Prindërit e viktimave nga zjarri në Koçan, protestuan në Shkup për drejtësi

    Banorët e Koçanit duke ndezur qirinj në shenjë nderimi për 59 viktimat e tragjedisë në Koçan / Fotografia: Emir Hamzi

    Nën moton “Marshi i engjëjve,” prindërit e viktimave nga zjarri në diskotekën “Puls” në Koçan para Prokurorisë Publike në Shkup kërkuan përgjigje dhe drejtësi për vdekjen e më të dashurve të tyre. Me pankarta që thoshin “korrupsioni vret” dhe kërkesa për dorëheqjen e prokurorit të shtetit, prindërit me lot në sy thanë se ndihen të tradhtuar.

    “Ne jemi sundimtarët tuaj, jo ju tanët. Ne ju paguajmë mijëra euro që ju të bëni krime milionëshe. Një Prokurori Publike që nuk ka reaguar pas asnjë informacioni të marrë. Nuk keni dalë asnjëherë të veproni në bazë të një informacioni të marrë, të paktën një herë”, tha Vladimir Apostolov.

    Marshi protestues vazhdoi edhe para Kuvendit, ku prindërit e viktimave treguan se si të dashurit e tyre humbën jetën në zjarrin tragjik të natës së kobshme të 16 marsit.

    “Ai ishte aq human që nuk mund t’i linte shokët e tij të vdisnin, ku ishin shokët, atje ishte dhe ai. Deri në shpresën e fundit, me çelësin në dorë, për të shpëtuar jetën e dikujt deri te makina e tij, e humbi dhe jetën e tij”, u shpreh Nëna e një të ndjeri nga zjarri në diskotekën “Puls”.

    “Së bashku nga Shkupi në Koçani, nga Koçani në periferi të qytetit në diskotekë dhe aty jeta e tyre miqësore mbaroi. Plot energji, plot rini, dhe tani pushojnë së bashku. Ata erdhën nga Shkupi së bashku dhe vdiqën së bashku, dhe askush nuk ka një shpjegim pse? Në emër të korrupsionit, ryshfetit dhe parave, fëmijët tanë kanë pësuar”, u shpreh Babai dhe nëna e miqve që ndërruan në diskotekën “Puls”.

    Përpara Parlamentit, prindërit kërkuan gjithashtu të takoheshin ballë për ballë me përfaqësuesit e zgjedhur kurse deputetët e opozitës iu përgjigjën thirrjes. Para qytetarëve dolën disa deputetë të LSDM-së, të udhëhequr nga kryetari Venko Filipçe, si dhe deputetë nga E Majta. Filipçe tha se ata nuk janë këtu për të fituar pikë politike.

    Pas Kuvendit, prindërit u drejtuan për në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ku u takuan me ministrin Pançe Toshkovski.

    Gjatë protestës, përfaqësuesit e prindërve hynë gjithashtu në ndërtesën e prokurorisë publike ku biseduan me prokurorët që merren me lëndën. Nga ajo që njoftoi prokuroria, prindërit morën informacion të plotë në lidhje me rrjedhën e hetimit, si dhe u informuan për dinamikën e marrjes në pyetje të palëve të dëmtuara si fazë tjetër e procesit hetimor. Në zjarrin në diskotekën “Puls” humbën jetën 62 persona kurse hetimi i 13 prokurorëve tregoi se ajo po punonte me licencë të falsifikuar. Hetimi deri më tani ka përfshirë 68 individë dhe tre persona juridikë, përfshirë ish-ministrin e Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, si dhe tre ish-kryetarët e komunës së Koçanit të cilët u lëshuan në paraburgim shtëpiak. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Kreshnik Bekteshi mbetet në paraburgim, Gjykata e Apelit refuzon ankesën

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë