Arrihet censusi për zgjedhjet presidenciale në RMV

    Kutia e votimit / Fotografia: Nistori

    Në vend sot mbahen zgjedhjet e rregullta parlamentare, njëkohësisht me rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Këto janë zgjedhjet e njëmbëdhjeta në të cilat duhet të zgjedhen 120 deputetë për mandatin kuvendor 2024-2028, raporton Nistori.

    Këto parti nuk arritën të fitojnë as edhe një mandat

    Një pjesë dërrmuese e partive nuk arritën që të fitojnë as edhe një mandat. Të dhënat tregojnë se partitë liderë të të cilave janë Stevço Jakimovski dhe Danela Arsovska kanë marrë pak më shumë vota nga partitë që nuk arritën të fitojnë asnjë mandat parlamentar.

    Nga rezultatet aktuale Jakimovski ka marrë 4.424 vota, Alternativa e Re e Arsovskës 3.268 vota.

    Partia politike Avaja ka marr 2.189 vota. Partia Maqedonia unike ka marrë 1.523 vota. Partia jote ka marrë 1.660 vota, partia Atdheu Maqedoni ka marrë 1.026 vota.

    Partitë tjera, Epoka e tretë maqedonase – Sovranët, Lëvizja Evropiane Qytetare, Partia e Djathta, partia politike Demokratët Shkup, Partia e punëtorëve, Lëvizja Qytetare Evropiane dhe të tjera, kanë marrë nën 1000 vota.

    Numërohen mbi 90 për qind e votave, këto janë rezultatet dhe numri i deputetëve në Kuvend

    Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i ka numëruar 90 për qind të votave për zgjedhjet kuvendare.

    Prej tyre partia që më shumë ka marrë vota dhe mandate është VMRO-DPMNE-ja, e cila ka siguruar 390.345 vota ose 59 mandate.

    Më pas partia e dytë është LSDM, e cila ka marrë 136.748 vota, ose 19 mandate.

    Në bllokun shqiptar Fronti Europian ka marrë 127.596 vota, ndërsa me këto vota ka siguruar 19 mandate. Koalicioni VLEN ka marrë 99.534 vota ose 13 mandate.

    Dy partitë tjera që kanë siguruar mandate në Kuvend janë “E Majta” e cila ka 6 mandate dhe Lëvizja “ZNAM” e cila ka 5 mandate.

    Bytyqi dha dorëheqje nga pozita e tij në LSDM

    Pas zgjedhjeve të sotme parlamentare, nënkryetari i LSDM-së, Fatmir Bytyqi, sonte ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij në parti.

    “Si nënkryetar i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, i përkushtuar për vlerat etike dhe demokratike, kam vendosur të jap dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të partisë. Dorëheqja ime do të jetë plotësisht efektive kur të njëjtën gjë do ta bëjnë edhe pjesa tjetër e miqve të mi që përbëjnë kryesinë e partisë – nga i pari tek i fundit”, tha Bytyqi.

    Ahmeti: kemi siguruar 19 mandate

    Ahmeti falënderon qytetarët që morën pjesë në këtë cikël zgjedhor dhe njëherit theksoi se Fronti Evropian është forca e dytë politke në vend dhe se nga këto zgjedhje do të del me 19 mandate. Ahmeti me këtë rast tha se BDI-ja oponent në këto zgjedhje kishte VMRO-në dhe jo VLEN-in, sepse sipas tij VMRO-ja ka ndihmuar VLEN-in.

    “Zgjedhjet kaluan me standarde të pranueshme, është një provim i shtetit i institucioneve për organizimin e zgjedgjeve të lira demokrahtike, standard të cilin duhet akoma, sepse ne tanimë jemi në prag të anëtarësimit në BE. Do doja të falënderoj të gjithë votuesit e Frontit, të gjithë aktivistët dhe shefat e shtabeve të cilët kanë bërë punën më të madhe e të shkëlqyeshme që ne të dalim fitimtar e krenar. Të gjithë këta aktivist na kanë bërë krenar sepse jemi forca e dytë politike. Fronti Evropian është në një dallim me oponentin, ne oponent kemi pas VMRO-në sepse VMRO_ja ka ndihmu VLENIN, por dallimi është mbi 30 mijë vota. Kjo do të thotë që shqiptarët, turqit, boshnjakët, romët të cilët kanë vepruar në kuadër të frontit janë për anëtarësim të pa-kompromis të vendit në BE”, tha Ahmeti.

    Mickoski: Është koha që LSDM dhe BDI të shkojnë në opozitë

    Mickoski: Do të bisedojmë me të gjitha partitë opozitare, por jo dhe me BDI-në Kreu i VMRO-DPMNE-së, partisë e cila grumbulloi numrin më të madh të votave deklaroi se do të negocioj me të gjitha partitë politike opozitare, edhe pse sipas tij kjo nuk nënkupton se të gjitha do të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme.

    Mickoski me këtë rast la të kuptohet se pavarësisht numrit të mandateve që ka fituar BDI-ja, kjo e fundit nuk është në agjendën e VMRO-DPMNE-s. “Nuk do ti përsëris gabimet që i ka bërë kjo qeveri e cila injoronte partitë tjera politike. Ne kemi për qëllim që të bisedojmë me të gjitha partitë politike opozitare. Por kjo nuk nënkupton se të gjitha do të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme”, tha Mickoski.

    Ja sa mandate pritet të kenë partitë në Kuvend

    Në bazë të numrimit të deritanishëm të votave, VMRO del të jetë partia e parë me 42.75% e cila pritet të ketë 59 mandate në Kuvend.

    E dyta pritet të jetë koalicioni Fronti Evropian me 14.42%, e cila pritet të ketë 19 ulëse në Kuvend.

    Pas saj është koalicioni VLEN me 11.38% dhe pritet të ketë 13 ulëse në Kuvend.

    LSDM, deri më tani ka 14.67% dhe pritet të ketë 18 ulëse në Kuvend.

    Kasami: VLEN fitues absolut te shqiptarët, prej nesër mund ta shpallim koalicionin me VMRO-DPMNE-në

    Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, pas shpalljes së rezultateve të para për zgjedhjet kuvendare, ka thënë Koalicioni VLEN është fitues absolut tek shqiptarët.

    Ai deklaroi se “që nesër mund ta shpallin koalicionin me VMRO-DPMNE-në”, të cilin ai e quajti koalicion i ndryshimit. “Në këtë atmosferë impozante shpallim fitore në kampin politik shqiptar. Koalicioni VLEN është është fitues absolut i këtyre zgjedhjeve dhe për këtë falënderojmë diasporën të cilët erdhën për të votuar ndryshimin, falë tyre…edhe një herë ata treguan se në vendlindjen e tyre ata janë faktor ndërkombëtar dhe në këtë rast ne i falënderojmë nga zemra për çdo votë të marrë.

    100 mijë herë faleminderit diasporë”, tha Kasami. Ndryshe, nga 76 përqind të votave numëruara, Fronti Europian ka marrë 108.114 vota, ndërsa koalicioni VLEN ka marrë 86.375 vota.

    Taravari: më në fund ndryshimi u kry

    Kryetari i Aleancës për Shqiptarët dhe njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Arben Taravari përmes një statusi në Facebook ka reaguar pas publikimit të rezultateve të para.

    Ai shkruan se këto janë momente të veçanta. “Në Gostivar kemi humbur me një diferencë prej 370 votash, diferencë kjo e krijuar prej turqve dhe romëve që bashkëpunuan me BDInë…por unë jam i lumtur dhe mirënjohës për 10632 vota shqiptarve dhe lajmi më i madh është se pas gjithë këtyre viteve regjim…

    MË NË FUND NDRYSHIMI U KRY!”, shprehet Taravari.

    Ai theksoi se shqiptarët sapo kanë firmosur lirinë e këtij vendi. Ndryshe, sot janë mbajtur zgjedhjet parlamentare bashkë me ato presidenciale ku të drejte vote kishin 1.815.350 qytetarë.

    Pendarovski pranon humbjen, uron Siljanovskën

    Kandidati për president Stevo Pendarovski në një konferencë për media pas zgjedhjeve e pranoi humbjen dhe përgëzoi Siljanovskën dhe VMRO-DPMNE-në për fitoren dhe u uroi punë të suksesshme.

    Numërohen më shumë se gjysma e votave, këto janë rezultatet nga zgjedhjet kuvendare

    Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka filluar me publikimin e rezultateve të para për zgjedhjet kuvendare. KSHZ tashmë ka numëruar më shumë se gjysmën e votave, ndërsa rezultatet janë si më poshtë:

    LSDM dhe koalicioni: 68.821 vota ose 13 për qind
    VMRO-DPMNE dhe koalicioni: 204.015 vota ose 39 përqind
    Fronti Europian: 87.283 vota ose 16 përqind
    Koalicioni VLEN: 71.980 vota ose 14 përqind.

    LSDM: zgjedhjet ishin demokratike, ka pasur parregullsi të parëndësishme

    Pas mbylljes së vendvotimeve, Bogdanga Kuzeska nga LSDM tha se dita e sotme ka qenë e qetë dhe e suksesshme, ndërsa zgjedhjet i vlerësuan si demokratike, ashtu siç i ka hije një vendi anëtar të NATO-s që ka nisur negociatat me BE-në, tha Kuzeska.

    “Janë raportuar disa parregullsi, por ne i konsiderojmë të parëndësishme. Qytetarët mund të shprehnin lirisht vullnetin e tyre dhe të vendosnin për të ardhmen e vendit. E drejta e votës dhe vendimmarrja e lirë janë përfitimet më të rëndësishme të demokracisë”, shtoi Kuzeska.

    Ajo falënderoi të gjithë qytetarëve që dolën sot në kutitë e votimit.

    “Qytetarët treguan kapacitete demokratike dhe pjekuri institucionale dhe patëm zgjedhje të lira, demokratike, paqësore dhe dinjitoze. Falënderim të veçantë u shprehim qytetarëve që votuan për LSDM-në, Koalicionin për Ardhmëri Evropiane dhe për kandidatin për president Stevo Pendarovski. Vullneti i qytetarëve do të vendosë se cilën rrugë do të ndjek Maqedonia”, tha Kuzeska e LSDM-së.

    VLEN feston në sheshin “Skënderbeu” në Çair

    Koalicioni VLEN ka nisur të festojë në Komunën e Çairit, gjegjësisht në sheshin “Skenderbeu” atje edhe ku e kanë selinë qendrore.

    Në videot e publikuara në rrjetet sociale, shihen simpatizantët e VLEN-it duke kënduar.

    Ndryshe, nga 36 përqind e votave të numëruara në Çair, Koalicioni VLEN ka 6237 vota, ndërsa Fronti Europian ka 4786 vota.

    Ademi: fitojmë thuajse në të gjitha komunat, “Fronti Europian” do të ketë mbi 20 deputetë

    Arbër Ademi nga “Fronti Europian” ka dalë sërish në konferencë për shtyp, ndërsa tha se ata prijnë me 30 mijë vota dallim në zgjedhjet kuvendare.

    Ai theksoi se Fronti Europian është duke prirë në Tetovë, Kumanovë dhe Strugë. “Thuajse në të gjitha komunat jemi në epërsi. Fitojmë në Dibër, Strugë, Vrapçisht, në epërsi jemi në Tetovë, Gostivar, Kumanovë”, tha Ademi, duke shtuar se nëse vazhdojnë me këtë trend “Fronti Europian” do të ketë mbi 20 deputetë.

    Ademi gjithashtu tha se më vonë do të dalin me të dhëna tjera.

    Dalin rezultatet e para për presidencialet

    Kandidatja për president e VMRO-së, Gordana Siljanovska prin në zgjedhjet presidenciale ndaj kandidatit të LSDM-së, Stevo Pendarovski me 35 mijë vota epërsi.

    Dalin rezultatet e para për parlamentaret, ja cila parti prin

    Sipas rezultateve preliminare të KSHZ nga gjithsej 293.783/1.815.350 prin VMRO-ja me 47.196 e ndjekur nga LSDM me 15.908. Ndërsa në bllokun shqiptarë prin Fronti Evropian me 33.284, ndërsa VLEN 27.792 vota.

    Mexhiti: Koalicioni VLEN është fitues në kampin shqiptarë

    Izet Mexhiti nga koalicioni VLEN pas mbylljes së vendvotimeve në konferencë për shtyp tha se procesi zgjedhor gjatë ditës së sotme ka nuk ka qenë demokratik, ndërsa tha se koalicioni VLEN është fitues në kampin shqiptar.

    “Për fat të keq institucionet e shtetit që kanë për detyrë të garantojnë procesin sot edhe një herë u vunë në shërbim të BDI-së”, tha Mexhiti. Ai shtoi se në vendvotime janë parë funksionarë të BDI-së për të bërë presion ndaj qytetarëve dhe kjo është e faktuar.

    “Për të gjitha këto ngjarje ne do t’i informojmë përfaqësuesit e ambasadave, misionet vëzhguese të zgjedhjeve dhe institucionet tjera relevante në vend dhe jashtë”, tha Mexhiti.

    Prokuroria: dita e zgjedhjeve ishte e qetë, pa incidente të mëdha

    Prokuroria Themelore Publike njofton se deri në mbylljen e qendrave të votimit, dita e zgjedhjeve ka kaluar përgjithësisht pa shqetësime të mëdha dhe raportime për incidente zgjedhore.

    Nga të dhënat e marra nga prokuroritë publike në këtë vend, në Prokurorinë Publike të Kavadarit është ngritur rast pas kallëzimit ndaj një personi nga Negotina, i cili është kallëzuar nga një qytetar për vepër penale – Shkelje e lirisë së përcaktimit të zgjedhësve nga neni 160 i Kodit Penal.

    “Sipas pretendimeve, e denoncuara ka tentuar të ndikojë përmes telefonit që raportuesja të votojë për një parti politike, duke përmendur se ajo është përfituese e asistencës IPARD. Rasti është në procedurë para hetimore dhe po ndërmerren veprime për të vërtetuar nëse ekzistojnë elementet e veprës penale të raportuar apo veprës tjetër penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare”.

    “Në PTHP Koçani janë pranuar njoftime nga MPB-ja për ngjarje të raportuara lidhur me transportin e organizuar të votuesve deri në vendvotim. Prokurori publik menjëherë ka dhënë udhëzime për kontrollimin dhe mbledhjen e të dhënave nëse gjatë transportit votuesit janë prekur në ndonjë mënyrë në lidhje me ushtrimin e të drejtës së tyre të votës”.

    “Përveç kësaj, prokuroritë publike veprojnë dhe bëjnë kontrolle për të gjitha ngjarjet e tjera të izoluara për të cilat opinioni ishte i informuar më parë. Të gjitha dyshimet e mundshme për vepra penale që mund të prishin procesin zgjedhor do të hetohen dhe rastet do të kenë prioritet për veprim në prokuroritë publike”, thonë nga PTHP.

    Arbër Ademi: Fronti Europian do të dëshmojë fitore historike

    Arbër Ademi nga Fronti Europian në konferencë për shtyp pas mbylljes së vendvotimeve tha se Fronti Evropian ka korrur fitore historike.

    “Me këtë po vuloset e ardhmja evropiane e vendit. Kthim prapa nuk ka dhe nuk do të ketë asnjëherë, sepse vullneti i qytetarëve është mbi të gjitha”.

    Ai shtoi se fitorja është e Frontit Evropian dhe qytetarëve që mbështetën fushatën “Po Europës, Jo Rusisë”, tha Ademi. Kujtojmë se sot në zgjedhjet kuvendare të drejtë vote kanë pasur 1.815.350 qytetarë.
    Ndërkohë, sot në Maqedoninë e Veriut qytetarët kanë votuar edhe për zgjedhjet presidenciale për rrethin e dytë.

    Mbyllen vendvotimet në Maqedoninë e Veriut

    Në orën 19:00 janë mbyllur vendvotimet ku qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut kanë mundur të votojnë sot në raundin e dytë të zgjedhjeve të shtata presidenciale dhe të 11-ta kuvendare.

    Pas mbylljes së qendrave të votimit do të mund të votojnë vetëm personat që ndodheshin në ndërtesat ku po votohet në atë moment.

    KSHZ ka njoftuar se në ora 19:30 do të dalë me konferencë për shtyp për daljen në votime dhe rrjedhën e procesit të votimit.

    Porosia e Ali Ahmetit pasi votoi: e rëndësishme të mos kemi devijim nga kursi euroatlantik i vendit

    Në një deklaratë për mediat pas procesit të votimit në Zajas, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka theksuar rëndësinë e zgjedhjeve të sotme për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut.

    “Është vullneti i lirë i qytetarëve të votojnë për këto zgjedhje” tha Ahmeti.

    Më tej, ai uroi që procesi të shkojë mirë sipas të gjitha standarteve dhe të jetë zgjedhje të pranueshme për të gjitha palët. Ahmeti theksoi se është e rëndësishme të mos kemi devijim nga kursi euroatlantik i vendit dhe të çojmë të gjitha proceset përpara për më shumë paqe dhe pa probleme me fqinjët.

    Në vazhdim deklarata e plotë e kryetarit të BDI Ali Ahmeti pas procesit të votimit: Është vullneti i lirë i qytetarëve të votojnë për kë zgjedhje duan ata. Uroj që procesi të shkojë mirë sipas të gjitha standarteve, të jenë zgjedhje të pranueshme për të gjitha palët, dhe të mos kemi devijim nga kursi euroatlantik i vendit t’i çojmë të gjitha proceset përpara për më shumë paqe, për më shumë stabilitet, dhe pa probleme me fqinjët, kjo është ajo që dua të triumfojmë në zgjedhje.

    Ata që dijnë mbi të drejtat ndërkombëtare por edhe vendore duhet ta kuptojnë që çështjet e mbyllura, apo më mirë të themi të mos preken plagët e vjetra, sepse dhembin më shumë se plagët e reja. Kështu që e ka pas shumë keq kandidatja për president, dhe unë besoj që nuk ka asnjë kandidat që e mbështet, po as që e voton, dhe as do të jetë i lumtur ndonjë shqiptar ta ketë për presidente. Ne kemi nevojë për paqe, stabilitet dhe siguri, jo vetëm në vend por në të gjithë Ballkanin, ku më i nevojshëm është pajtimi sepse me të ecet përpara.

