Kriza ekonomike si pasojë e pandemisë dhe luftës në Ukrainë, si dhe vendimi për rritjen e pagës minimale, kanë sjellë pakënaqësi të madhe në më shumë sektorë. Vlon në sindikata, administratë, arsim dhe punonjës të postës që kërkojnë paga më të larta dhe kushte më të mira pune. Në të kundërtën, paralajmërohen greva dhe ndërprerje të punës. Rritja e pagës minimale nga 15 në 18 mijë denarë në sektorin privat, e cila subvencionohet nga shteti, ishte arsyeja fillestare që zgjoi apetitet edhe në sektorët tjerë. Tani të gjithë kërkojnë një pagë më të lartë. Por jo vetëm kaq – lista e kërkesave po zgjerohet vazhdimisht. Kështu sindikatat mendojnë se me rritjen e pagës minimale duhet të harmonizohen të gjitha pagat.
“Rritja graduale duhet të negociohet me punëdhënësit. Sipas ligjit, punëdhënësit janë të detyruar ta zbatojnë atë përputhshmëri brenda 6 muajve. Dhe kjo po zvarritet, edhe pse ne si punëtorë jemi në një situatë të vështirë, sepse tashmë ka inflacion të lartë. Ne kërkojmë që të mos taktizohet, të mbajmë punëtorin në Maqedoninë e Veriut, e jo të ndërtojmë ekonomi të tjera”, tha Darko Dimovski, kryetar i Federatës së Sindikatave të Maqedonisë. Nëse nuk plotësohen kërkesat, atëherë shpallin greva dhe protesta.
NDRËRPRERJE E PUNËS NË GJYKATA
Të punësuarit në administratë dhe gjyqësor të enjten dhe të premten do ta ndërpresin punën për dy orë, nga ora 10:00 deri në 12:00, duke kërkuar pagesën e pagës minimale dhe rritje lineare të pagave të të gjithë të punësuarve për 2806 denarë. Protesta do të ketë në të gjitha ato institucione ku Sindikata e AOGJSHQ ka organizata sindikale si ministri, agjenci, fonde, administrata dhe gjykata. “Do të ketë ndërprerje pune. Janë njoftuar edhe Qeveria dhe ministritë, të gjithë punëdhënësit. Kërkoj nga qytetarët që të jenë të durueshëm, nuk është shumë, janë dy orë, por ato dy orë mund të rriten dhe të jenë prej tetë orë ndërprerje”, tha kryetari i Sindikatës së AOGJSHQ-it, Tërpe Deanoski në konferencën e sotme për media. Nëse kërkesat e tyre nuk dëgjohen nga autoritetet, ata njoftojnë se do të radikalizojnë protestat.
PROTESTA EDHE NË ARSIM
Pakënaqësi ka edhe te anëtarët e SASHK-ut, të cilët nuk mund të arrijnë marrëveshje me Qeverinë për kërkesat e tyre. SASHK kërkon rritje të pagave prej 18.4 për qind. Nëse nuk gjendet një zgjidhje e përbashkët, greva e përgjithshme në arsim dhe kopshte do të nisë të hënën (11 prill) dhe do të zgjasë deri në plotësimin e kërkesave sindikaliste. “Kur nxënësit dalin në grevë, mësuesit u shkruajnë atyre mungesa pa arsye – kush do t’u shkruajë mësuesve pa arsye?”, pyeti kryetari i Lidhjes së Nxënësve të shkollave të mesme, Luka Paviceviq. “E drejta për arsim është e garantuar me kushtetutë. Shteti, siç di, duhet ta sigurojë për të gjithë nxënësit, pa ndërprerje. Duhet të inkurajohet solidariteti ndërmjet të gjithë pjesëmarrësve në procesin arsimor. Një sistem arsimor më i mirë është në interesin e të gjithëve”, tha Paviçeviq.
NË GREVË EDHE POSTAT
Sindikata e Postës së Maqedonisë së Veriut dhe organizata sindikaliste e SHA Posta e Maqedonisë së Veriut më 14 prill do të organizojnë grevë të përgjithshme, për shkak të mospërmbushjes së kërkesës së tyre për rritje të rrogave të të punësuarve në këtë ndërmarrje, në shumë prej 3.000 denarëve. Shkaku për grevën, siç theksoi në konferencën e sotme për shtyp kryetari i Sindikatës së Postës së Maqedonisë së Veriut, Boro Veligdenov, vjen pas dialogut të pasuksesshëm trepalësh mes Këshillit drejtues të Postës së MV-së, Qeverisë dhe Organizatave sindikaliste të Postës së Maqedonisë së Veriut. Greva e përgjithshme e të punësuarve do të mbahet me fillim në orën 8:00 në vendet e tyre të punës në Postën e Maqedonisë së Veriut dhe në të gjitha filialet në tërë vendin. Greva do të zgjasë derisa nuk përmbushen kërkesat e tyre. /koha/