidhjen e re ligjore për falje do të mund të falen vetëm personat për të cilët ka përfunduar procedura gjyqësore. Presidenti i vendit në të ardhmen nuk do të mund të falë persona të dyshuar apo të akuzuar, por vetëm ata për të cilët ka një aktvendim gjyqësor se kanë kryer një vepër të caktuar penale.

    Kështu ka bërë të ditur ministri i Drejtësisë, Nikolla Tupançevski, i cili ka thënë se është përgatitur një zgjidhje krejtësisht e re ligjore, që të mos ketë interpretime të ndryshme për faljet.

    “Zbatimi i atij ligji vërtet ka treguar se vërtet ka dispozita, që interpretohen ndryshe. Në këtë drejtim jemi munduar dhe po mundohemi të minimizojmë mundësitë e tilla për interpretime të ndryshme të ligjit, ashtu që janë dhënë kritere të sakta, dihet saktësisht se cilat institucione deri ku i kanë kompetencat dhe praktikisht janë zhdukur të gjitha ato mundësi për abuzim të ligjit për faljen”, tha Nikolla Tupançevski, Ministër i Drejtësisë.

    Një pjesë e juristëve profesionistë kanë frikë se zgjidhja e re ligjore për faljen mund të keqpërdoret për qëllime politike, dhe për të shmangur këtë, sugjerojnë që në komisionet e faljes të përfshihen edhe gjykatës.

    “… sepse vendimet në emër të popullit i marrin gjykatësit, dhe gjykatësit nuk marrin pjesë në falje. Dhe ky është një element shumë i rëndësishëm, sepse nga njëra anë do të kemi vendime të marra nga gjykata dhe nga ana tjetër do të kemi falje politike të disa personave në bazë të një komisioni të caktuar, nga Ministria e Drejtësisë gjë që nuk është në rregull…”, u shpreh Toni Menkinovski, avokat.

    Ka një sërë shembuj në vendin tonë të qytetarëve të liruar, për të cilët procedurat gjyqësore nuk kanë përfunduar. Shembulli i fundit është rasti i “27 prillit”, kur u miratua ligj i posaçëm me të cilin u falen disa nga të dyshuarit për hyrje të dhunshme në parlament, përfshirë edhe deputetë.

    Presidenti i mëparshëm, Gjorge Ivanov, mori vendim për faljen e 56 ish-zyrtarëve të dyshuar në rastet e PSP-së. Disa prej tyre ishin ish-zyrtarë të zbulimit si Goran Grujevski dhe Nikola Boshkovski, të cilët ikën në Greqi, dhe megjithëse shteti kërkoi ekstradimin e tyre, gjykata greke u thirr në faljen e Ivanovit dhe nuk i ekstradoi. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Nuk ka rikthim për Pogba, Juventus zgjedh mesfushorin e Barcelonës

    Lajmi i rradhës

    Malësori, as mitik, as malok

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë