Edhe pse trajektorja e çmimeve të shërbimeve gastronomike në Maqedoni vazhdon ngjitjen në raport me vendet e tjera në Evropë, por edhe në rajon – Maqedonia e Veriut radhitet si një nga vendet më të lira sa i takon ushqimit dhe pijeve.
Sipas të dhënave zyrtare, muaji mars ofroi shërbime shtatë për qind më të shtrenjta sesa një vit më parë, sa i takon kategorive të ushqimit, pijeve dhe fjetjes.
“Indeksi i çmimeve të shërbimeve gastronomike në mars 2025, krahasuar me shkurt 2025, është rritur për 1 për qind, ndërsa krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë, është rritur me 6.9 për qind. Indeksi kumulativ i çmimeve të shërbimeve gastronomike-hotelerike për periudhën janar-mars 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, është rritur me 6.2 për qind, ndërsa krahasuar me dhjetor 2024 është rritur me rreth 1 për qind”, konstatohet nga Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS).
Në rang shërbimesh në Evropë, Shkupi radhitet si kryeqyteti i tretë me kosto më të lirë sa i takon ushqimit dhe pijeve, pas Prishtinës (Kosovë) që është kryeqyteti më i lirë dhe Sarajevës (Bosnje dhe Hercegovinë). Sa i takon vendeve të tjera të rajonit më të shtrenjta janë Tirana, Sofja dhe Podgorica.
Sipas një listimi të bërë nga agjencia “Omio”, çmimi i një vakti më të lirë kushton mesatarisht 4.18 paund, një birrë vendase 1.67 paund dhe një kapuçino është 1.02 paund.
“Çfarë konsiderohet vakt i shtrenjtë për standardin evropian? Kontrasti i çmimeve është tek kryeqytetet si Oslo renditet si qyteti më i shtrenjtë për ushqim dhe pije në Evropë. Ku një vakt kushton mesatarisht 20.30 paund, një birrë vendase 8.83 paund dhe një kapuçino 3.70 paund – krejt kontrast, apo jo? Vaduz, Rekjavik, Kopenhagen dhe Berna rezultojnë si pesë qytetet më të shtrenjta për ngrënie”, thuhet në analizën e agjencisë “Omio”. /Koha/