Një grup i protestuesve serbë në Leposaviq – komunë në veri të Kosovës – tentoi të hyjë në objektin komunal, duke besuar se aty është duke u mbajtur një takim mes ministrit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, dhe kryetarit të komunës, Lulzim Hetemi.
REL-i, deri më tash, nuk arriti ta konfirmojë një informacion të tillë.
Pas një bisede të shkurtër me pjesëtarët e misionit të NATO-s, KFOR, të cilët ruajnë ndërtesën e komunës, zyrtari i Listës Serbe, Zoran Todiq, i ftoi të tubuarit t’i afrohen ndërtesës së komunës dhe, siç u shpreh, të hyjnë në vendet e tyre të punës.
Todiq është ish-kryetar i Komunës së Leposaviqit sipas sistemit të Kosovës, por, në të njëjtën kohë, mban edhe pozitën e kryetarit të Autoritetit të Përkohshëm Komunal, që funksionon sipas sistemit serb.
Në ndërtesën komunale në Leposaviq, sikurse edhe në dy komunat tjera me shumicë serbe në veri të Kosovës – Zveçan dhe Zubin Potok – vetëqeverisja lokale e Kosovës dhe ajo serbe janë të vendosura në të njëjtin objekt.
Kjo është edhe arsyeja përse pjesëtarët e komunitetit serb protestojnë që nga fundi i majit – ata nuk duan të lejojnë që kryetarët shqiptarë të komunave të punojnë nga ndërtesat komunale.
Vetëm në Mitrovicën e Veriut ekziston një ndërtesë e veçantë e komunës së Kosovës dhe aty nuk ka protesta.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, shkroi në llogarinë e tij në Twitter se ky është një “provokim i ri”.
“Për këto lëvizje të dhunshme [të kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti e kam informuar menjëherë [të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav] Lajçak”, tha Petkoviq.
Serbët në veri të Kosovës i bojkotuan zgjedhjet e prillit, nga të cilat dolën kryetarët shqiptarë të katër komunave atje.
Tensionet në veri u rritën në fund të majit, kur Policia e Kosovës i ndihmoi kryetarët të futen në ndërtesat komunale, me gjithë kundërshtimet e serbëve lokalë.
Ato kulmuan më 29 maj, kur protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarë të KFOR-it.
Dhjetëra të plagosur u raportuan nga të dyja anët.
Bashkësia ndërkombëtare kërkon nga Kosova që menjëherë ta shtensionojë situatën, përkatësisht t’i tërheqë njësitë speciale të policisë nga veriu, të organizojë zgjedhje të reja lokale dhe të kthehet në dialog me Serbinë.
Nga Beogradi zyrtar, në anën tjetër, kërkohet që të sigurojë pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve në zgjedhjet e mundshme lokale.
Kërkesë e protestuesve serbë, deri më tash, ishte tërheqja e forcave speciale të Kosovës, si dhe lirimi i të arrestuarve për pjesëmarrje në protesta.
Policia e Kosovës arrestoi gjashtë persona të dyshuar për pjesëmarrje në veprimtari kriminale, por vetëm tre prej tyre iu shqiptua masa e paraburgimit prej një muaji.
I fundit që u arrestua ishte Millun Millenkoviq – Llune, për të cilin autoritetet kosovare pretendojnë se është një nga organizatorët e sulmeve ndaj KFOR-it në Zveçan. Ai akuzohet për terrorizëm, ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues dhe rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare.
Qeveria e Kosovës beson se për shkak të arrestimit të tij, Serbia ka “rrëmbyer”, siç thotë, tre policë kosovarë në komunën e Leposaviqit.
Beogradi zyrtar pretendon se ata janë arrestuar në territorin e Serbisë. /REL/