Ngrirja e çmimeve të ushqimit si dhe përkufizimi i marzhave është e mirëseardhur, mirëpo efektet tregohen të shkurtra dhe jo të qëndrueshme. Mënyra më e mirë për të zbutur inflacionin dhe shtrenjtimin e jetesës për qytetarët është rritja e prodhimtarisë vendore të ushqimit, vlerësojnë ekspertët.
Njëherësh me rritjen e inflacionit në vitet e fundit, shporta minimale e konsumit për një familje katër anëtarëshe arriti mbi 60 mijë denarë, (rreth 1000 euro), që do të thotë se dy të punësuar me pagë minimale nuk mund t’i mbulojnë shpenzimet mujore. Bile në këtë shportë,ushqimi dhe pijet marrin pjesë me më shumë se një të tretën apo 22 mijë denarë nevojiten për ushqim që është e njëjtë me vlerën e pagës minimale.
Edhe paga mesatare prej afër 41 mijë denarë që nuk e marrin shumica e të punësuarve përmbush vetëm pjesërisht shportën konsumatore, apo thënë ndryshe mungojnë edhe 20 mijë denarë për të mbijetuar muajin.
Nga ana tjetër, ekspertët thonë se përvojat e periudhës së kaluar kur ka pasur masa të ngjashme, tregojnë w se çmimet përkohësisht janë zbutur, për tu shtrenjtuar më pas me skadimin e masave.
Eksperti ekonomik Arben Halili thotë se përderisa Maqedonia e Veriut është e varur nga importi i produkteve dhe prodhimi vendor është në rënie, vështirë se do të ketë ndryshime të trendeve të tilla.
“Vendi po bëhet peng i importeve. Ne importojmë gjithnjë e më shumë, dhe prodhojmë gjithnjë e më pak për konsum të gjerë. Duhet të ndryshojmë mendësi, duhet të ndryshojmë strategjinë që do të mbështesë prodhimin vendas, që sigurisht duhet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e çmimeve. Nëse vazhdojmë të jemi të varur nga importi, çmimet do të jenë më të larta”, thekson Halili.
Përfaqësues të biznesit vlerësojnë se përskaj rritjes së prodhimtarisë vendore të ushqimit nevojitet të mendohet edhe për uljen e tatimeve të produkteve bazë ushqimore.
“Thelbësore është të rritet prodhimi bujqësor së bashku me prodhimin e ushqimit industrial të ushqimit. Deri tani politikat e vjetra agro-ekonomike na bënë që të importojmë 80 për qind të produkteve bujqësore, ushqimore dhe lëndëve të para në industrinë ushqimore dhe ne prodhojmë vetëm 20 për qind. Është e nevojshme mbështetja e fortë e bujqësisë dhe prodhimit, duhet krijuar një situatë në të cilën tregtia do të jetë më e shtrenjtë dhe prodhimi më i lirë. Për këtë nevojitet mbështetje konkrete përmes linjave të lira kreditore, granteve për investime në prodhim, një fond ndërhyrjeje për bujqësinë, si dhe subvencione për t’u shkuar prodhuesve realë, jo qiramarrësve fiktive të tokës bujqësore”, thekson nënkryetar i Lidhjes së Odave Ekonomike, Goran Gjorgjievski.
Statistikat tregojnë se si shtet jemi të varur nga importi për produkte ushqimore bazë, si gruri (mielli), vaji i gatimit, mishi (pule dhe viçi), qumështi….
Problem më vete është pakësimi i tokës së punueshme, ulja e numrit të kafshëve si rezultat i një kombinimi të disa faktorëve, ku spikat është shpopullimi apo largimi i të rinjve nga zonat rurale dhe braktisja e kapaciteteve prodhuese si dhe plakja e fermerë ve dhe mungesa e fermerëve të rinj së bashku me mesataren prej afër dy hektarë të tokës punuese bujqësore. Kjo shkakton edhe uljen e prodhimtarisë bujqësore dhe blegtorale në shtet.
Nga Federata e Fermerëve disa vite po ankohen se lëvizjet e tilla në bujqësi, ku çmimet e produkteve të blera janë shumë të ulëta në raport me çmimet e prodhimit, kanë një efekt demotivues tek fermerët e vegjël të cilët spontanisht fillojnë të zvogëlojnë sipërfaqet e tyre dhe të largohen nga zonat rurale.
Një numër i madh fermerësh zvogëlojnë sipërfaqet e tyre, sepse kanë çmime më të larta për prodhim sesa ato që janë në shitje. Disa herë e kemi theksuar se duhet të zhvillohen kapacitetet përpunuese që të mund të rritet blerja e produkteve vendore me të cilat duhet të prodhohet përpunimi vendor i perimeve dhe frutave. Ky është një segment vërtet i rëndësishëm që mund të nxisë dhe të ndihmojë zhvillimin e bujqësisë vendore.
Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet përmirësimit dhe mirëmbajtjes së infrastrukturës bujqësore në fushën e rrugëve, ujitjes, dhe ballafaqimit me ndryshimet klimatike. Gjithashtu prodhimi me kontratë duhet të respektohet dhe të funksionojë sipas Ligjit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural. Nëse kjo nuk bëhet, natyrisht, si vend i varur nga importi i produkteve ushqimore, do të kemi një çmim edhe më të lartë të produkteve ushqimore, vlerësojnë nga Federata e Fermerëve. /Koha/