Prokuroria e krimit edhe dy muaj pa drejtues

    Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion të paktën edhe dy muajt e ardhshëm do të jetë pa njeriun e parë. Këshilli i Prokurorëve Publik është duke punuar në organizimin e kësaj njësie, ndërsa zgjedhja e udhëheqësit të organit për ndjekjen e krimit të organizuar nuk varet nga Këshilli. Ligji mbi Prokurorinë Publike përcakton se zgjedhja e prokurorëve në krim të organizuar bëhet me votat e prokurorëve në nivel republikan.

    “Prokurori i krimit të organizuar zgjidhet me votim nga ana e gjithë prokurorëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Këshilli i Prokurorëve Publik emëron për prokuror të krimit të organizuar kandidatin i cili ka siguruar më së shumti vota nga lista e kandidatëve të cilët plotësojnë kushtet”, thuhet në Ligji për Prokurorinë Publike, Neni 66.

    Rrethanat ligjore pamundësojnë edhe pretendimet që për herë të parë me krimin e organizuar të udhëheqë një prokuror shqiptar. Edhe pse përkatësia etnike e prokurorit nuk është kusht në konkursin të cilin e hap Këshilli i Prokurorëve Publik, në opinion ngriheshin zëra se mes partnerëve të koalicionit LSDM dhe BDI ekziston një marrëveshje e cila kishte për kusht udhëheqjen e kësaj prokurorie nga një kuadër shqiptar, në rast se LSDM-ja dëshiron që kryeprokurori aktual, Ljubomir Joveski të zgjidhet gjykatës kushtetues. Asnjëri tabor politik nuk ka folur deri sot për një marrëveshje të tillë, qoftë edhe në rrethana jo zyrtare nën arsyetimin për mos ndërhyrje në punën e Prokurorisë Publike dhe Këshillit të Prokurorëve Publik.

    Udhëheqësja e deritanishme e kësaj prokurorie, Villma Ruskovska e cila u suspendua për shkak të tejkalimit ose nxitimit në procedurë hetimore në rastin e ish drejtorit të Policisë Financiare, Arafat Muaremi vështirë se mund të kthehet në vendin e saj për shkak të procedurave të cilat mund të ngarkohet, njëra disiplinore me vendim të kryeprokurorit dhe tjera penale për shkak të kallëzimi të Muaremit që ndërlidhet me bastisjen në zyrat e Policisë Financiare. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Nga Kievi në Bukuresht: A e ka arritur kulmin ndikimi i Kinës?

    Lajmi i rradhës

    Ohër, s’do ketë shumim artificial të troftës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë