Presidentja e Kosovës vazhdon të mos e fal asnjë të burgosur

    Vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti 69 kërkesa për falje kanë shkuar në drejtim të Presidentes Vjosa Osmani nga të burgosurit. Nga Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) thonë se nuk kanë marrë asnjë përgjigje pozitive në kërkesa. Mos shfrytëzimin e kësaj të drejte nga Presidentja, KMDLNJ po e vlerëson si “shpërdorim kushtetues”, që përveç që shkel të drejtat e të burgosurve vë në pozitë të palakmueshme institucionin e SHKK-së.

    Është e para e shtetit dhe pozita e saj i jep shumë të drejta, megjithatë Vjosa Osmani nuk po i përdorë të gjitha.

    Asaj i lejohet amnistia e të burgosurve, emrat e të cilëve i vijnë përmes Ministrisë së Drejtësisë e Shërbimit Korrektues të Kosovës, pas rekomandimeve që i jep komisioni ‘ad hoc’ për shqyrtimin e kërkesave të të burgosurve.

    Numri i tyre është dyshifror këtë vit.

    “Numri i të dënuarve që kanë kërkuar falje të dënimit nga Presidentja e Republikës së Kosovës për vitin 2024 është 69 kërkesa. Deri më tani nuk kemi pranuar ndonjë dekret për falje të dënimit nga Presidentja”, kanë thënë nga SHKK.

    Që nga marrja e mandatit, Osmani nuk ka liruar nga burgu asnjë person.

    Këtë po e konsideron shpërdorim të një të drejte kushtetuese, Behxhet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

    “Është abuzim me të drejtat e të privuarve nga liria, që të përfitojnë nga sjellja e mirë. Realisht nuk është normale. Askush nuk mund ta arsyetoj që nga 500 kërkesa që i bëjnë të burgosurit të mos gjendet asnjë i vetëm”, ka thënë Behxhet Shala nga KMDLNJ.

    Kjo sipas Shalës i vë edhe në pozitë të palakmueshme edhe zyrtarët e Shërbimit Korrektues.

    “Ia vështirëson punën edhe SHKK-së, sepse ata nuk kanë si të arsyetohen para burgosurve për sjelljen e mirë të tyre që iu premtojnë se mund të përfitojnë diçka. Në pozitë të palakmueshme dalin edhe ata që monitorojnë sjelljet e të burgosurve”, ka thënë Shala.

    Dukagjini që nga e mërkura e ka dërguar pyetje edhe në presidencë, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje se pse Presidentja Vjosa Osmani nuk po e shfrytëzon këtë të drejtë. /Dukagjini/

    Lajmi Paraprak

    O’Brien: na është premtuar që Radoiçiq do të përballet me ligjin në Serbi

    Lajmi i rradhës

    Moti gjatë ditëve të ardhshme në RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë