PRITSHMËRITË E QYTETARËVE NË 2023 | “Të ndalet inflacioni dhe të stabilizohen çmimet”

    Pritjet e qytetarëve në vitin e ri 2023 janë që më në fund të ndalet inflacioni dhe të stabilizohen çmimet. Të tilla janë parashikimet e Bankës Popullore, institucion i cili njoftoi se do të ketë periudhë të uljes së kostos së jetesës së qytetarëve. Projeksionet e fundit të Bankës Qendrore tregojnë se viti 2022 u mbyll me inflacion prej 14,3 për qind. Për këtë vit bëhet me dije se do të ketë stabilizim dhe normalizim të situatës, por sërish do të ketë përqindje të lartë prej nëntë për qind të inflacionit. Në vitin 2024 pritet ulje e kësaj goditjeje të inflacionit, kur inflacioni do të ulej në 2,5 për qind ndërsa në vitin 2025 mund të bjerë nën dy për qind.

    “Banka Popullore reagon në mënyrë të duhur ndaj presioneve që barten nga tregjet ndërkombëtare të produkteve primare, pra produkteve ushqimore bazë dhe energjisë, ndaj çmimeve vendore dhe e shtyjnë inflacionin në rritje. Pasiguria mbetet e lartë, prandaj Banka Popullore vazhdon t’i monitorojë zhvillimet ndërkombëtare dhe vendore dhe nëse është e nevojshme do të reagojë në përputhje me rrethanat”, thonë nga Banka Popullore.

    Goditja më e madhe për qytetarët vitin e kaluar ishte ajo e çmimeve. Qytetarët reagonin pas çdo blerjeje. Gjithçka nisi me rritjen e çmimit të vajit të gatimit. Nga çmimet që nuk i kalonin 60 denarë për një litër vaj në mesin e vitit të kaluar, ky produkt bazë shitej për më shumë se 150 denarë. Pasoi periudhë e rritjes së shpejtë të të gjitha produkteve ushqimore.

    Anketë

    “Çdo gjë është bërë më e shtrenjtë, buka, vaji, qumështi”.

    “Me 10 mijë denarë çfarë mund të blejmë, jemi 6 persona. Qeveria mendon vetëm për njerëzit përreth, nuk mendon për asgjë tjetër”.

    Me masën për energji elektrike të subvencionuar për sektorin ushqimor, qytetarët prisnin menjëherë të merrnin ushqime më të lira nëpër markete dhe furra, por kjo nuk ndodhi. Tregtarët u justifikuan se kishin rezerva që i kanë blerë shtrenjtë kurse prodhuesit vazhduan me ankesat e tyre, këtë herë se, lëndët e para për produkt final janë të shtrenjta. Qeveria i kërcënoi se nëse nuk shohin ndryshim të çmimeve në periudhën në vijim, inspektorët do t’u trokasin në derë.

    “Qeveria ka mekanizëm monitorues përmes inspektorateve kompetente se si lëvizin çmimet e shërbimeve dhe nëse konstaton se tregtarët nuk i ulin çmimet e produkteve të tyre, ka në dispozicion mekanizma për të kufizuar çmimet apo marzhat, siç është bërë më parë”, tha Viktor Andonov, këshilltar i qeverisë për energji.

    Në tetor të vitit të kaluar, LSM-ja bëri të ditur se për një vit jeta e një familjeje katër anëtarëshe është shtrenjtuar në krahasim me të njëjtin muaj të 2021 për 17 mijë denarë, të njëjtat produkte dhe shërbime për të cilat familjet kanë paguar 34 500 denarë tani kushtojnë 51 500 denarë. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Aeroporti i Shkupit me udhëzime për udhëtarët

    Lajmi i rradhës

    FMN: Viti 2023 nuk do të sjellë rimëkëmbje ekonomike as në RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë