Ministri i ri i Transportit, Aleksandar Nikolloski paralajmëroi përfundimin e autostradës Kërçovë-Ohër deri në vitin 2026. Aksi rrugor që kompania kineze Sinohydro e ndërton tash e një dekadë, ballafaqohet që nga fillimi me probleme nga më të ndryshmet si projektimet e gabuara, rrëshqitjet e dheut…
FUNKSIONALE NË 2026-ën
“Sa i përket ndërtimit të autostradës Ohër-Kërçovë, ka probleme të shumta. Ne po i zbulojmë ato tani. Disa kanë të bëjnë me shpronësimin, disa kanë të bëjnë me projektimin e shpatijeve, disa kanë të bëjnë me objektet që janë në vetë trasenë, kryesisht pikat e karburantit që duhet të zhvendosen dhe janë në vetë trasenë. Ajo që mund të them është se si do të bëjmë, do ta bëjmë, por premtimin që e dhamë se do të ketë autostradë funksionale deri në fund të vitit 2026, do ta realizojmë”, tha Nikolloski.
Sipas dekanit të Fakultetit të Ndërtimtarisë pranë Universitetit “KirilI dhe Metodi”, Goran Markovski, ajo që po ndodh me autostradën Ohër-Kërçovë tregon se projektimi i projekteve serioze infrastrukturore, veçanërisht projekteve infrastrukturore lineare, meriton vëmendje shumë më të madhe dhe periudhë më të gjatë të projektimit.
“Ka shumë elementë që janë specifikë nga aspekte të ndryshme, por një konstatim i përgjithshëm që mund të nxirret është se projektimi është një fazë shumë e rëndësishme në ndërtimin e përgjithshëm të këtyre investimeve kapitale. Projekti ka një histori të gjatë. Është punuar në një kohë tjetër. Filloi të projektohet në mijëvjeçarin e fundit, në vitin 1999, me disa kuptime dhe rregulla të tjera në zgjidhjen e problemeve të caktuara teknike. Nëse sot do të projektohej kjo autostradë, sigurisht që do të trajtohej ndryshe dhe do të gjendeshin zgjidhje të ndryshme për disa probleme që po ndodhin tani”, tha Markovski.
Me fjalë tjera, autostrada e nisur me ndërtim në shkurt të vitit 2014, tani pritet të përfundojë pas më shumë se 12 vitesh si rrjedhojë e problemeve të panumërta që e përcjellin ndërtimin e saj.
Me një aneks të Marrëveshjes, fillimisht afati i ndërtimit ishte shtyrë deri më 30 qershor 2021 dhe më pas afati ishte shtyrë sërish edhe për dy vite të tjera, pra deri në fund të vitit 2023. Sipas vlerësimeve fillestare, ndërtimi i autostradës nga Kërçova deri në Ohër është dashur të kushtojë 374 milionë euro, por pas anekseve të shumta shtesë ka arritur në gati 600 milionë euro dhe akoma nuk kanë të sosur harxhimet për ndërtimin e këtij aksin rrugor.
Në ndërkohë, Revizioni Shtetëror mungesën e një qasjeje sistematike dhe analitike dhe gatishmërinë e pamjaftueshme në planifikimin, projektimin, ndërtimin dhe rikonstruksionin e pjesëve rrugore në të gjithë vendin, gjë që shkakton rritje të vlerës së kontratave të lidhura dhe zgjatje të afatit për ndërtimin/rikonstruksionin e seksioneve.
Në raporte, arsyet kryesore për ngadalësimin e ndërtimit të seksionit, përveç mangësive të projektit, përmenden edhe: shpronësimi i vonuar për shkak të marrëdhënieve juridike të pazgjidhura pronësore, si dhe shpronësimi shtesë i tokës për shkak të nevojës së shfaqur për të zbutur prerjet e shpateve, nevoja për dislokim të objekteve të infrastrukturës mbitokësore dhe nëntokësore (linjat e energjisë elektrike, linjat e transmetimit dhe komunikimit të energjisë, instalimet e ujësjellësit dhe kanalizimeve), si dhe objektet individuale banimi dhe tregtare që përkojnë me gjurmën e seksionit, miratimi i landfilleve të reja në terren, për shkak të rritjes së gërmimeve të pritura në prerje gjatë zbutjes së shpateve të paqëndrueshme dhe numrit të pamjaftueshëm të personelit teknik, mekanizimit dhe pajisjeve të ofruara nga kontraktuesi.
Problem madhor tani janë 13 rrëshqitjet për të çilat do të bëhen ende projekte dhe do të konfirmohet dinamika e punës dhe koha e nevojshme për riparimin e tyre si dhe për të përfunduar 16% e të cilave i referohen punimeve të objekteve, tuneleve dhe gërmimit të materialit tokësor.
Ministri i mëparshëm i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoja Boçvarski, para deputetëve u tha se nga kontrolli i punëve të kryera është shënuar ecuria e punimeve në masën 83.84%, ku objektet janë realizuar 88%, tunelet në 93%, dhe gërmimi i materiali i tokës në 83%. Lidhur me pjesën e mbetur të korridorit tetë si autostradë , kompania “Bechtel dhe Enka” deri tani fitoi 240 milionë euro në vitin e kaluar për punët përgatitore , ndërsa sivjet duhet ti paguhen edhe 250 milionë euro shtesë. Këto mjete financiare janë të dedikuara për ndërtimin e autostradës Tetovë-Gostivar-Bukojçan, Trebenishtë-Strugë-Qafë Thanë dhe Prilep-Manastir, që janë shpallur në programin e financimit të infrastrukturës rrugore për projektin Korridori 8 dhe Korridori 10D.
JO SHKËPUTJE KONTRATE
Për autostradat që do të ndërtojë “Bechtel&Enka”, ministri Nikollovski pretendon se kontrata nuk do të ndërpritet, por do të kërkojnë nga pala tjetër që të pajtohet që të mos jetë më sekret shtetëror. Sipas tij, do të bëhen përpjekje që kompania të ndërtojë më shumë kilometra autostradë për të njëjtën shumë parash sa parashikohet në kontratë, duke shtuar se shteti do ti humbte këto mjete nëse eventualisht do të shkëputej kontrata.
Në ndërkohë nga kompania amerikano turke thonë se shpronësimi për autostradën “Bechtel dhe Enka” nuk ka nisur, dhe pritet miratimi i Qeverisë për projektin. Për autostradat që do të ndërtohen në korridoret 8 dhe 10d në muajin prill të këtij viti janë bërë testime gjeoteknike dhe topografike në segmentet Gostivar – Tetovë, Bukojçan-Gostivar dhe Manastir-Prilep. Punime tokësore ka pasur edhe në segmentin Bukojçan-Gostivar dhe Manastir-Prilep, ndërsa segmenti Qafë Thanë-Trebenishtë-Strugë nuk ka aktivitet, tregon raporti i mbikëqyrjes i publikuar në fillim të qershorit për ecurinë e ndërtimit të autostradave që po ndërton konsorciumi amerikano-turk “Bechtel dhe Enka”.
Sipas tij në muajin prill të këtij viti, kontraktori ka punuar kryesisht në projektimin e shpronësimit, rrjetin gjeodezik, rilevimin topografik, hetimet gjeoteknike, specifikimet dhe projektimin e autostradës. Raporti tregon se 89 për qind e projektit të shpronësimit është bërë për seksionin Gostivar Tetovë, 49 për qind për Bukojçan-Gostivar dhe 86 për qind për seksionin Manastir-Prilep.
Projektimi i shpronësimit është thelbësor për projektet e autostradave sepse është projekti i parë që kërkohet për të filluar aktivitetet e projektimit të autostradave.
Projekti i shpronësimit është zhvilluar në kuadër të Projektit Urbanistik për objektet me interes strategjik për autostradën. Projektimi i shpronësimit është përgjegjësi e punëdhënësit për të cilin janë angazhuar kontraktorë specialistë.
Theksohet si shënim i rëndësishëm se ky nuk është një paradhënie shpronësimi. Dizajni i shpronësimit është një hap i kërkuar përpara fillimit të një procesi formal të shpronësimit. Përgatitja e projektit të shpronësimit i mundëson punëdhënësit të fillojë procesin e vlerësimit, por procesi i shpronësimit mund të fillojë vetëm pasi të miratohet Projekti Urban për objektet me interes strategjik nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, sqaron mbikëqyrja e “Bechtel Enka”.
Për Gostivar-Tetovë janë përgatitur 88 për qind të projekteve urbanistike, për Bukojçanin Gostivar 72 për qind dhe për Manastir-Prilep 75 për qind. Hulumtimet topografike janë kryer në tërësinë e tyre në të tre seksionet. Gjithashtu 80 për qind e testeve të nevojshme gjeoteknike janë bërë për rrugën Gostivar-Tetovë, 56 për qind për Bukojçan-Gostivar dhe 44 për qind për atë Manastir-Prilep.
Kontrata me “Bechtel and Enka” me vlerë 1.3 miliard euro është nënshkruar në mars të vitit të kaluar. Duhet të përdoret për të ndërtuar një rrjet autostradash me një gjatësi totale prej 109 kilometrash. /Koha/