Bizneset për disa vite me radhë po ankohen për mungesë punonjësish. Gjithashtu, numri i punonjësve në fabrika po ulet, dhe ato po ikin në shtetet perëndimore për një mirëqenie më të mirë, ndërsa një numër bukur i madh i tyre nga Nepali apo shtetet e tjera po ikin duke shfrytëzuar Maqedoninë si trampolinë për në Evropë. Sindikata ia hedh fajin pronarëve të bizneseve, të cilët paguajnë paga të ulëta, me të cilat nuk kapërcehet muaji.
Mbi 12 mijë punëtorë ndërtimi vlerësohet se janë larguar nga vendi në kërkim të një jetese më të mirë. Për shkak të pagave të ulëta, është e vështirë të mbahen punëtorët vendor, ndërsa nuk ka ndonjë përfitim të madh as nga importimi i fuqisë punëtore, sepse punëtorët nga Nepali, India, Pakistani dhe Bangladeshi shpesh e perceptojnë Maqedoninë e Veriut vetëm si një vend transit dhe shans për të vajtur në Evropë, ku fitojnë më shumë sesa këtu. Numri një i Sindikatave, Sllobodan Trendafillov thotë se kjo shuan shpresën se fuqia punëtore e importuar do të zëvendësojë punëtorët vendor për paga shumë më të ulëta.
“Përderisa atyre u është premtuar se do t’u sigurohet ushqim, transport dhe akomodim, ata nuk duan t’ua sigurojnë këtë për punonjësit vendor, dhe as t’u paguajnë ushqimin në masën 20 për qind të pagës mesatare dhe as transportin në masën e shpenzimeve, që është një sinjal vërtet negativ”, thekson Trendafillov.
Sipas Sindikatës, në Maqedoninë e Veriut ka mungesë të fuqisë punëtore, kryesisht për shkak të pagave të ulëta dhe keqpërdorimeve nga “bosët” e bizneseve.
“Ajo që duhet t’i shqetësojë të gjithë është se nuk mund të gjesh një punonjës që do të punojë për pagë minimale, ose me pagë nën mesataren dhe të jetë produktiv”, thotë Trendafilov.
Sindikatat vlerësojnë se pikërisht pagat e ulëta janë arsyeja pse shumica vendosin të ikin në një drejtim. Nëse i paguan një rrogë mizerabël, atëherë mund të presësh që të kenë vetëm një biletë vajtje dhe kjo është jashtë vendit, thonë sindikalistët.
Sipas të dhënave të tatimorëve, nga gjithsej 690.000 punëtorë që janë rrogëtar në vend, 25.000 marrin pagë në lartësinë e pagës minimale, ndërsa 10.000 punëtorë marrin pagë nga një denarë deri në 22.567 denarë. Apo, gjithsej 37 mijë punëtorë marrin deri në pagën minimale ose nën pagën minimale në vend. Aktualisht, paga minimale sipas paralajmërimeve do të rritet për 2000 denarë në pranverën e vitit 2025, apo do të jetë 24.500 denarë. Kërkesat e sindikatave për pagë më të lartë minimale prej 450 euro po mbetet për momentin vetëm në letër.
Në ndërkohë, sektorë të rëndësishëm të ekonomisë që punësojnë me dhjetëra mijë punonjës dhe realizojnë eksport prej qindra milion euro, po përballen me uljen e fuqisë punëtore.
Në sektorin e tekstilit, numri i punëtorëve është ulur për 14 për qind gjatë këtij viti, tregojnë analizat e Organizatës së Punëdhënësve. Angel Dimitrov nga kjo organizatë thekson se në 15 vitet e fundit kjo është rënia më e madhe e të punësuarve në këtë sektor. Arsyeja është se kriza në Gjermani është reflektuar në punën e kompanive të Maqedonisë të tekstilit, të cilat tradicionalisht janë të lidhura me këtë treg dhe me porositë nga partnerët. Ai e sheh rrugën e daljes nga kriza në përfundimin e luftës në Ukrainë dhe rikthimin e optimizmit në ekonominë gjermane.
“Numri i përgjithshëm i punëtorëve ka arritur në minimumin e pesëmbëdhjetë viteve të fundit, që do të thotë më pak se 30.000 punëtorë. Dhe mendoj se derisa të përmirësohet gjendja në Gjermani, derisa të përmirësohet optimizmi tek ata qytetarë, që të mos mendojnë për vende të fshehta, për mbrojtjen nga një sulm bërthamor, mendoj se situata do të përkeqësohet edhe më shumë vitin e ardhshëm”, thotë Dimitrov.
Në fillim të këtij muaji do të mbahet Këshilli Ekonomiko-Social. Dimitrov thekson se në seancë, përveç pikës për pagën minimale, që është propozim i Sindikatave të Maqedonisë, biznesi do të kërkojë edhe të parashtrohen pikat tjera, përkatësisht kërkesat për pastrimin e listës së të papunëve, ndryshimet ligjore. për pensionistët që duan të punojnë, si dhe për shportën e konsumit. Ai beson se nëse shporta e konsumit publikohet nga Enti Shtetëror i Statistikave, do të jetë shumë më realiste dhe e bazuar në kriteret e pranuara nga Banka Botërore. /Koha/