    Kjo është filozofia jonë që ne e kemi istaluar, dhe ta afrojmë vendin drejt anëtarsimit në Bashkimin Europian dhe të shofim të mos nxisim dhe as të lëndjmë me deklarata, dhe të rrikthehet fushata nacionaliste sepse askush nga këto nuk përfiton, përgjegjësisnë e kanë të gjitha palët, por në veçanti dy komunitetet më të mëdha, për ardhmësinë e vendit duhet të jemi të kujdesshëm nga të dyja palët.

    Vullneti i shqiptarëve është i pakapërcyeshëm, dhe të dyja palët duhet të mendojnë se nesër do të duhet të punojë shteti për ardhmërinë dhe standartin jetësor, dhe për paqe, dhe jo me fraza patriotike dhe folkloriste. Vullneti i shqiptarëve është pakapërcyeshëm, ai që e do paqen dhe stabilitetin e repekton vullnetin.

    CIVIL: një vëzhgues lëshoi himnin e partisë në qendër votimi

    Organizata Civili ka raportuar për shkeljet gjatë procesit zgjedhor deri më tani. Nga aty thonë se në kopshtin “Pranvera” në Kozle, një vëzhguese në telefonin e saj lëshoi himnin e një partie të caktuar politike në vendvotim, pa asnjë reagim nga Këshilli Zgjedhor. Vetëm pasi e ka vënë në dukje një qytetar  KZ ka reaguar me paralajmërim.

    Në të njëjtin vendvotim anëtarët e KZ-së thonë me zë të lartë emrat dhe komentojnë me zë të lartë nëse dikush refuzon të marrë njërën nga fletët e votimit. Kjo paraqet shkelje të fshehtësisë së votës, si dhe ndikim, pra thyerje të heshtjes zgjedhore.

    Në vendvotimin 2720 në Aerodrom, anëtarët e KZ -së pyesin me zë të lartë se pse disa qytetarë nuk e pranojnë njërën nga fletëvotimet.

    Por ka vende ku heshtja zgjedhore thyhet në një mënyrë tjetër.

    Në Çair, në vendvotimin 2882, Sh.F. “Hasan Prishtina”, anëtar i Bordit Zgjedhor, u sugjeron votuesve që të mos pranojnë njërën prej fletëvotimeve.

    Dalja deri në ora 17:00, arrihet censusi për zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut

    KShZ në konferencën e radhës ka njoftuar për jehonën e votuesve deri në ora 17:00 në zgjedhjet presidenciale dhe kuvendare.

    Nënkryetarja e KShZ-së Ditmire Shehu, njoftoi se për zgjedhjet presidenciale deri në ora 17:00 kanë votuar 452.412 ose 42.32 përqind e votuesve të regjistruar në Listën Zgjedhore.

    Ndërsa sa i përket zgjedhjeve kuvendare, ajo tha se deri në ora 17:00 kanë votuar 470.950 ose 46.93 përqind e votuesve të regjistruar në Listën Zgjedhore.

    Ajo gjithashtu theksoi se krahasuar me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në vitin 2019, ka rritje të daljes prej 7 përqind.

    Arrihet censusi për zgjedhjet presidenciale

    Sipas KShZ deri në ora 17 e 30 dalja e votuesve për zgjedhjet presidenciale është 42,32 %. Pra me këtë dalje arrihet censusi për për zgjedhjet presidenciale.

    Avokati i Popullit: 30 persona na kanë telefonuar, u është shkelur e drejta e votës

    Zyra e Avokatit të Popullit njoftoi se kanë pranuar 30 telefonata dhe një person i ka kontaktuar personalisht. Shumica e ankesave janë për atë pse u pyetën nëse dëshironin të votonin për zgjedhjet presidenciale apo parlamentare.

    Disa persona thirrën dhe u ankuan nga shtëpitë e të moshuarve se nuk mund të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar. Ankesa ka edhe nga punonjës të sektorit privat të cilët nuk janë liruar sot nga detyra.

    Avokati i Popullit njoftoi se nga ora 07:00 deri në 19:00 qytetarët do të mund të paraqesin çdo shkelje të së drejtës së votës në linjën telefonike falas 0800-543-21 ose personalisht në zyrat në Shkup, Strumicë, Kërçovë, Tetovë. Manastir, Shtip dhe në Kumanovë.

    Jehona e votuesve deri në ora 15:00

    Sipas të dhënave të KShZ-së deri orën 15:00 pjesëmarrja në zgjedhjet presidenciale është 32.16%, ndërsa për zgjedhjet parlamentare 36.94%.

    Për zgjedhjet parlamentare jehonë më të madhe në njësinë zgjedhore nr.1 me 42.59%, ndërsa jehonë më të vogël ka në njësinë zgjehdore numër 6 me 29.11%.

    Në zgjedhjet presidenciale jehonë më të madhe ka në Kriva Pallankë me 58,29%, ndërsa jehonë më të vogël ka në komunën e Likovës me 5,14%.

    Për zgjedhjet presidenciale janë regjistruar 1.814.317 votues, ndërsa për zgjedhjet parlamentare ky numër është 1.815.350 votues.

    Gostivar, më shumë votues për zgjedhjet parlamentare, më pak për presidencialet

    Në komunën e Vrapçishtit në Gostivar procesi po vijon në rregull dhe pa probleme..

    Besnik Ameti, kryetari i Komisionit komunal tha se prej orës 07:00 janë hapur të gjitha vendvotimet pa asnjë incident dhe shpreson se deri në mbyllje të vazhdojë në këtë mënyre.

    “Procesi zgjedhor deri në këto momente shkon ashtu siç është paraparë prej orës 7 janë hapur të gjitha vendvotimet pa asnjë incident dhe vazhdon të jetë krejt në rregull.

    Sa i përket daljes së votuesve kemi 1418 të dhënat e orës 13 për president që i bie 5.38 % dhe 3234 që i bie 12.06% për zgjedhje parlamentare. Nga përvoja e dimë se dalja nga ora 13 deri në 16 është më e madhe, fluksi është më i madh deh pritet të dalin më shumë”, tha Besnik Ameti./TV21/

    Konferencë e jashtëzakonshme e KShZ-së: Anëtarë të Komisioneve Zgjedhore, shkelin Kodin Zgjedhor

    Konferencë e jashtëzakonshme e KSHZ-së. Nënkryetarja e këtij institucioni, Ditmire Shehu ka alarmuar se disa anëtarë të Komisioneve Zgjedhore nuk iu përmbahen rregullave të parapara me ligj, duke shkel kështu Kodin Zgjedhor. KSHZ-ja deri tek komisionet në fjalë ka dërguar vërejtje, pas çka shpreson se një dukuri e tillë nuk do të përsëritet.

    “Disa anëtarë të Këshillave zgjedhor nuk iu përmbahen udhëzimit për votim për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të ditës së sotme, apo 8 majit. Të nderuar anëtarë të Këshillave Zgjedhorë, ju lutemi që tu përmbaheni në përpikshmëri detyrave dhe obligimeve që dalin nga Kodi Zgjedhor dhe nga aktet nënligjore të KSHZ-së…Votuesi mund të paraqitet në vendvotim vetëm njëherë për të ushtruar të drejtën e tij të votës. Në disa komuna kishim, shkelje, kemi dërguar vërejtje tek të njëjtat dhe shpresojmë se i njëjti gabim nuk do të përsëritet. Ka disa komuna ku është regjistruar shkelja e Kodit Zgjedhor”, tha Shehu. , deklaroi Ditmire Shehu, nënkryetare e KSHZ-së.

    Thaçi: shpresoj që edhe këto zgjedhje të jenë demokratike

    Kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi, e ka realizuar të drejtën e tij të votës në zgjedhjet e sotme.

    Ai i ftoi qytetarët të dalin në zgjedhje në mënyrë masive, përcjell Nistori.

    “Shpresoj që edhe këto zgjedhje do të jenë demokratike dhe nuk do të kemi probleme. Shpresoj në dalje masive, ata e dijnë se sot vendoset 4-vjeçari dhe jo për një ditë”, tha Thaçi.

    Ndërsa i pyetur nëse ka votuar edhe në zgjedhjet presidenciale, Thaçi tha se nuk dëshiron ta thyjë heshtjen parazgjedhore, duke shtuar se qëndron pas vendimit të Frontit Europia, të cilët i ftuan qytetarët të vendosin vetë se si do të veprojnë në zgjedhjet presidenciale.

    Dalja në zgjedhje, sa është dallimi në mes zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare

    Gati 55 mijë është diferenca në numrin e votuesve që kanë votuar në zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale. Në zgjedhjet parlamentare, sipas të dhënave të KSHZ-së deri në ora 13:00, në vendvotime janë paraqitur 462.715 votues, ndërsa për president votuan 407.748 votues. Diferenca është 54,967.

    Sipas të dhënave të KSHZ-së, është evidente se në komunat me popullatë dominuese shqiptare, dallimi në pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale është shumë më i madh në krahasim me dallimin në nivel shtetëror. Kështu, në Bogovinë për zgjedhjet presidenciale votuan 5,17 për qind, për zgjedhjet parlamentare 15,24 për qind, për presidentin në Vrapçishtë 5,38 për qind ndërsa për deputetë 12,6 për qind.

    Në Dibër diferenca është 8,78 me 14,27, në Zhelinë 6,79 me 15,18, në Likovë është më drastike, për president kanë votuar vetëm 3,28 për qind dhe për deputetë 17,7 për qind. Në Saraj diferenca është 8.17 me 25.51./Nistori/

    KShZ publikon jehonën e votuesve deri në ora 13:00

    Sipas të dhënave të KSHZ-së deri orën 13:00 pjesëmarrja në zgjedhjet presidenciale është 23.95%, ndërsa për zgjedhjet parlamentare 25.64%.

    Për zgjedhjet presidenciale jehonë më të madhe ka Kriva Pallankë me 46.44%, ndërsa jehonë më të vogël ka në Vrapçisht me 5.38%.

    Në zgjedhjet parlamentare jehonë më të madhe ka në njësinë zgjedhore numër 3 me 29.79%, ndërsa jehonë më të vogël ka në njësinë zgjedhore numër 6 me 18.73%.

    Për zgjedhjet presidenciale janë regjistruar 1.814.317 votues, ndërsa për zgjedhjet parlamentare ky numër është 1.815.350 votues.

    Gashi: sot është ditë e mrekullueshme për ndryshim

    Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, sot e ka ushtruar të drejtën e votës. Pas votimit ai tha se “sot është dita e ndryshimit, ditë e mrekullueshme që qytetarët ta thonë fjalën e tyre me votë”.

    Ai ka bërë thirrje që të gjithë ta shfrytëzojnë të drejtën dhe të dalin e të votojnë.

    Sipas Gashit “duhen vetëm pesë minuta për ta shprehur vullnetin me votë për të mos jetuar edhe katër vjet të tjera me zhgënjim”.

    Prokuroria për procesin zgjedhor: ditë e qetë dhe pa incidente

    “Në përputhje me informacionet e marra nga prokuroritë publik në gjithë shtetin, dita e sotme zgjedhore në të cilën votohet për zgjedhjet parlamentare dhe në rrethin e dytë të zgjedhjeve për President të Republikës së Maqedonisë deri në këtë moment është duke kaluar gjeneralisht qetë dhe pa shkelje të mëdha të procesit zgjedhor. Nga fillimi i votimit në mëngjes, deri te prokuroritë publik dhe në adresën e veçantë elektronike në [email protected] nuk janë paraqitur indicente dhe parregullsi në vendvotime të cilat kanë elemente të veprës penale”.

    Kështu ka njoftuar kryetari i Komisionit të Prokurorisë Publike për ndjekjen e shkeljeve eventuale në zgjedhje, Xhelal Bajrami.

    Bajrami ka shtuar se gjatë ditës së djeshme ka pasur parashtresa në Prokurorinë Publike Themelore Veles, me dyshimin për ryshfet dhe është gjetur armë dhe municion për çfarë është formuar edhe lëndë për hetim

    “Gjatë ditës së djeshme, tashmë kemi njoftuar se është parashtruar kallëzim në PPTH Veles me dyshime për blerje votash dhe është gjetur dhe marrë municion, për çfarë është formuar lëndë në PPTH Veles për dy persona. Për një person tashmë ka procedurë urgjente me propozim për paraburgim për sasi të madhe të armëve dhe municionit të cilat janë gjetur tek ai. Për personin e dytë lënda do të shkojë në procedurë të rregullt, kurse në të njëjtën kohë, PPTH Veles tashmë ka ndërmarrë për të vërtetur dyshimettë cilat kanë të bëjnë me blerje votash”, qëndron në njoftimin e Bajramit.

    Bajrami ka bërë të ditur se denoncime ka pasur edhe në Ohër dhe Kriva Pallankë, por për këto ngjarje nuk janë parashtruar kallëzime penale.

    Bajrami përfundon se edhe përskaj këtyre dyshimeve, mund të “përfundohet se cikli zgjedhor është duke u zhvilluar në atmosferë të qetë dhe pa shkelje të mëdha”.

    Kasami: qytetarët të dalin në votime dhe të vendosin për të ardhmen e tyre

    Kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami, ka ushtruar të drejtën e tij të votës. Ai tha se ka votuar edhe në zgejdhjet presidenciale edhe në ato parlamentare.

    Kasami gjithashtu i ftoi qytetarët të dalin në votime dhe të vendosin siç tha, për të ardhmen e tyre, përcjell Nistori.

    “Realizova të drejtën time të votës në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. Sot është ditë e rëndësishme për qytetarët e RMV_së për të votuar për ndryhimin që e kanë pritur shumë gjatë. Sot ata vendosin për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në institucionet më të rëndësishme të shtetit”.

    “Qytetarët votojnë dhe vendosin për të ardhmen europiane të shtetit. Ftoj qytetarët të dalin masovisht të dalin në zgjedhje, sepse vota e tyre është për të ardhmen e tyre, nëse rijnë në shtëpi me këtë ndihmojnë të gjitha forcat retrograde të cilat nuk ia duan të mirën vendit. Unë me familjen time votuam për të vendosur për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe të ardhmen europiane të vendit”, tha Kasami./Nistori/

    Billborde të partive politike dhe raportime për agjitacion – MPB tregon rrjedhën e procesit të votimit

    Zëdhënësi i MPB-së Toni Angellovski, ka deklaruar se Ministria e Punëve të Brendshme deri më tani nuk ka regjistruar shqetësime më serioze të rendit dhe qetësisë publike gjatë votimit, i cili në përgjithësi është zhvilluar në mënyrë të qetë, pa probleme.

    “Nga hapja e qendrave të votimit deri në ora 11:00, regjistrojmë dy ankesa për një stendë të partisë politike të ngritur pranë qendrës së votimit në Shuto Orizarë, si dhe për postera të ngjitur dhe fletëpalosje të shpërndara në zonën e Çairit në Shkup, ndërsa po merren masa për zbardhjen e rasteve”.

    “Kemi raportime për agjitacion edhe në Tetovë, Shkup, fshatin Banicë të Kumanovës, Strumicë dhe komunën e Bogovinës, por pas masave të marra nga zyrtarët policorë, ato pretendime deri më tani nuk janë vërtetuar”, tha Angelovski.

    Ministria e Punëve të Brendshme apelon qytetarët dhe pjesëmarrësit në zgjedhje dhe në pjesën tjetër të votimit që të përmbahen nga incidente dhe nëse ka shkelje të procesit zgjedhor, qytetarët të lajmërojnë menjëherë policinë në numrat 192 dhe 112 ose paraqituni në stacionin më të afërt të policisë.

    OSBE-ja vëzhgon zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut

    Koordinatori special i OSBE-së, Nikoloz Samkharadze, së bashku me shefen e misionit të Asambles Parlamentare të OSBE-së, Karina Odebrik, vizituan vendvotimet në sh.f. “Kiro Gligorov” në lagjen Kapishtec në Shkup. Ai theksoi se aktivitetet e tyre janë në kuadër të misionit të përbashkët të Asamblesë Parlamentare të OSBE, ODIHR-it dhe Këshillit të Evropës.

    “Jemi këtu në qendër të Shkupit, duke vëzhguar një vendvotim në një shkollë fillore. Ne gjithashtu do të bëjmë vëzhgime në të gjithë vendin, në zonat rurale dhe urbane dhe të gjitha vërejtjet dhe vëzhgimet tona do t’i themi nesër në një konferencë për shtyp në orën tre”, tha Samkharadze.

    Karina Odebrik, shefe e misionit të AP të OSBE-së, informoi se kanë mbi 300 vëzhgues, ndërsa nga Asambleja Parlamentare ka 56 vëzhgues nga 25 vende.

    “Ajo që është e rëndësishme gjatë vëzhgimit të zgjedhjeve është që të mbledhim të gjitha vërejtjet dhe t’i vendosim në një deklaratë të përbashkët”, shpjegoi Odebrik.

    Historia e qeverive dhe zgjedhjeve parlamentare në RMV

    Pas vendosjes së pluralizmit politik, me ndryshimet kushtetuese të vitit 1989, me të cilat u mundësua formimi i partive politike, votuesit e Maqedonisë për herë të parë patën mundësinë të votojnë në zgjedhjet shumëpartiake të vitit 1990 në Republikën e atëhershme Socialiste të Maqedonisë. Ato ishin gjithashtu zgjedhjet e para të lira shumëpartiake të mbajtura në të njëjtin vit në të gjashtë republikat e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFRJ).

    Në Maqedoni zgjedhjet u zhvilluan sipas sistemit zgjedhor mazhoritar me shumicë absolute (në rrethin e parë) dhe shumicë relative (në rrethin e dytë). Në këto zgjedhje deputetët u zgjodhën sipas parimit: një mandat parlamentar – një njësi zgjedhore, me ç’rast territori i Republikës ndahej në 120 njësi zgjedhore.

    KShZ tregon daljen në zgjedhje deri në ora 11:00

    Kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski njoftoi se deri në ora 11:00 në zgjedhjet presidenciale, nga të dhënat e gjithsej 2080 vendvotimeve, jehona e votuesve është 12.87 për qind, respektivisht kanë votuar 141.087 qytetarë.

    Dalja më e madhe në zgjedhjet presidenciale është në Probishtim, ndërsa më e vogla në Likovë.

    “Dalja e votuesve në zgjedhjet presidenciale nga 2080 vendvotime, dmth është dyfishuar numri. Në këto vendvotime kanë votuar 141.087, respektivisht 12,87 për qind. Dalja më e madhe për momentin për zgjedhjet presidenciale ka në Probishtip, 27,85, dalja më e vogël për zgjedhjet presidenciale në Likovë është 1,76”, theksoi Dashtevski.

    Ndërsa në lidhje me zgjedhjet parlamentare, Dashtevskiu tha se deri orën 11:00 jehona e votuesve është 13.69%./Nistori/

    Zgjedhja e presidentit të RMV “në duar” edhe të shqiptarëve

    Në Maqedoninë e Veriut më 8 maj mbahen dy palë zgjedhje: rundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, si dhe zgjedhjet parlamentare.

    Ato do t’i hapin rrugë formimit të Qeverisë së re nga partia fituese, e cila do të arrijë të sigurojë 61 votat e nevojshme për formimin e ekzekutivit të ri.

    Dilema mbetet nëse të mërkurën do të arrihet të zgjidhet presidenti i shtetit, pasi ka një prag zgjedhor prej 40 për qind të daljes në votime.

    Bazuar në rundin e parë të zgjedhjeve, më 24 prill, kur në garë ishin shtatë kandidatë, në zgjedhje dolën rreth 49 për qind e 1.8 milion qytetarëve me të drejtë vote.

    Të mërkurën, në garë janë dy kandidatë, fituesja e rundit të parë,Gordana Silanovska-Davkova që fitoi 363.000 vota dhe presidenti aktual, Stevo Pendarovski, me 180 mijë vota.

    Që të zgjidhet presidenti i ri, në zgjedhje duhet të dalin rreth 750.000 votues, apo në zgjedhje të dalin votuesit e kandidatëve që u eliminuan në rundin e parë.

    Por, deri tani asnjëri prej tyre nuk ka dalë publikisht t’u bëjë thirrje votuesve të tyre që të dalin në zgjedhje duke ngritur dilemën nëse zgjedhjet do të arrijnë pragun kushtetues.

    Nga kandidatët shqiptarë, më shumë vota në rundin e parë mori Bujar Osmani nga Fronti Evropian i kryesuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), gjithsej 120.000 vota. Ndërsa, Arben Taravari nga koalicioni opozitar VLEN, mori 83 mijë vota.

    BDI-ja publikisht nuk ka dalë me qëndrim nëse do të mbështesë ndonjërin kandidat apo do të bëjë ftesë për bojkot, por eksponentë të saj, në rrjetet sociale në vazhdimësi kanë bërë thirrje që më 8 maj të bojkotohen zgjedhjet presidenciale.

    Edhe nga koalicioni VLEN nuk kanë bërë thirrje për dalje në votime për zgjedhjen e presidentit, por bazuar në qëndrimet e drejtuesve të saj, dhe takimit të 6 majit të Arben Taravarit me kreun e VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, si edhe qëndrimeve të eksponentëve të saj në rrjetet sociale, atëherë votuesit e saj mund të dalin në votime për zgjedhjen e presidentit.

    Por, që zgjedhjet të mos dështojnë, nevojitet që në zgjedhje të dalin edhe anëtarët e katër kandidatëve të tjerë, në veçanti të Maksim Dimitrievskit, i cili arriti të fitojë rreth 84.000 vota.

    Nëse zgjedhjet dështojnë, atëherë mandatin partisë fituese të zgjedhjeve parlamentare do t’ia ndajë kryetari në detyrë i Kuvendit, Jovan Mitrevski, dhe më pas të nisin procedurat për zgjedhje të reja presidenciale.

    Por, përsëritja e zgjedhjeve për kreun e shtetit do të organizohej nga Qeveria e re, e cila sipas kreut të opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski, do të përbëhet nga VMRO DPMNE-ja dhe koalicioni opozitar shqiptar VLEN.

    Mickoski, më 6 maj, ka vizituar shtabin e opozitës shqiptare në Shkup për të promovuar koalicionin e ri qeveritar, ndërsa disa orë më vonë Taravari tha se për Qeverinë e re tashmë është rënë dakord.

    “Me besë premtoj se unë dhe të gjithë përfaqësuesit e VLEN-it kur të bëjmë qeverinë, dy-tri ditë pas zgjedhjeve, do të vrapojmë edhe më fuqishëm sesa në fushatë. Nuk do të rehatohemi nëpër kolltukë duke rregulluar e duke shtuar dyert e shtëpive tona, por do të punojmë për dyert tuaja që ne i hapëm edhe pa trokitur”, ka deklaruar Arben Taravari në Tetovë në tubimin e fundit të koalicionit VLEN.

    Nga BDI-ja pohimet e Taravarit i kanë quajtur “përralla me mbret” pasi kreu i BDI-së, Ali Ahmeti thotë se Qeveria formohet nga partitë fituese të zgjedhjeve në kampin shqiptar dhe maqedonas.

    “Sot është koha që të përcaktohemi drejt me platforma mirë të përpiluara, të hartuara mirë, sepse më 9 maj të gjithë duhet të mendojmë, pavarësisht edhe të tjerëve që thonë se ky hyn, ai del nga qeveria. Këto janë ‘përralla me mbret’, sepse Qeverinë dhe institucionet i bëjnë ata që e kanë mbështetjen e popullit, sepse populli të zbret-populli të ngritë”, ka deklaruar Ahmeti.

    Në Maqedoninë e Veriut deri në vitin 2017 qeveritë janë formuar nga partitë fituese shqiptare dhe maqedonase, pavarësisht orientimeve të tyre programore.

    Bashkimi Demokratik për Integrim, ka qenë pjesë e Qeverisë, si me LSDM-në, ashtu edhe me VMRO DPMNE-në që fitonin zgjedhjet tek elektorati maqedonas.

    Ky rregull ka vazhduar deri në vitin 2017 kur Qeveria u formua nga LSDM-ja, edhe pse i kishte humbur zgjedhjet tek elektorati maqedonas.

    Ajo arriti të përbëjë shumicën parlamentare me votat e partive shqiptare dhe të formojë Qeverinë duke larguar nga pushteti VMRO DPMNE-që drejtohej nga Nikolla Gruevski. /REL/

    Gligorovi dhe Ivanovi ushtruan postin e presidentit për dy mandate, të tjerët nga një mandat

    Në Republikën e Maqedonisë së Veriut sot mbahet rrethi i dytë i zgjedhjeve të shtata presidenciale. Deri më tani, pesë presidentë janë ulur në kolltukun presidencial. Presidenti i parë, Kiro Gligorov dhe Gjorge Ivanov, kanë ushtruar postin presidencën për dy mandate, ndërsa nga një mandat Boris Trajkovski dhe Branko Cërvenkovski, si dhe Stevo Pendarovski, i cili rikandidohet për kreun e shtetit, përcjell Nistori.

    Historiku i zgjedhjeve presidenciale në RMV

    Qytetarët mund t’i paraqesin parregullsitë zgjedhore në linjën telefonike pa pagesë të Avokatit të Popullit

    Në zyrën e Avokatit të Popullit, sot nga ora 7 deri në orën 19 në ditën e mbajtjeve të raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe të zgjedhjeve parlamentare, qytetarët do të mund të paraqesin çfarëdo shkelje të së drejtës së votës në linjën telefonike pa pagesë 0800 54321.

    Siç informojnë nga Zyra e Avokatit të Popullit, përveç linjës telefonike pa pagesë, qytetarët do të mund të paraqesin shkelje të së drejtës zgjedhore edhe personalisht në zyrën kryesore në Shkup, që ndodhet në rrugën “Maqedonia” nr.19.

    “Gjithashtu, në ditën e zgjedhjeve kujdestari do të ketë edhe në zyrat rajonale në Strumicë në nr. e tel. (034)329-996, Kërçovë në nr. e tel.(045).228-586, Tetovë në nr. e tel.(044) 344-082, Manastir në nr. e tel.(047) 242-310, Shtip në nr. e tel. (032) 389-701 dhe në Kumanovë në nr. e tel.(031) 431-488”, theksohet në kumtesën e sotme të Avokatit të Popullit.

    Avokati i Popullit, theksojnë nga atje, me qëllim të mbrojtjes së të drejtës zgjedhore të qytetarëve do të ndërmarrë masa urgjente për veprim efektiv nga ana e organeve kompetente në procesin zgjedhor dhe institucione të tjera, të cilat janë të obliguara t’u sigurojnë mbrojtje qytetarëve për realizimin e të drejtës së tyre të garantuar me kushtetutë.

    Dashtevski – KShZ: deri në orën 09:00 për zgjedhjet parlamentare votuan 4.45%, ndërsa për zgjedhjet presidenciale 4.17%

    Kryetari i KShZ-së, Aleksandar Dashtevski njoftoi se deri në ora 09:00 në zgjedhjet presidenciale, nga të dhënat e gjithsej 1009 vendvotimeve, jehona e votuesve është 4.17 për qind, respektivisht kanë votuar 22.797 qytetarë.

    Dalja më e madhe në zgjedhjet presidenciale është në Probishtip, ndërsa më e vogla në Bogovinë.

    “Në krahasim me rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2019, kemi ulje të daljes në 1.99 në këto zgjedhje”, shtoi Dashtevski.

    Ndërkohë sa u përket zgjedhjeve parlamentare dalja deri ora 09:00 është 4.45%, jehona e votuesve më e madhe është regjistruar në Krivogashtani, ndërsa më e ulët është në Bogovinjë.

    Sipas Dashtevskit krahasuar me vitin 2019, është shënuar ulje e jehonës së votuesve. /Nistori/

    Votohet prej orës 7:00 deri në orën 19:00

    Votimi për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare fillon në orën 7:00 dhe zgjat pa ndërprerje deri në orën 19:00. Nëse votimi ndërpritet për më shumë se një orë, ai do të vazhdojë për aq kohë sa ka zgjatur ndërprerja, por jo më shumë se tre orë.

    Për fitore në rrethin e dytë të zgjedhjeve për president nevojiten 362.864 vota

    Në vend sot mbahet rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, në të cilat 1.814.317 qytetarë me të drejtë vote do të mund të prëcaktohen për njlrin prej dy kandidatëve për shef të shtetit – Gordana Siljanovska Davkova dhe Stevo Pendarovski, të cilët fituan më së shumti vota në rrethin e parë më 24 prill.

    Për zgjedhjen e presidentit në Maqedoninë e Veriut nevojitet arritja e censusit prej 40%

    Në rrethin e dytë të votimit do të zgjidhet kandidati që do të marrë shumicën e votave, por kush është arritja e censusit prej më shumë se 40%, pra në zgjedhje duhet të dalin 725.727 votues.

    Nëse në rrethin e dytë asnjëri nga dy kandidatët nuk ka marrë numrin e duhur të votave, e gjithë procedura e zgjedhjes përsëritet.

    Presidenti i Republikës zgjidhet në zgjedhje të përgjithshme me votim të fshehtë, për një periudhë 5-vjeçare. I njëjti person mund të zgjidhet President i Republikës vetëm dy herë. Presidenti i Republikës duhet të jetë shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut.

    Lajmi Paraprak

    Të ngrënit në këtë kohë shoqërohet me shtim të konsiderueshëm në peshë

    Lajmi i rradhës

    Dashtevski – KShZ: deri në orën 09:00 për zgjedhjet parlamentare votuan 4.45%, ndërsa për zgjedhjet presidenciale 4.17%

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë