Rishikimi i projektit kundërthënës “Shkupi 2014” ka mbetur në harresë. Edhe pse qeveria premtoi largimin e përmendoreve joligjore nga sheshi i Shkupit, një gjë e tillë nuk ndodhi. Këshilltari i kryeministrit Zaev për urbanizëm dhe ndërtimtari Mirosllav Gërçev, i cili është kryekoordinator i grupit të punës për rishikimin e projektit thotë se institucionet kompetente nuk kanë vullnet politik që të veprojnë mbi elaboratet e tyre.
“Komisioni që punonte në Ministrinë e Kulturës nuk është aktive prej një viti e gjysmë. Elaboratet që i kemi bërë me dokumentacion preciz të jashtëligjshmërisë dhe dëmeve që janë bërë me përmendoret e kemi lënë në Ministri dhe e dorëzuam në Qeveri dhe Prokurori, por nuk kemi marr asnjë përgjigje. Kështu që konstatuam se nuk ka vullnet politik të veprohet në ato elaborate.”- deklaroi Mirosllav Gërçev, Koordinator.
Arkitektët thonë se vendosja e përmendoreve në sheshin e Shkupit është bërë jashtë çdo standardi dhe janë bërë shkelje të shumta ligjore. Ata këmbëngulin se përmendoret joligjore duhet të hiqen.
“Projekti në fjalë ka krijuar kontekste të natyrës historike, ndërtimore, urbanistike, kulturore dhe politike.
Stili arkitektonik dhe urbanistik i objekteve nuk përkon me realitetin që ka ekzistuar në këto troje për shekuj të tërë dhe nuk është menduar për gjelbërimin adekuat brenda hapësirave të sheshit. Dendësia e madhe e objekteve në largësi shumë të vogël nga njëra-tjetra ka krijuar ambient me numër të madh të objekteve në një zonë me sipërfaqe të vogël.”- deklaroi Lulzim Nasufi, Arkitekt.
Ministri e Kulturës në vitin 2017 formoi grup pune për rishikimin e projektit Shkupi 2014. Grupi i punës në bazë të elaborateve kishte rekomanduar largimin e rreth 30 përmendoreve dhe heqjen e 16 fasadave të objekteve të ndryshme të stilit barok. /Alsat M/