Luftë më serioze ndaj kërcënimeve hibride në RMV

    Kërcënimet hibride morën vrull në botë në kulmin e luftës në Ukrainë, por edhe gjatë pandemisë së me virusin korona, këto kërcënime hibride kërkojnë rezistencë hibride dhe vendet e rajonit së bashku me organizatat ndërkombëtare si BE dhe NATO, në vazhdimësi punojnë për në luftën kundër këtij rreziku të shumëfishtë. Në hulumtimin e Institutit për Studime dhe Komunikim (ISK) me titull “Roli i transparencës institucionale në trajtimin e dezinformatave dhe spekulimeve në Maqedoninë e Veriut”, thuhet se arsimimi mediatik është mjet kryesor në luftën kundër dezinformatave. “Qytetarët që kanë njohuri për mediat janë më të vetëdijshëm për ekzistencën e dezinformatave, mund të marrin pjesë aktive në procesin e monitorimit të lajmeve dhe janë më të aftë të njohin dhe të merren me dezinformatat”, thuhet në hulumtimin e ISK.

    Hulumtimi arriti në përfundimin se nuk kishte asnjë të anketuar që të njihte të gjitha shenjat e lajmeve të rreme në një ose shumicën e lajmeve në internet. Hulumtimi gjithashtu arriti në përfundimin se të rinjtë nga mosha 18 deri në 28 vjeç, të rriturit mbi 60 vjeç dhe personat nga kategoria e cenueshme sociale (përfituesit e ndonjë lloj ndihme sociale) u identifikuan si grupe vulnerabël.

    Sondazhi gjithashtu theksoi se mbi 85 për qind e studentëve dhe pensionistëve ndjekin lajmet në internet, duke treguar se ndjekja e lajmeve dhe mundësia për t’u ekspozuar ndaj dezinformatave përmes mediave digjitale është e lartë në të dy grupmoshat. “Në epokën e digjitalizimit, dezinformata përhapet me shpejtësi, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe duke minuar besimin tek institucionet, me pasoja potencialisht të rënda. Ato përfaqësojnë një problem serioz me të cilin gazetarët përballen çdo ditë në punën e tyre. Rrjetet sociale dhe numri i madh i portaleve (kryesisht të paregjistruara) konsiderohen si gjeneruesit më të mëdhenj të informacioneve dhe lajmeve të rreme dhe të pasakta”, thuhet në hulumtim.

    Hulumtimi ka nënvizuar se manipulimi, propaganda, informacioni i rremë, lajmet e shtrembëruara dhe dezinformimi janë terma të ndryshëm për kërcënimet që synojnë manipulimin e publikut.  “Maqedonia e Veriut me 23 pikë është në vendin e parafundit në renditjen e Indeksit të ri të edukimit mediatik për vitin 2022 . Në renditjen e përgatitur nga Instituti i Shoqërisë së Hapur – Sofje në kuadër të Iniciativës për Politika Evropiane janë vëzhguar gjithsej 41 shtete. Vendin e fundit, të 41-të, e zë Gjeorgjia, dhe e parafundit është Maqedonia e Veriut, ndërsa në vendin e 39 renditet Kosova, Bosnja dhe Hercegovina (24 pikë) është në vendin e 38, Shqipëria (25 pikë) në vendin e 37-të, Mali i Zi (32 pikë) në vendin e 35-të dhe Serbia (35 pikë) në vendin e 32-të. Ndër vendet anëtare të BE-së, Bullgaria renditet më keq, e cila është në vendin e 33-të, menjëherë pas Serbisë”, thuhet në analizën e tyre.

    Në doktrinën ushtarake, termi “kërcënime hibride” nënkupton një gamë të gjerë masash, mjetesh dhe teknikash, të cilat përfshijnë dezinformimin, sulmet kibernetike, manipulimin e së drejtës ndërkombëtare, spiunazhin, sabotimin, përmbysjen politike, presionin ekonomik. Qëllimi i sulmeve hibride është të prekin publikun ose proceset, të cilat janë të rëndësishme. Termi “kërcënime hibride” në sistemet moderne përfshin terrorizmin, korrupsionin, krimin e organizuar dhe krimin kibernetikë. Sipas ekspertëve të sigurisë, vendet e Ballkanit Perëndimor janë në zonën ku mbivendosen interesat e fuqive të ndryshme, të cilat mund të jenë të kundërta ose paralele me interesat tona. Prandaj, shtetet duhet të ruajnë sovranitetin e tyre informativ, digjital dhe financiar për të parandaluar shfaqjen e dezinformatave që përhapen jashtë dhe brenda.

    Sulmet më të shpeshta janë nëpërmjet sistemeve të informacionit, të cilat, sipas ekspertëve të sigurisë, janë treguar se kanë potencialin të jenë veçanërisht të cenueshëm. /koha/

    Lajmi Paraprak

    “Krah për krah” në terren për vota!

    Lajmi i rradhës

    “Pandemia rriti nevojën për ndihmë psikiatrike në RMV”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë