Prokuroria ka ngritur kallëzim për tetë persona për keqpërdorime gjatë prokurimit publik në drejtorinë e Zonave Zhvillimore duke dëmtuar buxhetin për mbi dhjetë milionë euro. Kallëzimin penal e ka ngritur Policia Financiare, ndërsa i dyshuari kryesor në këtë rast është ish-drejtori i këtij organi Jovan Despotovski. Përveç Despotovskit, të dyshuar janë edhe persona nga Byroja e prokurimeve publike dhe persona nga Komisioni i ankesave për prokurime publike. Bëhe fjalë për konkurs për prokurim publik për ndërtimin e infrastrukturës së brendshme për Zonën Zhvillimore Shtip dhe Strumicë. Konkursin për këtë projekt e ka fituar kompania të cilës nuk i është shqyrtuar fare dokumentacioni i tenderit. Interesant është edhe fakti se kompania fituese e tenderit në ofertën e saj ka treguar çmim shumë më të lartë, por afat më të shkurtër për përfundimin e punimeve.
“Tre personat e Byrosë së Prokurimieve Publike nuk e kanë kontrolluar plotësimin e kushteve në aspektin e aftësisë teknike dhe profesionale për kryerjen e punëve të planifikuara. Pjesëmarrësi i dytë në procedurë ka parashtruar ankesë në Komisionin Shtetëror për Ankesa të Prokurimeve Publike, por aty kryetari dhe tre anëtarët nuk kanë marrë parasysh raportin e ofruar profesional dhe mendimin e ekspertit nga lëmia e ndërtimit, i cili ka qenë bazë për pretendimet e ankesës gjegjësisht kanë marrë vendim me të cilin ankesën e operatorit tjetër ekonomik e kanë refuzuar për shkak të mungesës së bazës”, thanë nga Prokuroria Themelore Publike.
-Tre persona nga Byroja e Prokurimeve Publike nuk kanë kryer inspektim
– Është injoruar mendimi profesional gjatë procedurës së ankesës
Sipas kallëzimit, pasi kompania ka fituar fitoi tenderin, Despotovski dy herë e ka rritur afatin e dakorduar prej 120 ditë kalendarik për përfundimin e projektit si dhe shumën që do t’i paguhet kompanisë.
“Dy muaj pas fillimit të punimeve, drejtori i dyshuar ka nënshkruar aneks-marrëveshje me të cilën është rritur vlera e kontratës bazë për mbi 84 milionë denarë dhe e ka zgjatur afatin fillestar të punimeve. Pas tre muajve ai ka nënshkruar aneks-marrëveshjen e dytë me të cilën e ka rritur vlerën e kontratës bazë për më shumë se 34 milionë denarë dhe edhe një herë e ka vazhduar afatin për kryerjen e punëve”, thanë nga Prokuroria Themelore Publike.
– Rritja e parë e vlerës së projektit për më shumë se 84 milionë denarë
– Rritja e dytë e vlerës së projektit për më shumë se 34 milionë denarë
Meqë kompania nuk e ka respektuar afatin për përfundimin e aktiviteteve ndërtimore, kontrata me të nuk është shkëputur dhe nuk është urdhëruar të paguajë gjoba për shkak të vonesës. Me këtë, siç thuhet nga prokuroria, ky person juridik jo vetëm që ka fituar tenderin me ofertë më të lartë, por për shkak të moskryerjes së detyrës zyrtare të të akuzuarve, kompania ka arritur të përfitojë dobi të konsiderueshëm materialo-juridike. Pas ngritjes së këtij rasti, prokuroria i ka dorëzuar gjykatës propozim për ngrirjen e pronës së kompanisë – hipotekën e pasurisë së patundshme në Karposh dhe Kisella Vodë, ndalimin e mjeteve nga katër llogari të transaksioneve si dhe ndalimin e dy makinave të udhëtimit, tetë kamionëve, makinerive dhe pajisjeve të ndërtimit. Përveç kësaj, me urdhër të prokurorisë, gjykata tashmë ia ka konfiskuar pasaportën Despotovskit si i akuzuar i parë në këtë rast, i cili do të duhet të dëshmojë ende pafajësinë e tij. /Alsat/