Problemi në arsim është shumë më i thellë se ajo që prindërit kanë kërkuar pesëshe. Për këtë nuk janë përgjegjës vetëm mësuesit ose vetëm prindërit, por i gjithë sistemi në të cilin gjithçka është e gabuar – nga punësimet partiake në shkolla pa marrë parasysh kush është në pushtet, përmes reformave të pafundme në arsim deri te kriteret e regjistrimit sipas të cilave notat më të larta në fillor nënkuptojnë edhe më shumë mundësi për pranim në shkolla të mesme dhe fakultete “elitare”.
Kështu për Radion Evropa e Lirë (REL) flasin prindër, mësues dhe profesorë, pasi ministrja e arsimit, Vesna Janevska, më 30 nëntor tha se “problemi me pesëshet në vend është vërtet serioz” dhe nga pesë-gjashtë vitet e kontaktit të saj me mësuesit, “ai përgjithësisht lokalizohet te prindërit”.
Duke u përgjigjur në pyetjen e një gazetari për tejkalimin e problemit me ndikimin e prindërve në vlerësimin e fëmijëve, ajo tha se ata që këmbëngulin të marrin nota të larta pa njohuri të përshtatshme “u bëjnë dëm të madh fillimisht fëmijëve të tyre, e më pas edhe gjithë shoqërisë”.
Në qershor të këtij viti, nuk kaluan gjysmën e 75 nxënësve me të gjitha pesëshe që dhanë provim pranues në gjimnazin “Georgi Dimitrov” në Shkup. Provimi pranues u realizua sepse për regjistrim u paraqitën më shumë nxënës sesa vendet e lira.
I tillë është edhe shembulli nga gjimnazi “Orce Nikollov”, para tre vitesh – vetëm 11 nxënës nga 292 të paraqitur kanë pasur sukses të shkëlqyer në provim. Pjesa më e madhe e të tjerëve, të cilët kishin të gjitha pesëshet, në provim pranues morën notë tre.
STUHI REAGIMESH: PUNËSIME PARTIAKE, VLERËSIME PARTIAKE
Deklarata e ministres së arsimit se problemi përgjithësisht lokalizohet te prindërit, shkaktoi stuhi reagimesh në rrjetet sociale. “Nga shkruaj një pesëshe, bli provim, do të ja dalë, ja gjithë shtetin çka e gjeti!”, “Nuk janë prindërit ata që e mbajnë stilolapsin në dorë”, “E mësueset me fustane të shkurtra dhe telefona në orë, shikojnë vetëm se i kujt është fëmija”, janë disa nga qindra komentet në faqen e Facebook-ut të REL pas deklaratës së ministres.
Një nënë e një nxënësi të klasës së tetë theksoi se i biri i saj merrte nota tre në testet e gjuhës gjermane, ashtu si edhe dhjetëra fëmijë të tjerë në klasë. “Në fund të vitit, djalit tim i mbeti nota tre, ndërsa fëmijëve të tjerë u ishin korrigjuar në pesëshe. Kur e pyeta mësuesen pse, ajo ngriti supet dhe më tha, çfarë të bëj, fëmija është i koleges”, theksoi nëna, e cila kërkoi të mbetet anonime nga frika e pasojave.
Shkollat publike fillore dhe të mesme janë nën ingerencat e komunave. Drejtorët zgjidhen me shpallje publike, në zgjedhje marrin pjesë edhe këshillat shkollorë, por në fund janë kryetarët e komunave ata që firmosin. Ngjashëm është edhe procedura për punësimin e mësuesve – ka shpallje publike, por përzgjedhjen e bën drejtori i shkollës sipas propozimit të komisionit të konkursit. Prindërit edhe në komente thonë se korrupsioni, ndikimet politike dhe të tjera janë të rrënjosura thellë në arsim – përfshirë edhe në vlerësim. “Këto pesëshe, prindërit i regjistrojnë në ditar apo vartësit tuaj partiakë?”, “E problemi me diplomat pa njohuri te kush është?”, “Fëmijët në klasën e gjashtë ndahen sipas vijës partiake”, “Sistemi dhe ata që e udhëheqin janë fajtorë, e jo prindërit, mësuesit ose fëmijët. Ata vetëm përshtaten në atë sistem të shtrembër”, “Së pari, ju dhe poltronët tuaj kërkoni nga profesorët dhe punëtorët arsimorë t’u shkruajnë fëmijëve tuaj nota më të larta…”, komentojnë prindërit në faqen e Facebook-ut të REL.
Marija Tasevska, nënë e nxënësve në klasën e tretë dhe të gjashtë në një shkollë fillore në Karposh, thotë se arsimi është pasqyrë e shoqërisë. “Më falni që prindërit qenkan fajtor për mësuesit që nuk dinë t’u bëjnë ballë dhuratave dhe presioneve. Për shkak të pesësheve të pamerituara, fëmijët me katërshe të merituara nuk mund të regjistrohen në gjimnazin e dëshiruar, kështu që duhet të presim të bien në provimet pranuese në të mesme që të mund të vijnë në radhë fëmijët që realisht mësojnë. Në kohën time, mësuesit dinin si të na mësonin dhe të na motivonin që ta donim shkollën. Dhe edhe libra kishim”, deklaroi Tasevska për REL.
Arsimi i mesëm është i detyrueshëm në Maqedoninë e Veriut nga viti 2008. Më herët i detyrueshëm ishte vetëm arsimi fillor.
“E MERITON NOTËN TRE, I VË KATËR, POR KANË DASHUR PESË”
Mësuesit, nga ana tjetër, dëshmojnë se çdo ditë përballen me prindër “me ndikim” dhe me fjalinë “do të shohësh kush jam unë” për shkak të së cilës frikësohen se mund të humbin punën.
Besim Limani, i cili ka më shumë se 20 vjet përvojë si profesor i gjuhës shqipe në gjimnazin “Zef Ljuš Marku” në Shkup, thotë se urgjencat shtohen në tremujor, gjysmëvjetor dhe në fund të vitit shkollor. “Nxënësi e meriton notën tre, i vë katër për motivim, por kanë dashur pesë”, rrëfen Limani.
Kur nxënësit vijnë në të mesmen, shihet nëse ato nota kanë qenë reale. “Nuk jemi gjeni, nuk jemi të gjithë për pesëshe në çdo lëndë. Por barra e notave tërhiqet në gjithë arsimin, sepse suksesi ndikon si në regjistrimin në të mesme, ashtu edhe në regjistrimin në fakultet. Kjo duhet të ndryshojë. Janë bërë disa hapa me reforma në ditarin elektronik, por duhen gjetur ende mekanizma që të paktën të reduktohen presionet ndaj mësuesve”, deklaroi Limani për REL.
Sipas tij, presionet e prindërve janë rritur veçanërisht pasi u hoq testimi ekstern në vitin 2017. Propozimi për heqjen ishte i atëhershmes parti në pushtet, LSDM, me arsyetimin se testimi që e kishte futur qeveria e VMRO-DPMNE pesë vjet më parë kishte dhënë rezultate negative për nxënësit dhe mësuesit, në vend që të përmirësonte procesin arsimor.
PROFESORI BARBAREEV: DUHET TË NDRYSHOHET KONCEPTI I NOTAVE
Prof. dr. Kiril Barbareev nga Universiteti “Goce Dellçev” në Shtip thotë se vlerësimi prej kohësh është problem në sistemin arsimor. Sipas tij, rol kanë të gjithë – politikat arsimore, mësuesit, prindërit, fakultetet dhe më së paku nxënësit. “Të gjithë në këtë shtet e dinë se një pjesë e prindërve nganjëherë krijojnë presion, presion të madh. Kjo është kështu prej dekadash. Por po ashtu edhe kriteret për regjistrim në të mesme dhe në arsimin e lartë, të cilat e theksojnë rëndësinë e mesatares, nxisin garë për nota të larta në vend të njohurive reale. A mundesh të regjistrohesh në shkencat mjekësore nëse ke nota të dobëta në edukatë fizike, muzikë dhe vizatim?! Prej këtu, në sistemin tonë i gjithë fokusi është vendosur vetëm te notat e larta. Te mesatarja. Ky koncept duhet të ndryshohet. Nxënësit duhet ta shohin dhe ta ndjejnë suksesin e tyre. Duhet të punohet në vlerësimin formativ, në dhënien e informacioneve të mira kthyesa”, deklaroi Barbareev për REL.
Por ai thotë edhe se një prind që këtu ushtron presion për nota nuk do të sillej kështu në ndonjë vend të BE-së, sepse në shumë sisteme arsimore të suksesshme mësuesit janë të mbrojtur me rregulla të qarta dhe strikte që vlejnë njësoj për nxënësit, për prindërit dhe për shkollat. “Gjithashtu, ndoshta më e rëndësishmja është zbatimi i duhur i standardeve kombëtare të vlerësimit, të cilat do ta minimizojnë subjektivitetin dhe do ta bëjnë vlerësimin transparent”, thotë profesori Barbareev.
STRATEGJITË DHE REFORMAT
Nga ky vit, Ministria e Arsimit (MASH) ka futur ndryshime në ditarin elektronik, i cili tashmë nuk u lejon mësuesve të fshijnë dhe të korrigjojnë nota, ashtu siç ndodhte në këshillin e mësuesve në fund të vitit shkollor.
MASH prezantoi edhe Strategjinë e re të arsimit 2026 – 2032. Dokumenti vë theks te zhvillimi i programit të ri për arsimin parashkollor, përfshirja në arsimin fillor dhe të mesëm, si dhe te infrastruktura ku moment kyç është optimizimi i rrjetit shkollor dhe vendosja e orarit me një ndërrim. Janevska informoi se vijon zbatimi i konceptit të ri për gjimnazet dhe arsimin profesional, si dhe modelit të ri të maturës shtetërore. Nga viti 2026 duhet të nisë edhe zbatimi i formulave të reja për financimin e arsimit fillor dhe të mesëm.
Testimi i fundit PISA i nxënësve në Maqedoni nga viti 2022 tregoi se Maqedonia e Veriut është pothuajse në fund të listës – në vendin e 61 sipas rezultateve në matematikë dhe në vendin e 71 në njohuritë gjuhësore nga gjithsej 81 shtete.
PISA është një nga testimet më të njohura dhe më kredibile ndërkombëtare që vlerëson aftësitë, njohuritë dhe shkathtësitë e nxënësve për mësim lexim, njohuritë matematikore dhe njohuritë në shkencat natyrore. Rezultatet janë të rëndësishme për rishikimin e politikave ekzistuese dhe krijimin e politikave të ardhshme arsimore. (REL) /Koha/






