Pse kanë rëndësi zgjedhjet europiane dhe si funksionojnë ato?

    Evropianët në 27 vende votojnë në qershor në zgjedhje që do të kenë një ndikim të gjerë në të gjithë Bashkimin Europian dhe më gjerë.

    Rreth 400 milionë votues kanë të drejtë të votojnë nga Finlanda në veri deri në Qipro në jug, Irlanda në perëndim deri në Bullgari në lindje.

    Në pyetje është përbërja e Parlamentit të ardhshëm Europian, lidhja e drejtpërdrejtë midis evropianëve dhe institucioneve të BE-së.

    Pse ka rëndësi kjo votë

    Mënyra se si votojnë evropianët do të formësojë drejtimin e BE-së gjatë pesë viteve të ardhshme, mbi ndryshimet klimatike dhe migracionin, integrimin më të madh ose rritjen e nacionalizmit.

    Partitë e krahut të djathtë dhe të ekstremit të djathtë kanë bërë fitime të rëndësishme në të gjithë Evropën, dhe kjo zhvendosje në të djathtë ka të ngjarë të reflektohet në Parlamentin e ardhshëm Evropian.

    Parlamenti, me seli në Bruksel dhe Strasburg, miraton ligje që prekin jetën e qytetarëve të BE-së dhe ka për detyrë të miratojë buxhetin vjetor, i cili këtë vit arriti në 189 miliardë euro.

    Rezultati i zgjedhjeve ka gjithashtu një ndikim se kush do të jetë president i Komisionit Evropian.

    Si funksionon

    Votimi fillon të enjten më 6 qershor në Holandë, i ndjekur nga Irlanda dhe Malta të nesërmen dhe Letonia dhe Sllovakia të shtunën. Shumë vende anëtare të BE-së votojnë të dielën më 9 qershor.

    Shumica e votimeve zhvillohen në një ditë, megjithëse çekët kanë të premten dhe të shtunën për të hedhur votat e tyre, dhe italianët votojnë të shtunën dhe të dielën. Belgët nuk votojnë vetëm në zgjedhjet evropiane të dielën, por edhe në zgjedhjet kombëtare dhe rajonale.

    Në shumicën e vendeve të BE-së duhet të jesh 18 vjeç për të votuar, por nëse je 16, mund të votosh në Gjermani, Austri, Belgjikë dhe Maltë, ndërsa në Greqi mosha minimale është 17. Në një pjesë të vogël vendesh, përfshirë Luksemburgun dhe Bullgarinë, votimi është i detyrueshëm.

    Rezultatet vendosen nga përfaqësimi proporcional, kështu që çdo votë ka rëndësi, megjithëse disa vende kanë një prag minimal elektoral deri në 5 për qind. Pjesëmarrja mesatare në 2019 ishte 50.7 për qind.

    Deri në fund të 9 qershorit, do të jetë e qartë se cilat parti kanë fituar 720 vendet e Parlamentit, 15 më shumë se në vitin 2019. Mbretëria e Bashkuar mori pjesë në zgjedhjet e fundit evropiane përpara se të largohej nga BE, dhe disa nga vendet e saj janë rishpërndarë ose mbahet në rezervë nëse BE-ja zgjerohet.

    Numri i eurodeputetëve që ka çdo vend është në përpjesëtim me popullsinë e tij. Gjermania, vendi më i populluar i BE-së, ka 96. Malta, Luksemburgu dhe Qiproja kanë numrin minimal prej gjashtë secila.

    Sa i rëndësishëm është Parlamenti Evropian?

    Si i vetmi institucion i BE-së i zgjedhur drejtpërdrejt nga votuesit në 27 vende, ai lidh qytetarët evropianë me dy institucionet e tjera të mëdha: degën ekzekutive të BE-së – Komisionin Evropian – dhe Këshillin, i cili përbëhet nga ministra të qeverive të BE-së.

    Parlamenti Evropian formëson drejtimin e ligjeve dhe politikave të BE-së duke amandamentuar dhe miratuar ligje dhe duke vendosur për marrëveshjet dhe zgjerimet ndërkombëtare. Ai duhet të miratojë buxhetin vjetor të BE-së dhe mund t’i kërkojë Komisionit të propozojë legjislacionin.

    Eurodeputetët mbikëqyrin punën e Komisionit dhe Këshillit. Ata ndajnë përgjegjësinë me Këshillin për miratimin e ligjeve të paraqitura nga Komisioni. Shumica e eurodeputetëve ulen në grupe politike që variojnë nga e majta në të djathtë, në vend se sipas kombësisë.

    Cilat janë grupet kryesore politike?

    Tradicionalisht, dy më të mëdhenjtë janë Partia Popullore Evropiane (EPP) e qendrës së djathtë dhe Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) e qendrës së majtë, por grupe të tjera janë bërë gjithnjë e më të rëndësishme.

    Grupi liberal ‘Renew Europe’ dhe të Gjelbërit/Aleanca e Lirë Evropiane ishin grupet më të mëdha në parlamentin e kaluar, por dy grupe në të djathtë kanë synuar përfitime të mëdha.

    Ata janë Konservatorët dhe Reformistët Evropianë (ECR) dhe grupi Identiteti dhe Demokracia (ID).

    Dy grupe më të vogla luajnë gjithashtu një rol kyç. Njëri është grupimi më i vogël i krahut të majtë GUE/NGL, tjetri janë eurodeputetët që nuk janë të lidhur me asnjë grup – nga anëtarët nacionalistë të Fidesz të Hungarisë e deri tek një pjesë e vogël nga rajoni i Katalonjës së Spanjës.

    Çfarë duhet pasur parasysh në këtë votim

    Megjithëse qëllimi kryesor i zgjedhjeve të qershorit është të vendoset për përbërjen e parlamentit, votuesit shpesh përdorin rastin për t’i dërguar një mesazh qeverive të tyre kombëtare.

    Nga Italia në Francë, Austria në Belgjikë, Gjermania në Holandë dhe më gjerë, partitë në ekstremin e djathtë po shohin fitime të rëndësishme.

    Sondazhet sugjerojnë se dy grupet në të djathtë, ECR dhe ID, mund të kapërcejnë qendrën e majtë dhe të bëhen forca e dytë më e madhe në Parlament.

    Deri më tani qendra e djathtë ka tentuar të punojë së bashku me qendrën e majtë, por EPP mund të jetë nën presion për të kërkuar aleatë të rinj nëse qendra e majtë performon keq.

    Një lëvizje në të djathtë mund të vërë frena në planet për ligjet e reja për klimën dhe qëndrueshmërinë dhe mund të ndikojë në legjislacionin social ose ekonomik. Mbështetja e fortë e BE-së për ndihmën financiare dhe ushtarake për Ukrainën mund të ndikohet gjithashtu.

    Zgjedhja e shefit të ardhshëm të Komisionit

    Një nga detyrat e para të eurodeputetëve të rinj do të jetë zgjedhja e presidentit të Komisionit Evropian. Presidentja aktuale, Ursula von der Leyen, po kërkon rizgjedhjen.

    27 krerët e shteteve ose qeverive të BE-së, të njohur si Këshilli Evropian, do të marrin parasysh rezultatet e zgjedhjeve dhe më pas do të emërojnë një kandidat, emri i të cilit më pas paraqitet në Parlament. Më shumë se 50 për qind e eurodeputetëve do të duhet të miratojnë kandidatin.

    Grupimet politike në BE mund të përdorin një sistem të “kandidatëve kryesorë” – Spitzenkandidaten në gjermanisht – siç bënë në vitin 2014. Sipas këtij parimi, çdo grup propozon një kandidat presidencial përpara zgjedhjeve dhe grupi me shumicën e vendeve pastaj ka një mandat për të zgjedhur presidentin e Komisionit Evropian.

    Por pesë vjet më parë, liderët kombëtarë të BE-së vendosën për von der Leyen, edhe pse ajo nuk ishte kandidate. Dhe mund të heqin dorë nga Spitzenkandidaten edhe këtë herë. 

    Lajmi Paraprak

    Shtëpia-muze që ruan dhimbjet e viktimave të masakrës së Poklekut

    Lajmi i rradhës

    Cilat shtete e kanë bllokuar Tiktok-un në vendet e tyre?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë