Prokuroria e Islam Abazit heton nipin e Ali Ahmetit

    Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ka hapur lëndë për hetimin e shitblerjes së Qendrës tregtare Soriavia, për të cilën thuhet se nipi i Ali Ahmetit, Drini ka marrë mbi 39% të aksioneve. Në përgjigje ekskluzive për Alsat, prokuroria thotë se lëndën për hetim e ka hapur pas zërave në opinion.

    “….pas informacioneve që publikohen vazhdimisht në media, javën e kaluar Prokuroria ka hapur një lëndë sipas zërave në opinion për blerjen dhe shitjen e TC “Soravia”. Rasti i është caktuar prokurorit publik i cili do të veprojë dhe do t’i dorëzojë parashtresat përkatëse institucioneve përgjegjëse për hetimin rrjedhave financiare (Drejtoria e Policisë Financiare, Njësia e Hetimeve Financiare pranë MPB-së, Drejtoria e të Ardhurave Publike, etj.), thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

    Nga VMRO-DPMNE, kërkojnë nga Qeveria dhe kryeministri Kovaçevskit të kontrollojnë nëse është paguar taksa e shitjes dhe si është bërë transaksioni për Soravian. Deputeti Dragan Kovaçki thotë se në institucionet përkatëse në vend nuk është regjistruar asnjë transaksion.

    “Qeveria e Kovaçevskit dhe institucionet nën kontrollin e tij, në vend që të heshtin, duhet të tregojnë nëse është paguar taksa e shitjes për Soravian dhe si është kryer transaksioni? Vallë nipi i Ahmetit përveç që nuk ka paguar asnjë denar për Soravinë, nuk ka paguar asnjë denar për tatimin e shitjes? Sipas asaj që kanë publikuar mediat në hulumtimin e tyre, nuk është regjistruar asnjë transaksion në Maqedoni? Për shkak të kësaj Ahmeti duhet të tregojë se si është bërë shit – blerja dhe përmes cilës rregullore tatimore? Në të njëjtën kohë, duhet theksuar se pretendimet dhe imazhi që Ahmeti dhe të tjerë të përfshirë në këtë rast duan të krijojnë, se Soravia është humbëse, me kredi të mëdha, janë të rreme”, deklaroi Dragi Kovaçki, VRMO-DPMNE.

    Ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi iu shmang pyetjes lidhur me Qendrën Soravia. Ai ka folur vetëm për kompaninë e djalit të kryetarit të BDI-së, Shkumbin Ahmetin. Ai fton kryetarin e VMRO DPMNE-së që bashkërisht të vizitojnë zyrat e Shkumbinit në Kërçovë.

    “Zoti Mickovski, të gjithë anëtarët e partisë së tij janë të ftuar personalisht nga unë dhe bashkë me mua dhe të shkojmë ta vizitojmë zyrën e z. Shkumbin Ahmetit i cili punon privatisht. Punon në Kërçovë e ka zyrën e vetë të arkitekturës dhe siç e theksova ka bërë projekte për shtetet e huaja. Edhe pse djal i liderit Ahmeti ai ka punuar privatisht dhe nuk ka pasur asnjë far lidhje në institucionet shtetërore”, deklaroi Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

    Nga kabineti i Hristijan Mickovskit i kundërpërgjigjen ministrit Bekteshi duke thënë se është për tu habitur niveli i informacionit që ka ministri i Ekonomisë për familjarët e liderit të BDI-së Ali Ahmeti duke e akuzuar se “luan rol të dyfishtë edhe si ministër edhe si zëdhënës i kompanive të familjes Ahmet. Lidhur me ftesën për vizitë të Mickoskit, nga VMRO DPMNE thonë se do të publikojnë edhe gjëra të tjera që lidhen me pronën e familjarëve të Ahmetit duke thënë se ministri Bekteshi edhe atëherë do të ketë dëshirë ti vizitojë të njëjtat. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Arsyeja përse nuk duhet t’i vendosni ushqimet e nxehta në frigorifer

    Lajmi i rradhës

    Ganiu: Nuk ka përçarje në “Grupin e zjarrit”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë