Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski premton se këtë vit nuk do të ketë kaos përpara sporteleve për pajisje me dokumente personale. Ai thotë se përveç rritjes së kapacitetit të punëtorëve në korniza të shërbimeve administrative, janë vënë në funksion një numër më i madh kabinash, ndërsa janë hapur edhe lokacione të reja në 6 komuna të reja, ku qytetarët do të mund të marrin shërbime administrative për pajisje me dokumente.
Kryeministri Mickoski nga ana tjetër, paralajmëroi se po punohet dhe së shpejti do të dalin me informacion që ekzemplarët e pasaportave të mos shtypen më jashtë, por të shtypen brenda vendit. Ai nuk e përjashtoi mundësinë që përveç ndërprerjes së importit të ekzemplarëve, të krijohen mundësi për eksport të tyre, respektivisht për shtypje të ekzemplarëve për shtetet tjera.
“Atë që e thash si numër, më shumë se 200 mijë qytetarë do të munden që në korniza të komunave të tyre të nxjerrin të gjitha dokumentet e nevojshme, si letërnjoftim, pasaportë, patentë shoferi…Të themi mërgimtarët nga rajoni i Likovës nuk do të kenë më nevojë të shkojnë në Kumanovë dhe të nxjerrin dokumentet personale, por në korniza të stacionit policorë në komunën e Likovës, do të mund të fotografohen, prej atje t’i tërheqin dokumentet, atje të dorëzojnë kërkesa. Kështu që vlerësojmë se në 6 komuna kemi hapur shërbime të tilla, që t’i lehtësojmë nga njëra anë qytetet më të mëdha, ndërsa nga ana tjetër të mund të jenë më afër qytetarëve”, tha Pançe Toshkovski, Ministër i Punëve të Brendshme.