Pse dhe kur janë ndaluar testimet bërthamore?

    Reuters

    Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka lënë pezull mundësinë e rikthimit të testimeve bërthamore, për herë të parë në tri dekadat e fundit.

    Edhe zyrtarë tjerë në Rusi kanë thënë se do të shqyrtohet mundësia e revokimit të ratifikimit të një Traktati për Ndalim të Testimeve Bërthamore.

    Në këtë tekst do të mund të kuptoni sa testime të armëve bërthamore janë kryer, pse janë ndalur dhe kush dëshiron t’i rikthejë prapë?

    Epoka bërthamore

    Shtetet e Bashkuara e kanë nisur epokën bërthamore në korrik të vitit 1945 me një testim të një bombe atomike 20-tonëshe në Alamogordo të Nju Meksikos, dhe më pas me hedhjen e bombave atomike në qytetet japoneze, Hiroshima dhe Nagasaki në gusht të vitit 1945, për dhënie fund të Luftës së Dytë Botërore.

    Bashkimi Sovjetik e ka shokuar Perëndimin kur e ka testuar bombën bërthamore katër vjet më vonë, në gusht të vitit 1949.

    Sipas Kombeve të Bashkuara, përgjatë pesë dekadave, prej vitit 1945, janë kryer më shumë se 2.000 testime bërthamore – 1.032 nga SHBA-ja dhe 715 nga Bashkimi Sovjetik.

    Franca i ka kryer 210 testime të tilla, Britania i ka kryer 45 dhe Kina 45.

    Prej hartimit të Traktatit që i ndalon testimet bërthamore, më 1996, janë kryer edhe 10 testime të reja bërthamore.

    India i ka kryer dy më 1998, Pakistani, po ashtu, dy më 1998, dhe Koreja Veriore ka kryer testime më 2006, 2009, 2013, dy herë, më 2016 dhe 2017, sipas OKB-së.

    Shtetet e Bashkuara e kanë kryer testimin e fundit bërthamor më 1992, Kina dhe Franca më 1996 dhe Bashkimi Sovjetik më 1990. Rusia, e cila trashëgon pjesën më të madhe të arsnealit të ish-Bashkimit Sovjetik, nuk e ka kryer kurrë një kësi testimi.

    Dhënia fund e testimeve

    Me kalimin e kohës janë rritur shqetësimet për këto testime për tokën, nëntokën dhe zonat nënujore, më pas për ndikimin në shëndetin e njeriut dhe ambientin.

    Duke e ndaluar një kësi lloj testimi, ekspertët kanë thënë se do të mund të ulen edhe tensionet mes fuqive botërore.

    Traktati për armët bërthamore parasheh që shpërthimet bërthamore të ndalohen nga të gjithë dhe në çdo vend.

    Ai është nënshkruar nga Rusia më 1996 dhe është ratifikuar më 2000.

    Shtetet e Bashkuara e kanë nënshkruar traktatin më 1996, mirëpo nuk e kanë ratifikuar atë.

    Pse testim i ri bërthamor?

    Për të mbledhur informacione – ose për të dërguar sinjal.

    Testimet ofrojnë dëshmi se çfarë mund të bëjë një armë e re bërthamore – dhe nëse të vjetrat funksionojnë ende.

    Më 2020, Washington Post ka raportuar se administrata e presidentit amerikan, Donald Trump ka diskutuar nëse duhet kryer një testim bërthamor.

    Mirëpo, përveç mbledhjes së të dhënave, një testim i tillë do të mund të shihej në Rusi dhe Kinë si shpërfaqje e fuqisë amerikane.

    Putin ka thënë në shkurt të vitit 2023 – një vit pas nisjes së luftës në Ukrainë – se nëse Shtetet e Bashkuara rinisin testimet bërthamore, edhe Rusia do të vepronte njëjtë.

    Të enjten, më 6 tetor, Putin e ka theksuar se për dallim prej Rusisë, SHBA-ja nuk e ka ratifikuar kurrë traktatin për testim të këtij arsenali.

    Ai e ka përmendur edhe se Parlamenti rus, i cili është plotësisht besnik ndaj tij, do të mund ta revokojë ratifikimin.

    “Nuk jam i gatshëm të them nëse vërtet kemi nevojë të kryejmë testime apo jo, mirëpo në teori është e mundshme që të veprojmë njëjtë sikurse Shtetet e Bashkuara”. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Osmani: Procesi i Berlinit ka peshë të madhe politike dhe ekonomike

    Lajmi i rradhës

    VMRO-ja thirrje Qeverisë: Urgjentisht të korrigjohet lista e produkteve me TVSh të rritur

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë