Deri në fund të javës pritet të konkretizohen emrat të cilat do të plotësojnë vendet e zbrazëta në ministritë dhe institucionet tjera shtetërore, të cilat janë udhëhequr nga kuadro të Aleancës për Shqiptarët të Arben Taravarit. Këto vende pritet të plotësohen nga struktura të Aleancës të cilët nuk janë pajtuar me kryetarin e tyre që të braktis qeverinë dhe kanë ngelur në kuadër të koalicionit VLEN.
Në pozitën e ministrit të shëndetësisë është propozuar që të jetë Azir Aliu, i cili në qeverinë paraprake ka ushtruar funksionin e ministrit të shoqërisë informatike dhe administratës. I pyetur se sa është e kapshme që një programer të jetë në krye të Shëndetësisë, zv/kryeministri Izet Mexhiti tha se nuk është e domosdoshme që ministri i Shëndetësisë të jetë i fushës së Shëndetësisë, por kusht kryesor është të jetë një menaxher i suksesshëm, për çka Mexhiti beson se Aliu ka këtë kapacitet.
“Ministri duhet të jetë një menaxher i mirë, i cili e njeh sistemin, i cili do të kontribuojë në menaxhimin më të mirë të atij resori. Ka pasur shembuj edhe në të kaluarën edhe tani. Kështu që mendoj se Azir Aliu është propozimi i duhur për postin e ministrit të shëndetësisë”, theksoi zv/kryeministri Izet Mexhiti. Ai njoftoi se këto ditë duhet të konkretizohen edhe emrat për postet tjera që i kanë takuar ASH-së së Arben Taravarit si zv/ministri i Bujqësisë dhe zv/ministri i Mbrojtjes dhe i institucioneve tjera të eshalonit të tretë. Mexhiti njoftoi se këto poste do të zëvendësohen nga struktura të Aleancës për Shqiptarët të përfaqësuar nga Arben Fetai në VLEN.
“Këto ditë diskutohet në strukturat e Aleancës, aty fjalën kryesore e ka Arben Fetai, normalisht si pjesë e VLEN-it. Do të mbeten në kuadër të VLEN-it”, theksoi zv/kryeministri Mexhiti. Ai tha se pret që VLEN të forcohet edhe më tej, pavarësisht nëse nga ky koalicion ka dalur Arben Taravari. Mexhiti njoftoi edhe për vendimet që i kanë marrë në mbledhjen e funsit të kryesisë qendrore. “Veçmë VLEN-i po rritet. Dje na u bashkëngjitën anëtarët e Aleancës për Shqiptarët në krye me Arben Fetain. Dhjetë anëtarë nga ana e tyre u bashkëngjitën në VLEN. Është emëruar shefi i shtabit zgjedhor Adnan Azizi. Ai dje informoi për ekipin që e ka formuar, për hapjen e shtabeve në të gjitha qytetet ku pretendojmë për zgjedhje lokale dhe punojnë për vizionin dhe programin”.
Azir Aliu ka lindur më 15 prill 1976 në Gostivar. Ai është inxhinier i diplomuar i elektroteknikës. Ai u diplomua në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike në Universitetin e Shën Kirilit dhe Metodit në Shkup, ku mori edhe diplomën master në inxhinieri elektrike, ndërsa ka doktoruar në shkenca kompjuterike. Ai jep mësim në Universitetin Nënë Tereza dhe është gjithashtu anëtar i Komisionit të AEK-ut, një lloj Bordi Menaxhues i Agjencisë. Më herët ka qenë edhe këshilltarë i ish-kryeministrin Nikolla Gruevski.
ANGELLOV NË DMSH, ALI NË QMK
Pas largimit të krahut Taravari nga Qeveria, do të ketë ndryshime të tjera, të cilat do të vendosen më vonë. Stojançe Angelov është u.d. drejtor i ri i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim. Siç informoi vet Angelov, sipas marrëveshjes paraprake me kryeministrin Hristijan Mickoski, ai është shkarkuar nga pozita e drejtorit të Qendrës për Menaxhim me Kriza dhe që nga sot e merr detyrën e re. Ndërkohë në pozitë të drejtorit të QMK-së, pozitë të cilën deri tani e ka ushtruar Stojanço Angellov, është emëruar Muhamed Ali, i cili është kuadër i VLEN-it. I pyetur nëse do të mund të vazhdojë ritmin e drejtorit të deritanishëm Angellov, zv/kryeministri Izet Mexhiti tha “Pse edhe mos ta tejkalojë atë”.
Megjithatë Angellov informoi se do të punojë për bashkimin e Qendrës për Menaxhim me Kriza dhe të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në një institucion të vetëm, si pjesë e përkushtimit strategjik të Qeverisë për krijimin e një sistemi bashkëkohor dhe funksional të integruar për menaxhimin me kriza, mbrojtje dhe shpëtim, i cili do të ketë kapacitetet e duhura për t’iu përgjigjur të gjitha sfidave dhe rreziqeve, plotësisht i harmonizuar me standardet e BE-së dhe NATO-s.
“Së bashku me punonjësit që do të tregojnë ambicie për një punë të fortë, të palodhshme dhe të palëkundur, do të përpiqemi t’i tejkalojmë mangësitë dhe dobësitë e evidentuara, me qëllim që Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim të vendoset sa më shpejtë në funksion të plotë. Si drejtor, do të kem mundësinë ta shqyrtoj nga brenda në detaje Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, ta analizoj me kujdes potencialin njerëzor dhe teknik dhe të identifikoj mangësitë e shumta, të cilat do të eliminohen plotësisht në institucionin e ri, i cili do t’i bashkojë funksionet e Qendrës për Menaxhim me Kriza dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në një institucion të vetëm, vetme, në formimin e të cilit po punohet me intensitet, si angazhim strategjik i Qeverisë për të krijuar një sistem bashkëkohor dhe funksional të integruar për menaxhim me kriza, mbrojtje dhe shpëtim, që do të jetë në përputhje të plotë me standardet e BE-së dhe NATO-s”, thekson Angellov.
GASHI: SHUMICA PARLAMENTARE ËSHTË STABILE
Ndërkohë kryetari i Parlamentit, Afrim Gashi theksoi se shumica mbetet e qëndrueshme dhe se Qeveria dhe shumica parlamentare do të punojnë me kapacitet të plotë. Lidhur me atë se kur do të zgjidhet Ministri i ri i Shëndetësisë, Gashi vuri në dukje se Kryeministri është ai që duhet ta propozojë atë, ai propozim duhet të vendoset në rend të ditës dhe më pas do t’u paraqitet të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
“Shumica është e qëndrueshme. Nuk ka dilemë nëse kemi shumicë, bëhet fjalë për njërën nga partitë politike që kalon në opozitë, por shihni që disa deputetë mbeten pjesë e “Vlenit”. Mendoj se Qeveria dhe shumica parlamentare do të punojnë me kapacitet të plotë”, tha kryeparlamentari Gashi. Ai bëri me dije se sapo kryeministri të propozojë emrin, ai do të dorëzohet para deputetëve në seancën e parë të radhës. “Siç e dini, sipas Ligjit dhe Rregullores së Punës, propozimi vjen nga Qeveria. Kryeministri duhet të propozojë një ministër të ri. Kur propozimi të vihet në rend të ditës, ai do t’u dorëzohet menjëherë të gjithë deputetëve në Parlament dhe do ta vendosim në seancën e parë të radhës”, theksoi Gashi.
Përndryshe, pritet ditëve në vijim të ketë një pasqyrë më të qartë sa i përket grupeve parlamentare. Kjo për faktin se deputeti Salim Sulejmani, i cili ishte nga radhët e ASH-së së Taravarit dha dorëheqje, ndërsa atë pritet ta plotësojë deputetja Valbona Adili Emini, nga radhët e VLEN-it. Gjithashtu edhe deputetja Mimoza Musa së fundmi ka deklaruar se është rreshtuar me VLEN-in dhe se do të funksionojë si pjesë e grupit parlamentarë të koalicionit në pushtet. /Koha/