Punëtorët e RMV-së zëvendësohen me ata nga Azia

    Afaristët në Maqedoninë e Veriut thonë se mungesa e punëtorëve po bëhet problem gjithnjë e më serioz për funksionimin e shumë bizneseve.

    Hazbi Ibrahimi, i cili udhëheq një kompani ndërtimi thotë për Radion Evropa e Lirë se mungesa e punëtorëve në vend, veçanërisht të atyre të cilët punojnë në profile të caktuara si hidraulik, saldues etj., e ka detyruar të sjellë punëtorë nga Turqia dhe Shqipëria.

    Ibrahimi kërkon lehtësimin e proceduarave për prurjen e punëtorëve të huaj pasi ai personalisht është përballur me shumë telashe administrative gjatë marrjes së lejes së qëndrimit dhe asaj për punë për punëtorët e huaj në Maqedoninë e Veriut.

    “Në bazë të Ligjit për marrëdhënie pune, një punëtor i huaj mund të sillet vetëm nëse kompania gjegjëse nuk ka arritur të sigurojë punëtorë pas tri shpalljeve publike”, tregon Ibrahimi. Ai thotë se kjo procedurë e shpalljeve për gjetjen e punëtorëve kërkon shumë kohë, kurse procesi i ndërtimit është i pandalshëm dhe duhet vepruar shpejt.

    Angell Dimitrov nga Organizata e Punëdhënësve në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se pothuajse nuk ka sektor që nuk ka probleme me sigurimin e punëtorëve. Dimitrov thotë se situata më alarmuese shfaqet në sektorin e përpunimit të ushqimit, atë të tekstilit, metalurgjisë, hotelerisë dhe ndërtimtarisë.

    Sipas tij, përpos migrimit, në mungesën e punëtorëve ka ndikuar dhe nataliteti i cili është në rënie, përkatësisht plakja e popullsisë.

    “Ky problem, jo vetëm që është i pranishëm, por në të ardhmen do të jetë gjithnjë e më i madh, kështu që nuk shoh ndonjë zgjidhje tjetër përpos që vendi të sigurojë forcë punëtore nga jashtë vendit”, thotë Dimitrov.

    Ai shton se Maqedonia e Veriut, për shkak të standardit, përkatësisht pagave të ulëta, punëtorë mund të sigurojë vetëm nga vendet e Lindjes së largët.

    “Pagat këtu sado të vogla të jenë, janë shumë më të larta se ato në disa vende të Lindjes së largët. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për pagat po është dhe infrastruktura, standardi dhe siguria sociale, e cila është në nivel më të lartë se në ato vende.

    Sa për ilustrim, paga minimale te ne është 350 euro neto, kurse paga mesatare bruto në Bangladesh është 200 euro, pra ne si shtet ofrojmë më shumë kundrejt asaj çka ofrojnë vendet e këtyre punëtorëve”, thotë Dimitrov.

    Qeveria e Maqedonisë së Veriut për çdo vit përcakton kuotën e lejeve për punëtorët e huaj, e cila bazohet në politikën e migracionit, si dhe luhatjet në tregun e punës. Kjo kuotë nuk mund të kalojë 5 për qind të popullsisë së Maqedonisë së Veriut, e cila është në marrëdhënie pune.

    Por, punëdhënësit thonë se kuota mbushet menjëherë për shkak të mungesës së madhe të punëtorëve në shumë sektorë dhe prurja e punëtorëve jashtë kësaj kuote është shumë e komplikuar.

    Radio Evropa e Lirë i ka dërguar pyetje Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale se sa do të jetë kuota e punëtorëve të huaj gjatë këtij viti dhe nëse ajo është plotësuar deri më tani, por deri në publikimin e këtij teksti nuk kanë kthyer përgjigje.

    Në fund të janarit, zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi, ka theksuar se për zbutjen e problemit me fuqinë punëtore duhet punuar në rikualifikimin e një grupi të caktuar, pjesëtarët e të cilit janë të regjistruar si të papunë në mënyrë që ata me kualifikimin e tyre të adaptohen për nevojat e tregut të punës.

    “Në tregun e punës ka mungesë të fuqisë punëtore dhe duhet t’i përgjigjemi kësaj sfide nëse dëshirojmë të kemi rritje të shpejtuar ekonomike”, ka theksuar Bytyqi.

    Por, afaristët thonë se krahas politikave për rikualifikimin e personave që kërkojnë punë, nevojitet lehtësimi i procedurave për angazhimin e punëtorëve të huaj dhe veçanërisht ndaljen e hovit të migrimit.

    Zoran Koçoski, i cili drejton një agjenci që ndërmjetëson për angazhimin e punëtorëve nga Maqedonia e Veriut jashtë vendit thotë se vetëm për në Gjermani brenda vitit largohen 2 mijë deri 3.500 qytetarë.

    “Këto shifra kanë të bëjnë me migrimin e personave me dokumentacion të rregullt, përkatësisht leje për punë dhe vizë që nënkupton leje qëndrimi. Por, në bazë të parashikimeve tona, tre mijë deri në pesë mijë qytetarë të tjerë përmes kanaleve të ndryshme kërkojnë mënyra për t`u shpërngulur në Gjermani”, thotë ai.

    Të dhënat e regjistrimit të popullsisë në tetor të vitit 2021 nxorën në pah plakjen e popullsisë në Maqedoninë e Veriut. Nga viti 2002 deri në vitin 2021 numri i qytetarëve të aftë për punë është ulur për 12.4 për qind, përderisa numri i qytetarëve mbi moshën 65 është rritur për 17.2 për qind.

    Lajmi Paraprak

    Katër shenjat që tregojnë se jeni rritur nga prindër tepër kritikë

    Lajmi i rradhës

    Jazhinca ende pa mjek!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë