Presidenti kroat: Serbia duhet ta kuptojë se Kosova është e pavarur

    Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka komentuar zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.

    I pari i shtetit kroat ka pohuar se Kosova është shtet i pavarur dhe se këtë realitet duhet ta pranojë Serbia, raporton index.hr.

    “Serbia duhet të kuptojë dhe të pranojë se Kosova është e pavarur. Fatkeqësisht, kjo nuk është pranuar nga disa anëtarë të tjerë të Bashkimit Evropian”, tha Milanoviq.

    Ai tha se në samitin e kaluar të NATO-s, pas pushtimit rus të Ukrainës, ishte i vetmi që u bëri thirrje vendeve evropiane, të cilat ende nuk e kanë bërë këtë, ta njohin Kosovën.

    “Por, kjo është si të flasësh me një mur. Disa vende nuk e kanë njohur sepse kanë frikë nga precedentë që përfundimisht, në një moment krize, në një rënie të imunitetit, mund të zbatohen në vendet e tyre dhe t’u merret diçka”, tha Milanoviq.

    Presidenti kroat deklaroi se duhet të ndalojmë së përsërituri se Kosova është Serbi, “Nuk është vëlla, është punë e mbyllur”.

    Kosova ende nuk është njohur nga pesë anëtarë të Bashkimit Evropian – Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.

    Ndërkohë, Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kroacisë, Mario Banoziq, ka thënë se kontingjenti kroat në Kosovë është i sigurt dhe se nuk do të ketë tërheqje.

    “Nuk bëhet fjalë për tërheqje të kontingjentit, Kroacia si një anëtare e përgjegjshme e NATO-s ka detyrimet e saja, të cilat i përmbush në mënyrën më të mirë. Gjithçka është e sigurt, ushtria jonë është e gatshme për detyrat që kanë përpara”, tha Banoziq. Kontingjenti kroat i KFOR-it në Kosovë ka gjithsej 151 pjesëtarë.

    Lajmi Paraprak

    Serwer: Për situatën në veri, ShBA-ja po e mbështetë 100% Serbinë, nuk i kanë kritikuar sulmet e banditëve

    Lajmi i rradhës

    Kurti për CNN: Kosovën nuk do t’ia dorëzojë “milicive fashiste” (Video)

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë