Mendësia se “duhet me rreh fëmijën që të marrë vesh” është e pranishme kudo në RMV

    Mendimi se fëmija mund të disiplinohet vetëm nëpërmjet dhunës edhe pse jo si në vitet e mëparshme vazhdon që ende të mbetet prezent në shoqërinë tonë. Mendësia se “duhet me rreh fëmijën që të marrë vesh” është prezent kudo, në rrugë, në transport publik, në shtëpi, pasi prindërit që i thonë këto shprehje nuk i kanë në mendje pasojat në rritjen dhe zhvillimin e fëmijës. Ata nuk janë të vetëdijshëm se mund t’i shkaktojnë trauma të rënda fëmijës të cilat do të shkaktojnë dhimbje emocionale tek fëmijët si dhe do të tejkalojnë aftësinë e tyre për t’u përballur me situatën.

    Që prezenca e dhunës në fakt mund të marrë një ndikim negativ në vend të qëllimit për të cilin prindi e përdor atë shprehet edhe psikologja Hana Memedi. Sipas saj, dhuna është një akt destruktiv i cili sikurse tek çdo individ shkakton dëm tek fëmijët, të cilët dhunën mund ta përjetojnë në mënyra të ndryshme.

    “Fëmijët të cilët rriten në një ambient toksik, ku është prezent dhuna qoftë fizike apo psikologjike rriten me ndjenjën e vazhdueshme të pasigurisë, ndërsa me humbjen e sigurisë shembet edhe besimi se fëmijët duhet mbrojtur dhe se bota është një vend i mirë për të jetuar. Pamundësia e tyre për t’u përballur me këto situata mund të ndikoj që ata të ndihen të pavlefshëm dhe të krijojnë imazh negativ për veten që më pas të krijojnë simptoma të ankthit, stresit, depresionit, zemërimit që do t’i përcjellin ata në të ardhmen”, u shpreh psikologja Memedi.

    Sipas psikologëve, dhuna fizike apo ndëshkimi trupor i cili përdoret nga prindërit, kujdestarët apo persona përgjegjës për fëmijët e që synon shkaktimin e dhimbjes me qëllim të korrigjimit të sjelljes së tyre, në fakt krijon efekt emocional të abuzimit dhe dhunës, si izolimi, frika, dhe paaftësia për të besuar, ndërsa më pas këto mund të shndërrohen në pasoja për gjatë gjithë jetës, përfshirë këtu edhe vetëvlerësimin e ulët, depresionin, dhe vështirësitë në komunikim. Sipas disa studimeve, 80% e të rinjve që kanë përjetuar dhunë në fëmijëri, plotësonin kriteret për të paktën një çrregullim psikiatrik në moshën 21-22 vjeçare.

    Lindita Vejseli-Mustafa psikologe, tha për KOHA se një fëmijë i cili procesin e përshtatjes e ka kaluar siç duhet, ai fëmijë mëson nga gabimet, ka dobi nga korrigjimi,i tejkalon vështirësitë, pranon limitet e veta, dhe më e rëndësishme nuk shpërthen në agresivitet kur pengohet apo frustrohet për diçka.

    “Nëse gjatë kohës së fëmijërisë së hershme fëmija has në vështirësi gjatë përshtatjes, atëherë dështimi i tillë shfaq agresivitetin, kur fëmija nuk është në gjendje ti durojë këto ndjenja të brishta dhe përshtatja nuk realizohet, atëherë kemi pasojën e agresivitetit. Ndërsa, mospërshtatja ndodh në rastet kur fëmija nuk e njeh fjalën ‘JO’, kur gjithçka i plotësohet dhe servohet nga ana e prindërve, atëherë në momentin e parë që ai do hasi në pengesë, frustrimi bëhet aq i madh sa fëmija nuk mund të pajtohet me të, prandaj kërkon që me çdo kusht t’i plotësohet dëshira”, thekson Vejseli-Mustafa. Sipas saj nëse fëmija mësohet me dhunë ai edhe do të shfaqë dhunë pasi e kupton si diçka të zakonshme, kur në fakt i vetmi trajtim që duhet t’i bëhet është vënia në vend e procesit të përshtatjes, sepse sa më herët që ai ta kuptojë këtë aq më pak do të shfaqë mosbindje dhe rebelim. “Në punën time me pacientë, shpesh ndodh që prindërit të ankohen se kanë fëmijë të pakuptueshëm, hiper-aktiv, kokëfortë, inatçorë, e shumë ‘epitete’ tjera. Ne gjithë këta fëmijë i fusim në grupin e ‘fëmijëve me gabime në edukim’, dhe ky gabim iu referohet prindërve, pasi në rastet kur fëmija qan për telefonin ndërsa ju e dini se nuk duhet të ja jepni por ja jepni për shkak që nuk mund ta duroni ose ju dhimbset, çfarë e keni mësuar me këtë? Se më të qara e me të bërtitura, dhe se me luftë fitohet gjithçka. Prandaj fëmijët pastaj janë mos-bindës, rebelues, dhe inatçorë, se sjelljet agresive mësohen në shtëpi”, tha psikologja.

     Në bazë të raportit të policisë në vetëm tre muaj viktima të dhunës në familje kanë qenë 25 fëmijë, 13 të gjinisë mashkullore dhe 12 të gjinisë femërore.

    PRINDËRIT INTERVENOJNË QË FËMIJËT E TYRE TË KENË NOTA MË TË MIRA

    Kryetarja e Komisionit Antikorrupsion, Biljana Ivanovska nga Shkolla Fillore “26 Korriku” në Shkup njoftoi se fushata “Bëhuni heronj të ndershmërisë” ka mbërritur në shkollën e pestë, nga gjithsej 13 shkolla ku duhet të promovohet. Ivanovska tha se kampanja do të vijojë edhe në 8 shkolla jashtë qytetit të Shkupit, me qëllim që të luftohen padrejtësitë gjatë notimit të nxënësve. “Më së shpeshti, prindërit intervenojnë që të përmirësohen notat, thonë se kanë presion nga prindërit që gjithmonë të jenë të shkëlqyeshëm e kështu me radhë, për këtë vlerësojmë se është shumë me rëndësi të dinë ta ndërtojnë vlera në vetvete, të mos mësojnë për nota, por për dituri dhe nga ata tutje të dalin profesionistë që so ta ndërtojnë këtë shoqëri”, tha mes tjerash Ivanovska. 

    Lajmi Paraprak

    Spitalet gjermane po ballafaqohen me presionin financiar

    Lajmi i rradhës

    Kaloi 1 tetori, shkolla në Vizbeg ende askund!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë